E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, letër Berishës

Nga protesta e te perndjekurve per demshperblimet

Një grup prej 25 ish-të përndjekurish i shkruajnë letër Berishës për dëmshpërblimet.

Peticioni, nga selia e PS. Gjergj Ndreca: Skam firmosur.

Një grup prej 25 ish-të përndjekurish politikë, përmes një letre drejtuar Kryeministrit Berisha, kërkojnë zbatimin e propozimeve të PS për dëmshpërblimin e tyre. Ne ju bëjmë thirrje ta rishikoni propozimin e Partisë Socialiste për zgjerimin e bazës së përfituesve, duke e ulur moshën e atyre që dëmshpërblehen menjëherë në 70 vjet për gratë dhe 75 për burrat. Kjo masë sigurisht nuk mjafton për të përmbushur detyrimin që ka në radhë të parë qeveria, por edhe shoqëria shqiptare, ndaj shtresës sonë, thuhet në letrën e ish-të përndjekurve politikë. Në letrën e shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit e Partisë Socialiste, thuhet Nga një grup ish-të përndjekurish (përfshirë edhe anëtarë nga grupi i punës /edhe këta ish-të përndjekur/ për Programin e PS për kapitullin te ish-të përndjekurit). Por një nga personazhet më mediatikë të javëve të fundit nga ish-të përndjekurit dhe të burgosurit politikë, Gjergj Ndreca, u shpreh i habitur kur pa emrin e tij në listën e publikuar nga PS për këtë letër. I kontaktuar në telefon, Ndreca tha se nuk ka dhënë asnjë firmë. Nuk kam firmosur ndonjë letër për tia dërguar Kryeministrit, as unë as dhe dy miqtë e mi, me të cilët kalojmë shumë orë bashkë, Perikli Spiro Shqevi dhe Xhemal Shuri, madje as më ka vënë në dijeni njeri që do dërgojmë letër dhe do përfshihem dhe unë në këtë listë. Unë realisht kërkoj nga qeveria që të shihet me përparësi dëmshpërblimi sa më real dhe objektiv për ish-të përndjekurit dhe ish-të burgosurit e komunizmit, por nuk dua dhe sdo lejoj që të më përdorin politikisht partitë politike,  u shpreh Ndreca. Në letrën e tyre drejtuar Kryeministrit, ish-të përndjekurit shprehen se trajtimi i tyre në moshën 70 vjeç për gratë dhe 75 për burrat do ti vinte në ndihmë një pjesë të konsiderueshme ish-vuajtësish. Në kushtet kur qeveria nuk e ka një paketë gjithëpërfshirëse masash për trajtimin e të gjitha problematikave që lidhen me shtresën tonë, pranimi nga ana juaj i propozimit të Partisë Socialiste do të lehtësonte një numër jo të parëndësishëm të përndjekurish. E mbase do tju lehtësonte sadopak dhe ju vetë nga përgjegjësia e madhe që keni në raport me ta, për gjithë këto vite premtimesh boshe e zhgënjimesh dëshpëruese në familjet tona, shprehen ata në letrën e tyre.

Letra e Hapur
Nga një grup ish-të përndjekurish (përfshirë edhe anëtarë nga grupi i punës /edhe këta ish-të përndjekur/ për Programin e PS për kapitullin te ish të përndjekurit )

Zoti Kryeministër,
I kemi ndjekur me shqetësim diskutimet në lidhje me ligjin për dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, që u miratua në Komisionin e Ligjeve javën e shkuar, në një variant të arsyeshëm të propozuar nga Partia Socialiste.
Kishim shpresuar, edhe pse me rezervë, në një angazhim serioz nga ana e qeverisë suaj për tu dhënë fund zvarritjeve në këtë drejtim. Por mbetemi të revoltuar me mënyrën se si u argumentua nga ana juaj zmbrapsja e variantit të miratuar në Komisionin e Ligjeve.
Vendimi juaj për të dëmshpërblyer menjëherë vetëm ata të përndjekur që kanë mbushur tanimë 85 vjeç, është një përpjekje krejt e lexueshme për ti ikur përgjegjësisë që keni ndaj shtresës sonë.
Jo vetëm në Shqipëri, ku jetëgjatësia mesatare arrin 72 vjeç, por edhe në vendet më të përparuara të Europës e botës, vetëm një grusht njerëzish kanë fatin të kapin moshën 85-vjeçare. E ky numër i kufizuar reduktohet pastaj në gishtat e njërës dorë, kur bëhet fjalë për të përndjekurit shëndetshkatërruar nëpër burgjet e kampet e internimit të diktaturës komuniste. Për më tepër pastaj, zoti Kryeministër, qëllimi i dëmshpërblimit nuk mund të barazohet me qëllimin politik për të përfituar pushtet prej viteve të vuajtjeve e torturave të kësaj shtrese, duke thënë tjetër gjë, e bërë një gjë krejt tjetër për të.

