E Diel, 1 Nëntor 2026

Në polici, inspektori i MEICO-së, që duhej të kontrollonte Gërdecin

Sokol Ngjeçi u shoqërua në polici, pas incidentit me prokurorët gjatë komunikimit të akuzës


TIRANË- Grupi hetimor pranë Prokurorisë së Përgjithshme, që po heton për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit që prej 12 muajve, urdhëroi paraditen e djeshme shoqërimin në polici të ish-inspektorit të MEICO-së, Sokol Ngjeçi, pas kundërshtimeve me "forcë" për mos firmosen e akteve hetimore të kësaj dosjeje.

Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët shtuan se shoqërimi Ngjeçit u krye pasi ai ka kundërshtuar me forcë dhe ka reaguar ndaj hetuesve të organit të akuzës që po i komunikonin atij akuzën. Sipas akuzës, është provuar se Ngjeçi ka konsumuar elementë të veprës penale të "shpërdorimit të detyrës" mbi bazën e Kodit Penal Ushtarak.

Oficeri Ngjeçi me detyrë ish-inspektor pranë ndërmarrjes shtetërore MEICO, kishte për detyrë gjatë vitit 2007-08 mbikëqyrjen dhe kontrollin kushteve të demontimit të municioneve në ish-repartin e tankeve në Gërdec, ku kompania SAC-Albademil kryenin çmontimin e municioneve të kalibrave të ndryshëm.

Edhe pse i ngarkuar me këtë detyrë, mësohet se Ngjeçi vetëm dy herë kishte shkuar në dyert e repartit të demontimit të municioneve pa hyrë brenda për të kontrolluar mënyrën e demontimit të municioneve të kalibrit të lehtë dhe të rëndë.

Gjatë kësaj kohe, sipas akuzës, inspektor Ngjeçi në asnjë rast nuk kishte raportuar apo përpiluar ndonjë raport apo procesverbal me shkrim në Shtabin e Përgjithshëm apo Ministrinë e Mbrojtjes për kushtet skandaloze të sigurisë në punë dhe sigurisë së ruajtjes së lëndëve plasëse para, gjatë dhe pas demontimit të tyre.

Gjithashtu, i pandehuri Ngjeçi përveç se nuk ka raportuar në asnjë rast për mënyrën e demontimit të municioneve, nuk ka preferuar të kallëzojë as pranë Shërbimit Informativ Ushtarak për abuzimet që kryheshin në atë repart.

Sipas prokurorisë, mos kallëzimi dhe mos raportimi i kushteve të punës dhe sigurisë së lëndëve plasëse në atë ish-repart ushtarak ka sjellë pasoja të rënda. Sipas akuzës, Ngjeçi ka konsumuar elementë të veprës penale të "shpërdorimit të detyrës" në bashkëpunim.

"Paraditen e djeshme, pas hetimeve 12 mujore, grupi hetimor që po heton zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit, e ka ftuar pranë Prokurorisë së Përgjithshme atë për ta njohur me përfundimin e akteve hetimore ndaj tij.

Por, gjatë njohjes me to, i pandehuri Ngjeçi ka reaguar ashpër, duke kundërshtuar dhe protestuar për përfundimin e hetimeve. Ai pasi ka marrë disa nga kopjet e akteve hetimore dhe kërkesën për gjykim, ka reaguar duke i hedhur në dysheme ato dhe duke fyer me fjalë të rënda grupin hetimor.


Në atë moment, të vendosur para një situate jo të mirë, prokurorët e çështjes kanë lajmëruar Policinë, duke urdhëruar për shoqërimin e tij",-thuhet nga burimet e akuzës.


Gjithashtu mësohet se efektivët e patrullës së policisë, brenda ambienteve të Prokurorisë së Përgjithshme i kanë vendosur prangat të pandehurit Ngjeçi, duke e dërguar më pas në qelitë e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ende nuk dihet nëse pas këtij incidenti me prokurorinë, i pandehuri është arrestuar nga policia apo jo.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›