Ligji, taksë 10 për qind për përdorimin e truallit shtetëror
Bizneset që kanë në përdorim trojet shtetërore, duhet të paguajnë taksën për përdorimin e saj, ose mund ta privatizojnë atë. Projektligji i ri i Qeverisë, i mbërritur në Kuvend "Për taksën mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror", parashikon taksimin në 10 për qind për tokën që e kanë në përdorim. Në nenin 4 të këtij drafti theksohet se "taksa mbi të drejtën e përdorimit të truallit është taksë vjetore. Niveli i taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror është 10 për qind e vlerës së truallit në përdorim". Në draft është përcaktuar se për përllogaritjen e vlerës së truallit, në vite të ndryshme do të shërbejë harta përkatëse e vlerës së trojeve, e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave, në përputhje me dispozitat e ligjit "Për kthimin dhe kompensimin e pronave". Për vjeljen e taksës mbi të drejtën e përdorimit të të truallit shtetëror ngarkohen drejtoritë rajonale tatimore. Detyrimi për t'u paguar llogaritet duke shumëzuar nivelin e taksës me vlerën e truallit shtetëror në përdorim. "Detyrimi për pagesën e kësaj takse, në rast privatizimi nëpërmjet blerjes së truallit në përdorim, llogaritet proporcionalisht vetëm për periudhën e vitit gjatë të cilit është ushtruar e drejta e përdorimit të truallit shtetëror", thuhet në pikën 3 të nenit 5. Ky ligj do të zbatohet për trojet e paprivatizuara, të ndërtesave të privatizuara nga shtetasit me ligjin 7512, "Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit" (të shfuqizuar) Nr.7512, sipas gentplaneve në momentin e privatizimit të ndërtesave. Gjithashtu kjo nismë zbatohet dhe për trojet e paprivatizuara të ndërtesave të shitura nga ndërmarrjet shtetërore, përpara hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7512. Gjithashtu dhe për trojet e paprivatizuara, mbi të cilat është ndërtuar mbi bazën e lejeve të ndërtimit të lëshuar nga komitetet pluraliste të këshillave, në periudhën e funksionimit të tyre, sipas gentplaneve në kohën e lëshimit të lejes së ndërtimit. Ky ligj nuk i shtrin efektet, apo veprimet mbi trojet turistike, mbi objektet e mbi trojet e pranuara në procesin e legalizimit apo mbi troje shtetërore, të dhëna me qëllim investimin mbi to, të cilat rregullohen me ligje të tjera. Personat që paguajnë qiranë kanë të drejtën e blerjes së truallit në përdorim. Pagesa mund të bëhet me këste, por jo më shumë se 12 muaj. "Qiratë e papaguara para hyrjes në fuqi të këtij ligji, falen, në rastet kur individët që përfshihen në subjektet i nënshtrohen detyrimit për pagesën e taksës mbi të drejtën e përdorimit të truallit shtetëror, brenda 12 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji", thuhet në nenin 15. Pagesa e menjëhershme e shumës, brenda 30 ditëve nga këta individë bën të mundur që të përfitojnë ulje prej 20 për qind të vlerës dhe 20 për qind e vlerës së mbetur mund të paguhet me bono privatizimi. b.h