E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, arrestohen gjobëvënësit e tre biznesmenëve

Nikollaq Taullaraj dhe Ardit Alushaj u prangosën teksa po merrnin 20 mijë euro nga një biznesmen ndërtimi

VLORË- Policia ka arrestuar pasditen e djeshme dy të rinj të cilët ishin kthyer në tmerrin e biznesmenëve të ndërtimit në qytetin e Vlorës duke i vendosur gjoba. Vetëm brenda një jave Nikollaq Taullaraj dhe Ardit Alushaj i kishin vendosur gjoba tre biznesmenëve, të cilët i kërcënonin me jetë nëse nuk paguanin. Sipas policisë, biznesmenët kërcënoheshin rregullisht që nga data 21 dhjetor.
Biznesmenët kishin bërë denoncimin përkatës në polici dhe prokurori e menjëherë është ngritur një strukturë e përbashkët për hetimin në polici dhe prokurori për hetimin e çështjes. Strukturat e hetimit të policisë së Vlorës dhe prokurorët e Krimeve të Rënda kanë organizuar operacionin e koduar "TARGET".
Hetuesit janë lidhur me biznesmenët duke i dhënë instruksionet përkatëse si të vepronin me gjobëvënësit. Këta të fundit telefononin vazhdimisht dhe u kërkonin biznesmenëve nga 20 mijë euro. Paraditen e djeshme njëri prej biznesmenëve të kërcënuar ka lënë takim me gjobëvënësit për t'i dhënë paratë. Pak minuta para takimit, vendi është mbushur me agjentë të policisë të veshur civilë. Sapo të rinjte kanë marrë paratë nga biznesmeni kanë gjetur veten me armë tek koka. Ata janë stepur kur kanë dëgjuar thirrjen "Ndal policia" dhe nuk kanë mundur që të kryejnë asnjë veprim tjetër.
Nikollaq Taullarajt dhe Ardit Alushajt, në momentin e arrestimit, iu gjetën me vete dy pistoleta, një krehër fishekësh me 14 copë fishekë, si dhe pesë aparate celularë. Ata do të akuzohen për veprën penale të shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, parashikuar nga Neni 109/b i Kodit Penal.

TË ARRESTUARIT
Nikollaq Syrja Taullaraj, vjeç 26, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë me tre vjet burg për "shitje të lëndëve narkotike".
Ardit Bashkim Alushaj, vjeç 20, lindur dhe banues në fshatin Armen të rrethit të Vlorës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›