Ligji për vlerat e luftës procedohet të enjten

Kuvendi i Kosovës do ta procedojë në seancën e së enjtes Projektligjin për vlerat e luftës, i cili në Qeveri është aprovuar javën e kaluar, ditën kur veteranët grevistë kishin paralajmëruar protestë para ndërtesës së ekzekutivit të vendit.
Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e së martës mori vendim ta fusë në rend dite këtë ligj me procedurë të shpejtë, bashkë me disa ligje tjera.
Kryeparlamentari Krasniqi ka bërë të ditur se Kryesia ka vendosur për dy seanca të punës, njërën për të enjten dhe tjetrën për të premten, në të cilat seanca kryesisht do të ketë shqyrtim të projektligjeve.
“Të gjitha ligjet që kanë plotësuar kushtet për të hyrë në lexim të parë dhe të dytë do t’i kemi në rend të ditës. Përkundër kësaj ne u morëm vesh që tri ligje, përfshi edhe Ligjin për veteranët, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës të shkojnë në procedura më të shpejta në leximin e parë edhe dy ligje të tjera që janë pjesë e raportit dhe që duhet të shkojë me procedurë të shpejtë në leximin e parë, por jo në leximin e dytë”, ka thënë Krasniqi.
Edhe Adem Grabovci, shef i GP të PDK-së, ka thënë se ky Projektligji për vlerat e luftës do të procedohet këtë javë, ashtu siç u ishte premtuar veteranëve grevistë.
“Vendimi është marrë në Kryesinë e Kuvendit dhe ajo do të jetë pikë e parë e rendit të ditës në seancën e së enjtes”, ka thënë Grabovci.
Kryesia e Kuvendit ka marrë vendim edhe për përgjysmimin e pushimit të deputetëve, me qëllim të procedimit të sa më shumë projektligjeve për shqyrtim dhe miratim. Shefi i GP të AAK-së, Ardian Gjini ka thënë se një vendim i tillë është marrë me koncensusin e të gjitha grupeve parlamentare.
“Po ashtu, kemi marrë vendim që të përgjysmohet koha e pushimit të Kuvendit të Kosovës, në mënyrë që të mund të procedojmë sa më shumë projektligje dhe kjo është bërë me konsensus të të gjitha grupeve politike”, ka thënë Gjini.
Për dallim prej viteve të tjera, ku ligjvënësit kishin një muaj e më shumë pushim, sivjet do t’i kenë vetëm 19 ditë, përkatësisht duke nisur nga 1 deri më 19 gusht, përderisa sesioni vjeshtor do të fillojë më 22 gusht.