Zbulohet prona e re e Damir Fazliç në Durrës
Hipoteka e Durrësit, saktëson se në emër të biznesmenit serbo-boshnjak Fazliç, i cili dyshohet për pastrim parash në Shqipëri, janë të regjistruara dy prona. Prokurorët: Po kërkojmë vendndodhjen.
TIRANE- Zbulohet në Durrës një tjetër pronë në emër të serbo-boshnjakut Damir Fazliç, i cili dyshohet për pastrim parash në Shqipëri. Lajmin e konfirmojnë burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, pas marrjes së një përgjigjeje zyrtare nga Hipoteka e Durrësit, ku saktësohet se në emër të Fazliç janë të regjistruara dy prona; njëra është bërë tashmë publike dhe bëhet fjalë konkretisht për një sipërfaqe të konsiderueshme toke në zonën e Porto-Romanos. “Hipoteka e Durrësit konfirmon zyrtarisht se në emër të Damir Fazliç janë të regjistruara dy prona. Në shkresën që ka mbërritur në prokurori janë të saktësuar numrat e regjistrimit të pronave”, - tha një burim zyrtar i organit të akuzës. I njëjti burim saktësoi më tej se me një tjetër shkresë i janë drejtuar sërish Hipotekës së Durrësit, që t’u japë informacion më të zgjeruar rreth pronave që rezultojnë në emër të Fazliç. “Kemi kërkuar të mësojmë vendndodhjen e këtyre pronave; nëse është truall, kërkojmë të dimë sipërfaqen”, - u shprehën burime zyrtare të Prokurorisë.
Pronat
Përveç një sipërfaqeje të madhe toke në zonën e Porto-Romanos, Damir Fazliç është pronar i një prone tjetër në qytetin bregdetar të Durrësit. Ky fakt është zbuluar pas përgjigjes zyrtare që Hipoteka e Durrësit i ka dërguar Prokurorisë së Tiranës, e konkretisht në seksionin Task-Force, që po zhvillon hetimet ndaj biznesmenit serbo-boshnjak. Në duart e hetuesve ndodhen tashmë numrat e regjistrimit të pronave të Fazliç në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Biznesmeni serbo-boshnjak që po hetohet për pastrim parash, nuk mund t’i tjetërsojë këto prona, pasi prokuroria ka urdhëruar “ngrirjen” e tyre në Hipotekë. “Kemi kërkuar të na saktësohet vendndodhja e pronave, sipërfaqja e tyre, koha kur janë regjistruar në emër të Damir Fazliç”, - tha një zyrtar i prokurorisë. Deri më tani është zbuluar se Fazliç është pronar i një sipërfaqeje toke në Porto- Romano, pikërisht në vendin ku pritet të ngrihet parku energjetik. Organi i akuzës ka urdhëruar sekuestrimin e pasurive dhe pronave të biznesmenit, derisa të përfundojë hetimet ndaj tij. Vendimi i prokurorisë është cilësuar nga biznesmeni si i padrejtë dhe për pasojë, nëpërmjet avokatit të tij shqiptar i është drejtuar gjykatës me një padi civile ndaj prokurorisë, ku kërkon heqjen e sekuestros mbi tetë kompanitë që rezultojnë në emër të tij.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)