Mbrohen me ligj investimet e huaja
Erald Kapri
Investitorët e huaj do të kenë garanci juridike nga shteti për investimet e tyre. Këshilli i Ministrave diskutoi dje projektligjin për disa shtesa në ligjin "Për investimet e huaja", i cili vendos rregulla të reja për mbrojtjen ligjore të çdo investimi. Kryeministri Sali Berisha tha dje në mbledhjen e Qeverisë se projektligji i ri do të mbrojë investitorët nga abuzuesit ndërsa në anën tjetër do të shpronësojë me vlerë tregu pronarët. Në këtë mënyrë, sipas kryeministrit, përgjegjësia për problemet e pronësisë ndaj investitorëve do të jetë direkt e shtetit. Sipas kryeministrit, nëpërmjet ligjit do të garantohet ushtrimi i autoritetit shtetëror, pas çdo leje të dhënë, si dhe zbatimin e rregullave më të ndershme të shpronësimit. "Pretendime nga më absurdet, viktimizojnë në raste të caktuara investitorët. Njerëz që nuk kanë pasur asnjë pretendim pronësor, për toka apo parcela të caktuara, sapo marrin vesh se një investitor nis të investojë, ngërthen në veprime mafioze, hapin padi vetëm e vetëm që ta gjobisin, kërkojnë 50 mijë euro që të ndërpresin procesin. Këta njerëz duhet të merren me shtetin. T'ia kërkojnë këtë shtetit", tha Berisha. Kreu i qeverisë shtoi se pronarët e tokës do të përfitojnë shpronësim me vlerë tregu, por paralajmëroi se nëntoka është pasuri e shtetit dhe e publikut. "Në se kanë të drejtë, shteti do tu përgjigjet në çdo qindarkë, por në se hyjnë në procese të pandershme, do të marrin atë që meritojnë. është bërë e papranueshme. Jepet leja minerare dhe çdonjëri mendon se ka një minierë private. Pasuritë minerare janë pasuri publike, ujërat janë pasuri publike. Dikush vërtet mund të hapë një minierë në një pronë të dikujt, por ajo pronë duhet të shpronësohet, mbi bazën e rregullave që kemi, me çmimet që ekzistojnë në atë zonë, për pjesën e sipërfaqes që i bllokohet", tha kryeministri. Duke folur për pronarët e tokave në të cilat mund të jepen leje koncensionare, Berisha tha se toka u përket deri në themelet e shtëpisë, ndërsa poshtë saj është e publikut. "Nëntoka është e publikut, ujërat janë të publikut. Prona private është deri në themelin e shtëpisë, më tutje është e shtetit dhe e zotit, është e publikut. Kur e kanë blerë, e kanë blerë sipërfaqe për metër katror, kur tatohet ,tatohet për sipërfaqe në metër katror, mos të shpiken kode që nuk ekzistojnë",shtoi Berisha. Kreu i qeverisë shprehu besimin se ky ligj do të mirëpritet nga tregu, çka do të mundësojë ardhjen e më shumë investitorëve të cilët garantojnë me ligj investimet e tyre në Shqipëri.