Plot 45 vjet burgosje, internime e pushkatime nën regjimin kriminal të Enver Hoxhës dhe 22 vjet të tjera braktisje e nëpërkëmbje nën qeveri që me ne janë sjellë si të ishin regjime shurdhërie, përbëjnë bilancin dëshpërues të shtresës sonë sot. Ky bilanc e mbulon me turp çdo forcë qeverisëse, që gjatë kësaj kohe – e cila për nga gjatësia është e barabartë me gjysmën e dekadave të komunizmit -, nuk ka arritur as ta shohë problemin tonë si një çështje drejtësie sociale dhe as të ketë për të përndjekurit një politikë dinjitoze përtej interesave të veta politike.

Ne ju bëjmë thirrje ta rishikoni propozimin e Partisë Socialiste për zgjerimin e bazës së përfituesve, duke e ulur moshën e atyre që dëmshpërblehen menjëherë në 70 vjet për gratë dhe 75 për burrat. Kjo masë sigurisht nuk mjafton për të përmbushur detyrimin që ka në radhë të parë qeveria, por edhe shoqëria shqiptare, ndaj shtresës sonë. Por, në kushtet kur qeveria nuk e ka një paketë gjithëpërfshirëse masash për trajtimin e të gjitha problematikave që lidhen me shtresën tonë, pranimi nga ana juaj i propozimit të Partisë Socialiste do të lehtësonte një numër jo të parëndësishëm të përndjekurish. E mbase do tju lehtësonte sadopak dhe ju vetë nga përgjegjësia e madhe që keni në raport me ta, për gjithë këto vite premtimesh boshe e zhgënjimesh dëshpëruese në familjet tona.

Firmetaret
Keti Bazhdari
Bilal Kola
Roland Ilia
Helidon Bele
Perikli Spiro Shqevi
Xhemal Shuri
Gjergj Ndreca
Xhafer Xhomo
Ylli Gjonçaj
Vangjeli Cufaj
Konstandin
Gjokdani
Petrit Muka
Gazmend Muka
Gjet Kadeli
Fatma Muda
Sadik Muzhaqi
Pëllumb Gega
Agjon Imeri
Mirela Brahimi
Fran Qafa
Agron Tale
Aisha Tota
Nest Margjokaj
Luigj Shllaku
Mëhill Gjinaj

Tryeza me ish-të burgosurit politikë
Programi, PS përfshin dhe ish-të përndjekurit
Partia Socialiste ka përfshirë ish-të përndjekurit dhe ish-të burgosurit politikë në programin e saj Një rilindje shqiptare. Në tryezën e organizuar për këtë kategori sociale, të zhvilluar në fillim të këtij muaji, e të drejtuar nga Keti Bazhdari, ish-e përndjekur politike, kryetare e grupit të punës, kreu socialist premtoi se do ti japë fund abuzimit 21-vjeçar. Kreu socialist, Edi Rama, akuzoi Partinë Demokratike dhe kryetarin e saj, Sali Berisha, për abuzime me ish-të përndjekurit politikë në 20 vite demokraci. Jemi këtu sot, pasi kemi marrë angazhimin tonë në kuadër të programit të Rilindjes Shqiptare, për ti dhënë fund hipokrizisë dhe abuzimit 21-vjeçar të të përndjekurve politikë, u shpreh Rama. Kryesocialisti nënvizoi se tryeza përbën edhe thyerjen publike të një akulli të mbetur gjatë mes PS-së dhe atyre që vuajtën nën lëkurë barbarinë e regjimit komunist. Sipas Ramës, kjo tryezë është një mundësi e mirë për tu ulur bashkërisht me ish-të përndjekurit me qëllim që të diskutohen piketat e së ardhmes. Për kreun socialist, vlerësimi i kësaj kategorie sociale ka qenë kërkesë e vazhdueshme që në 1991-shin, kur nisën ndryshimet demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›