E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zihen për lojën, plumb kokës 37-vjeçarit në bilardo

26/01/2010  Viktima Artan Elezi, vetëdorëzohet autori Skerdilajd Sala. Ngjarja në mesnatë, disa dëshmitarë
FUSHE-KRUJE - Ka mjaftuar një plumb në kokë për t’i marrë jetën 37-vjeçarit nga Fushë-Kruja, shtetasit Artan Elezi. Sherri që më pas ka degjeneruar në krim ka lindur në orët e mesnatës për t’u mbyllur me shkrehje arme në bilardo. Ende nuk dihen shkaqet që shtynë të akuzuarin nga policia, Skerdilajd Sala, për të vënë në përdorim armën, por thuhet se gjithçka ka nisur pas humbjes së parave gjatë lojës.
Vrasja
Vrasja ka ndodhur në një bilardo në qendër të Fushë-Krujës pronë e shtetasit me inicialet H. M., i cli thuhet se nuk ka qenë në lokal në çastet e krimit. Elezi, sipas burimeve nga policia e Fushë-Krujës, ka hyrë në bilardo rreth orës 17.30 të mbrëmjes dhe duke qenë frekuentues i rregullt ka vijuar të qëndrojë e të luajë si në rastet e tjera. Rreth orës 01.20 të së hënës 37-vjeçari Artan Elezi nga Fushë-Kruja është qëlluar me armë pistolete në një distancë shumë të afërt. Personi i plagosur është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë, por mësohet se ai ka vdekur para se mjekët ta fusin në sallën e operimit për t’i hequr plumbin dhe për t’i ndaluar hemorragjinë. I dyshuari kryesor për policinë është 30-vjeçari Skerdilajd Sala edhe ai nga Fushë-Kruja, i cili pas ngjarjes së rëndë ka lënë bilardon dhe është strehuar për disa orë në një banesë në qytet. Nga hetimet paraprake mendohet se vrasja ka ndodhur për motive banale të pasuara nga humbja e njëpasnjëshme e disa lojëve nga ana e autorit të krimit. Si autori i dyshuar për vrasje edhe viktima ishin persona që e njihnin njëri-tjetrin madje luanin së bashku prej kohësh. Në çastet e krimit në bilardo ka pasur fare pak persona, emrat e të cilëve nuk janë bërë publik për qëllime hetimi, ndërsa ata janë marrë në pyetje për të zbardhur të vërtetën. I kërkuari nga policia, 30-vjeçari Sala është vetëdorëzuar para uniformave të policisë. Kanë qenë të afërm të të akuzuarit që e kanë shtyrë atë të bindet për t’u vetëdorëzuar si dhe për të dëshmuar ngjarjen, e cila vijon të mbesë ende e paqartë. Sipas disa pohimeve, palët në konflikt pasi janë grindur e sharë kanë qëlluar mbi njëri-tjetrin me stekë dhe më pas mbi shtetasin Artan Elezi është qëlluar me armë zjarri. Policia nuk ka thënë ende nëse së bashku me të dyshuarin është dorëzuar apo jo arma e krimit.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›