E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paraburgimi i Sarandës, jashtë standardeve

Dhomat e shoqërimit në Komisariatin e Sarandës, me gjithë përmirësimet e realizuara, kanë rezultuar jashtë standardeve dhe problematike për femrat e fëmijët. Në këtë përfundim kanë arritur komisionerët e institucionit të Avokatit të Popullit, të cilët kanë qenë në Komisariatin e Policisë së Sarandës tri javë më parë. Në reflektim të kësaj situate, shefi i rendit dhe sigurisë publike në Komisariatin e Sarandës, Shemsedin Abazi, ka shpjeguar se një nga detyrat e tij, me ardhjen në Sarandë, ka qenë të ndryshojë sa të jetë e mundur diçka në këto kushte. Ai ka treguar për përmirësimet e realizuara, siç kanë qenë heqja e dyshekëve e batanijeve dhe vendosja e krevateve, adaptime të tjera të mundshme etj. "Për dhomat e shoqërimit ka disa standarde, si nga ne si drejtues, edhe nga organizmat ndërkombëtarë. Në këto dhoma është ndërhyrë me një fond të veçantë", u shpreh Abazi. Ai ka treguar se janë dy dhoma e një korridor dhe tualet dhe se është bërë një adaptim dhe rregullime me suvatime, janë hequr dyshekët, batanijet, janë vendosur krevate druri. Nga ana tjetër, shefi i rendit dhe sigurisë publike Abazi, ka pranuar se mungojnë dhomat për të miturit dhe femrat. "Ata i vendosim në ambiente të tjera, brenda komisariatit, ndonëse nuk janë më optimalet për këto kategori",- ka pranuar ai. Për zotin Abazi, me gjithë përmirësimet e bëra, kushtet nuk vlerësohen ende në standarde të mira dhe se përmirësimi i tyre mbetet shqetësim i vazhdueshëm. "E kam bërë prezent pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë gjendjen e tyre. Standardet nuk janë të mira dhe jemi të vetëdijshëm se duhen investime të reja. "Çfarëdo lloj njerëzish të jenë ata që shoqërohen, është drejtësia që vendos, neve na takon t‘i trajtojmë njerëzisht, pavarësisht nga çfarë dyshohet se kanë bërë", u shpreh shefi i rendit dhe sigurisë publike Shemsedin Abazi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›