Në rrezik, borxhi 300 milionë euro
Qeveria shqiptare ka shprehur dëshirën të tërheqë 300 milionë euro kredi në tregun ndërkombëtar muajin e ardhshëm, por disa banka të interesuara nuk janë treguar të gatshme të ofrojnë as gjysmën e shumës së kërkuar, ndërkohë që kanë ofruar kredi me interesa shumë të larta. E shpallur si një sukses, tenderi ku morën pjesë disa nga bankat më të mëdha të botës, dështoi në muajin shkurt, kur asnjë prej këtyre bankave nuk mori përsipër rrezikun. Ministria e Financave i kërkoi ofertuesve të grupojnë ofertat e tyre në një kredi sindikatë, por procedura për marrjen e parave, nuk ka përfunduar ende. Pas vlerësimit të ri të borxhit nga JCR, vihet në dyshim marrja e kësaj kredie. Qeveria synonte ta përdorte këtë kredi për të mbuluar rënien e të ardhurave fiskale këtë vit, si dhe për të financuar rrugën Durrës-Kukës, që deri në fund të vitit, parashikohet të kushtojë edhe 250 milionë euro të tjera. Pas dështimit të tenderit në shkurt, nevoja për para është mbuluar me borxh të brendshëm, gjë që rrezikon të destabilizojë ekonominë e vendit.