Maxhoranca nuk tërhiqet nga dosjet, Bumçi: “PS-ja, trashëgimtare e komunizmit”
Edhe pas deklaratave të ashpra të ndërkombëtarëve dhe veçanërisht të Presidencës së Bashkimit Europian, Partia Demokratike duket e vendosur për të zbatuar ligjin e dosjeve. Zëdhënësi i Grupit Parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, gjatë një deklarate për shtyp, ka bërë të ditur se PD-ja nuk do të tërhiqet nga zbatimi i ligjit të lustracionit, pavarësisht kërkesës së BE-së për pezullimin e tij dhe shqyrtimin nëpërmjet një dialogu të gjerë politik. Bumçi për më tepër e ka cilësuar të turpshëm qëndrimin e PS-së duke e akuzuar këtë parti si pasardhëse të komunizmit. “Partia Socialiste po mbahet peng nga lidhjet e shumëfishta me regjimin komunist dhe historinë e tij çnjerëzore. Me qëndrimin e saj ndaj ligjit të lustracionit, PS-ja po dëshmon se është trashëgimtare e vërtetë e Partisë së Punës dhe e historisë mizore të krimit komunist kundër popullit të tij. Në një kohë që kreu i PS-së flet gjithmonë për politikën e re, nga ana tjetër ai nuk është në gjendje të dënojë krimin komunist, duke dëshmuar se emri i vërtetë i tij është 'Edi Dosja'. Nuk ka asnjë moral njerëzor që të justifikojë këtë qëndrim të turpshëm të PS-së dhe kryetarit të saj ndaj historisë së diktaturës komuniste më të përgjakshme në kontinentin europian, ku u dënuan me varje, u pushkatuan dhe vdiqën në tortura mbi 5 mijë shqiptarë, u burgosën 16 mijë të tjerë dhe u internuan me mijëra”, - është shprehur Bumçi, ndërsa tregoi vendosmërinë e PD-së për ta zbatuar ligjin. “Asgjë nuk do ta pengojë Shqipërinë që të arrijë këtë standard moral kaq të nevojshëm, duke dënuar dhe u distancuar nga krimet e komunizmit. Populli shqiptar nuk ka asnjë arsye morale dhe historike që të mos jetë i barabartë me polakët, çekët, hungarezët dhe kombet e tjera të Europës Lindore, që dënuan krimin komunist dhe u distancuan nga e kaluara”, - është shprehur Bumçi.
16 Shkurt 2009