E Diel, 1 Nëntor 2026

Ligji për tatimet dhe falimentimin, i standardeve ndërkombëtare

Autori i Lajmit: Suela Topi
Ky projektligj është bërë fund e krye me ekspertizën e USAID-it, ka marrë shqyrtimin e plotë të BB, FMN dhe nëpërmjet një institucioni gjerman edhe Komisionit Evropian. Është në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të cilit ne i qëndrojmë”

Ligji për procedurat tatimore është i standardeve më të mira. Ky ishte komenti i bërë dje nga kryeministri Sali Berisha, menjëherë pas deklaratës së Kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili u shpreh kundër këtij ligji. Berisha garantoi se ky projekligj sjell një transformim të thellë në qëndrimin ndaj biznesit. Ai garantoi se projektligji i Ekzekutivit është hartuar me ekspertizën e USAID dhe disa strukturave të tjera si Banka Botërore apo Fondi Monetar Ndërkombëtar. Po dje, gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Berisha vlerësoi dhe projekligjin “Për falimentimin” duke e cilësuar atë si pasojë të domosdoshme të një tregu të lirë. Të dy këto projektligje u diskutuan javën e kaluar në Kuvend, por kundërshtimi i opozitës dhe më pas largimi i saj nga seanca si kundërpërgjigje për mosplotësismin e kërkesës së tyre për shtyrjen e projektligjeve, bëri që ata të mbeten ende të pavotuar.
Deklarata
Berisha theksoi gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të PD-së se projektligji “Për procedurat tatimore” është i standardeve më të mira. “Ky projektligj është bërë fund e krye me ekspertizën e USAID-it, ka marrë shqyrtimin e plotë të BB, FMN dhe, nëpërmjet një institucioni gjerman, edhe të Komisionit Evropian. Është në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të cilit ne i qëndrojmë”, - u shpreh Kryeministri, ndërsa theksoi se projektligji do të mishërojë atë që ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese. Pak ditë më parë, Kushtetuesja rrëzoi nenin 107 të ligjit, i cili përcaktonte pagimin 15 për qind të gjobës nga ana e biznesit para se çështja të shkonte në gjykatë. Ndërsa për sa i përket projektligjit “Për falimentimin”, kreu i Ekzekutivit tha se ai është një hap i madh ligjor në drejtim të klimës së biznesit. Duke kërkuar mbështetjen e opozitës për miratimin e këtij projektligji, por edhe atij të procedurave tatimore, Kryeministri theksoi se ato janë hartuar me shkallën më të lartë të ekspertizës ndërkombëtare dhe nuk kanë asnjë lloj interesi partiak. “Ata që paraqesin falimentimin si gogol, tregojnë mendësitë e tyre socialiste, sepse falimentimi është një ligj i pandryshueshëm i sistemit që ndërtojmë, është një pasojë e dobishme e lirisë së tregut, e konkurrencës së lirë, është një kusht pa të cilin nuk mund të bësh fjalë për konkurrencë të ndershme dhe të lirë”, - theksoi Kryeministri. Duke informuar mbi historikun e projektligjit për falimentimin, Kryeministri u shpreh se një institucion i Bankës Botërore, i quajtur “doing bussines”, ka shprehur pakënaqësi për mungesën e falimentimit në vendin tonë, ndaj dhe kjo rregullohet me një ligj të standardeve ndërkombëtare. “Fatmirësisht, e kishim në proces e sipër ligjin”,- tha Kryeministri, duke shtuar se ligji i parë i shoqërive tregtare, që në tërësi ka qenë një ligj shumë i mirë, kishte një problem serioz, nuk mbronte në shkallën e duhur aksionerët në minorancë, e cila është një çështje sensitive.
Ky lajm është publikuar: 20/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›