Asgjësohet një minë detare në Vlorë
Një minë detare me një mbushje eksplozive prej rreth 300 kilogramësh është asgjësuar dje nga forcat e përbashkëta shqiptare dhe holandeze në kuadër të operacionit të NATO-s për pastrimin e gjirit të Vlorës nga eksplozivët nënujorë. Sipas Artur Mecollarit, komandantit shqiptar të operacionit, mina është nxjerrë rreth orës 12:30 prej vendit të quajtur "Raguza" në gadishullin e Karaburunit, në afërsi të pikës ku ankorohen anijet e peshkimit. Pasi është nxjerrë, mina është transportuar me mjete speciale deri në afërsi të Zvërnecit ku është bërë shpërthimi i saj. Operacioni ka nisur që në orët e para të mëngjesit, kur palombarët shqiptarë së bashku me ata holandezë kanë kryer operacionin delikat, duke lidhur minën me një pajisje, e cila e ka ngritur atë sipër ujit. Pasi u transportua për disa milje të tëra, mina u shpërthye disa milje larg Zvërnecit, në orët e vona të pasdites.