Ligji, përplasje brenda maxhorancës
Kuvendi nuk e ka përfshirë në rendin e sotëm të ditës miratimin e ligjit pasi është miratuar në komisione.
Mosha e dëmshpërblimit, shtyhet sërish ligji për të përndjekurit.
Parlamenti ka shtyrë dje sërish miratimin e projektligjit për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politik. Edhe pse kaloi një javë, në axhendën e Kuvendit që do të diskutohet sot, nuk është përfshirë nisma që do të mundësojë dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë. Në variantin e ardhur nga qeveria ishte parashikuar që personat që kanë mbushur 85 vjeç, e marrin dëmshpërblimin me përparësi me dy këste. Por, sipas mendimit të dhënë nga anëtarët e Partisë Demokratike në Komisionin e Ligjeve javën e shkuar, dëmshpërblimi do të lëvrohej me dy këste dhe për gratë mosha e përcaktuar është 70 vjeç, ndërsa për meshkujt 75 vjeç. Ulja e moshës me 10 vite nga vetë anëtarët e maxhorancës në Komisionin e Ligjeve dhe ndryshimi i planit duke rrëzuar draftin e qeverisë, është shoqëruar dhe me një analizë tjetër të faturës financiare, që do të duhet të paguajë Ministria e Financave.
Reagimet e opozitës
Shtyrja e projektligjit ka ngjallur reagimin e Partisë Socialiste. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Sajmir Tahiri, e quajti tallje të vazhdueshme që i bën maxhoranca dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë. Tahiri theksoi se qeveria po gënjen këtë shtresë se do ti dëmshpërblejë për 20 vite. Fakti që ky projektligj nuk futet në seancë, është shenja më e qartë e talljes së sotme dhe 20-vjeçare të Sali Berishës me të përndjekurit e kohës së komunizmit. Ne ndahemi qartësisht nga qeveria për sa i përket kësaj çështjeje, duke mos e parë si një çështje elektorale, por si një mundësi apo borxhin historik të shoqërisë për të vendosur drejtësi sociale, veçanërisht për këtë grup që ka vuajtur më shumë se të gjithë ne pasojat e komunizmit. Qeveria ofron si mundësi të saj dëmshpërblimin e atyre pak njerëzve që kanë mbushur moshën 85 vjeç, theksoi Tahiri. Opozita shkoi më tej në akuza, teksa e ka cilësuar Kryeministrin Berisha si një komunist, që vazhdon të persekutojë viktimat e regjimit. Mashtrimi i ish-të dënuarve politikë sipas Tahirit vazhdon prej 20 vitesh dhe në asnjë rast nuk do të konkretizohet. Për nënkryetarin e Grupit të PS-së, kjo gjendje do të ndryshojë me programin e PS-së për një Rilindje Shqiptare. Kjo qeveri dhe ky kryeministër nuk ka më asnjë mundësi, që të vazhdojnë talljen ciklike me të përndjekurit. Alternativa e vetme është rilindja shoqërore, si mundësi për të rivendosur drejtësinë sociale dhe për të shpërblyer borxhin moral që kemi ndaj të përndjekurve. Një komunist si Sali Berisha, sigurisht që tani me këto mënyra vazhdon përndjekjen politike ndaj ish-të përndjekurve të komunizmit. Këta të përndjekur që nuk e kanë mbushur moshën 85 vjeç, kanë 20 vjet që kur kanë qenë 65 vjeç që dëgjojnë Sali Berishën që u thotë do ju dëmshpërblejmë sot, nesër, e me radhë, dëgjojnë premtimet e Sali Berishës për dëmshpërblim të menjëhershëm. Ndoshta po aq kohë sa ka kaluar në burg duke vuajtur pasojat e regjimit komunist, e ka kaluar dhe tani në demokraci, duke vuajtur mashtrimet e Sali Berishës. Një komunist nuk mund të dëmshpërblejë viktimat e veta, theksoi nënkryetari i Grupit të PS-së.
