E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama kundër: “Tatimorët marrin pushtet të pakontrolluar”

Autori i Lajmit: red.
Partia Socialiste është kundër projektligjit për procedurat tatimore. Ky qëndrim është theksuar dje nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili i kërkoi Kryeministrit që të mos shkelë detyrimet ligjore për transparencë. “Shpreh refuzimin e plotë për këtë projekt që Qeveria kërkon ta kalojë me nxitim”, - u shpreh Rama. Sipas kreut socialist, ligji është i papranueshëm, pasi organizatat tatimore marrin pushtet të pakontrolluar. “Me këtë ligj tatimet lejohen në mënyrë abuzive që të ndërhyjnë në marrëdhëniet me biznesin duke shkuar në kahun e kundërt me rregullat e ekonomisë së tregut”, - u shpreh Rama, i cili i kërkoi Kryeministrit që të mos thellojë më tej krizën ku ka hyrë marrëdhënia qeveri-biznes. Sipas tij, Berisha nuk duhet të shkelë detyrimin ligjor të transparencës e të konsultimit me këtë komunitet. Rama u shpreh se është e papranueshme që procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë të mos diskutohen gjerësisht, në radhë të parë, me sipërmarrësit shqiptarë, të cilët janë përjashtuar tërësisht nga konsultimi i këtij projektligji. Ai vlerësoi më tej si të papranueshme që, përmes kësaj nisme kryekëput të gabuar të Qeverisë, të lejohet ndërhyrja e administratës tatimore në marrëdhëniet mes kompanive të ndryshme, duke kërkuar që detyrimet e papaguara të një subjekti të mund të merren edhe tek kompanitë e tjera me të cilat ky subjekt ka marrëdhënie. “Është i papranueshëm sekuestrimi nga zyra e tatimeve pa një procedurë gjyqësore që lejon prapësimin për çmimin, sikundër e bën të mundur projektligji i rrezikshëm që Kryeministri kërkon të miratojë pa llogaritur pasojat e rënda që shtohen për komunitetin e biznesit, i cili, edhe pse ka fituar para pak ditësh një të drejtë kushtetuese, e rigjen veten të dhunuar antikushtetueshmërisht nga një kryeministër që jo vetëm s ka gjasë të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për gjobat, po siç shkruhet qartë në këtë projektligj, kërkon t i kthejë zyrat e tatimeve në zyra me atributet e organeve policore apo gjyqësore, duke i detyruar sipërmarrësit të paraqiten si të dyshuar para tyre”, - tha ai. Rama kërkoi edhe një herë që projektligji të diskutohet me komunitetin e biznesit për t u gjetur rruga më e mirë.
Ky lajm është publikuar: 20/05/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›