Pacolli: Topi është në anën e Serbisë

Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thënë se dërgimi i njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri ka për qëllim vendosjen e rendit dhe ligjit në atë pjesë të vendit tonë, ndërsa çdo tentativë për t’i dhënë kah tjetër këtij aksioni nga kushdo është e papranueshme.
Ai këto komente i bëri të martën gjatë një vizite në Gjakovë, me ç’rast ka komentuar zhvillimet e fundit pas vendimit të kryeministrit Hashim Thaçi për dërgimin e njësive speciale në pikën 1 dhe 31 në veri të Kosovës, të cilat që një kohë ndodhen jashtë kontrollit të autoriteteve të vendit tonë.
“Dërgimi i forcave speciale të policisë së Kosovës në veri ka vetëm një qëllim, që të vendos rendin dhe ligjin në atë pjesë të Kosovës, t’u sigurojë qytetarëve atje, pa dallim, një jetë të qetë dhe pa brenga, dhe të implementojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e masës së reciprocitetit me shtetin serb. Prandaj çdo tentativë për t’i dhënë kah tjetër këtij aksioni nga kushdo është e paakceptueshme”, ka thënë Pacolli.
Për më tepër, numri dy i Qeverisë së Kosovës ka theksuar se heqja e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë do të ndodhë vetëm kur Beogradi zyrtar të heqë bllokadën ndaj mallrave kosovare.
“Topi është në anën e Serbisë. Në momentin që ata heqin bllokadën të cilën e kanë zbatuar që nga viti 2008, atëherë të njëjtën gjë do ta bëjmë edhe ne. Veprimet tona janë konform Kushtetutës së Kosovës”, ka thënë Pacolli.