Tahiri: Tallje ciklike me ish-të dënuarit
Nënkryetari i Grupit të PS-së, Sajmir Tahiri, deklaroi dje se shtyrja e dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë është një gjest në vazhdën e talljeve që qeveria bën për këtë shtresë. Në akuzat e tij, Tahiri e quajti Kryeministrin Berisha si një komunist, që nuk mund të dëmshpërblejë viktimat e tij. Kjo qeveri dhe ky Kryeministër nuk ka më asnjë mundësi që të vazhdojnë talljen ciklike me të përndjekurit. Alternativa e vetme është rilindja shoqërore si mundësi për të rivendosur drejtësinë sociale dhe për të shpërblyer borxhin moral që kemi ndaj të përndjekurve. Një komunist si Sali Berisha sigurisht që tani me këto mënyra vazhdon përndjekjen politike ndaj ish-të përndjekurve të komunizmit, tha Tahiri.
Shehu: Drafti të konsultohet me Financat
Anëtari i Komisionit të Ligjeve, Tritan Shehu, tha dje, në një prononcim për gazetën Panorama, se drafti i ndryshuar nga ky Komision ka nevojë të rikthehet në Ministrinë e Financave për të përcaktuar faturën financiare. Unë mendoj se çdo ndryshim në ligj, i cili lidhet me fatura financiare, duhet të analizohet me Ministrinë e Financave, dhe me ekzekutivin. Në qoftë se komisionet parlamentare kanë një mendim i cili del jashtë hapësirës financiare të pasur në variantin e parë, pa dyshim që kjo duhet të shqyrtohet nga institucionet që merren me faturat financiare. Kjo është krejt normale, tha Shehu.
Parlamenti miraton rezolutën AKEP
Parlamenti pritet të miratojë sot rezolutën për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2011. Në axhëndën e Parlamentit është parashikuar miratimi i marrëveshjes për Aderimin e Republikës së Shqipërisë në Konventën Ndërkombëtare për sistemin e harmonizuar të kodifikimit dhe përshkrimit të mallrave dhe ratifikimi i marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe qeverisë së shtetit të Katarit për shërbimet ajrore. Po ashtu pritet të miratohet dhe një ndryshim në ligjin Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat. Seanca mund të shoqërohet me debate të ashpra gjatë 60-minutëshit të lirë, ku opozita do të debatojë lidhur me kriminalitetin dhe situatën ekonomike.
Ndryshimet në ligjin e të përndjekurve
Në nenin 12 shtohet paragrafi
Përjashtimisht nga rregullat e përcaktuara në paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni, ish-të dënuarve politikë të mbetur gjallë me moshë burrat mbi 75 vjeç dhe gratë mbi 70 vjeç, u shpërndahet dëmshpërblimi në dy këste.Neni 7
Ministria e Financave, sipas buxhetit të vënë në dispozicion, shpërndan pjesën e mbetur të vlerës së plotë të dëmshpërblimit për ish-të dënuarit politikë të mbetur gjallë, me moshë mbi 75 vjeç për burrat dhe mbi 70 vjeç për gratë, të cilët kanë përfituar një pjesë të dëmshpërblimit, sipas mekanizmit të parashikuar në paragrafin e tretë të nenit 12 të këtij ligji.
Shpërndarja e këstit të parë proporcional të dëmshpërblimit bëhet brenda një viti nga hyrja në fuqi e këtij ligji për ish-të dënuarit politikë, që kanë mbushur moshën 75 vjeç burrat dhe 70 vjeç gratë ose nga dita kur ish-i dënuari politik mbush moshën 75 vjeç për burrat dhe 70 vjeç për gratë.
Për ish-të dënuarit politikë të mbetur gjallë, me moshë mbi 75 vjeç për burrat dhe 70 vjeç për gratë, të cilëve deri në çastin e hyrjes në fuqi të këtij ligji nuk u është miratuar dëmshpërblimi me vendim të Këshillit të Ministrave, shpërndarja e këstit të parë bëhet brenda tre muajve nga çasti i miratimit të dëmshpërblimit. Pagesa për këstin e dytë bëhet brenda një viti nga çasti i përfitimit të këstit të parë.
FATION BINJKAU