E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ligjvënësit “ok” heqjes së makinave

14/10/2009  Komisioni i Ligjeve miraton projektin, shton listën e përfituesve të bonusit të transportit

Sula dhe Naço kundër së drejtës së parablerjes nga poseduesit përmes ankandit

Ligjvënësit në Komisionin parlamentar të Ligjeve votuan pro projektit të qeverisë që u heq makinat atyre dhe të gjithë zyrtarëve të tjerë në Republikën e Shqipërisë që i kanë mbajtur dhe përdorur deri më sot. Projekti ua lejon përdorimin vetëm një numri të ngushtë zyrtarësh, më të lartët, rreth 30, ndërkohë që të tjerëve u njeh të drejtën e blerjes me një çmim më të ulët përmes një ankandi. Sipas projektit, të gjitha automjetet e tepërta në dispozicion do të transferohen në Drejtorinë e Përgjithshme të Rezervave Materiale të Shtetit për t’u shitur në ankand (rreth 3500 të tilla), ku e drejta e parablerjes u takon poseduesve, që trajtohen me përfitim financiar. Kjo pikë është kundërshtuar nga dy anëtarë të maxhorancës, Dashnor Sula dhe Nasip Naço. “Të gjitha makinat që do dalin në rezervat e shtetit të jeni të sigurt se shitja që do të bëhet, për mendimin tim do të jetë një shitje fiktive dhe çmime të cilat do të jenë me të vërtetë problematike. Vërtet po u heqim makinat, por do t’i bëjmë pronar makinash”, - tha deputeti Sula, i cili votoi kundër këtij neni. Anëtari tjetër i komisionit, deputeti Eduard Halimi, nuk ishte i të njëjtit mendim me kolegun Sula. “Zëvendësministri apo drejtori i emergjencave civile mundet që të përfitojnë nga blerja e këtyre automjeteve, pra të kenë të drejtën e parablerjes. Nuk bëhet fjalë që këto 3500 mjete do t’i marrin përsëri 3500 zyrtarë, por bëhet fjalë që këto mjete do të mblidhen, do të shiten. Vetëm për 374 nga këto mjete do të kenë të drejtën e parablerjes nga këta zyrtarë, të cilët do të përdorin këto para, duke kujtuar që fondi i dhënë këtyre zyrtarëve nuk është fond fiks, është maksimumi që do të jetë 450 mijë lekë”, - tha ai. Komisioni i Ligjeve mori parasysh edhe ankesën e kryetarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, për përfshirjen në skemën e përfitimeve të bonuseve për transport edhe të anëtarëve të KQZ-së. Duke vlerësuar se statusi i anëtarit të KQZ-së ishte i njëjtë me atë të anëtarit të Gjykatës së Lartë, gjashtë anëtarët e KQZ-së do të përfitojnë të njëjtën masë, pra 35000 lekë në muaj. Komisioni nuk mori parasysh kërkesën e anëtarit Enkelejd Alibeaj për të përjashtuar nga përfitimi i shërbimit të transportit shtetëror kryetarin e Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe kryetarin e Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda. Gjithashtu ai rrëzoi edhe kërkesën e deputetit Dashnor Sula për përfshirjen në listën e ngushtë të atyre që do të përdorin makina edhe prokurorin e Krimeve të Rënda dhe prokurorin e Apelit të Krimeve të Rënda.

Kategoritë e përfituesve të makinave dhe atij financiar

Bonuse për zyrtarët nga 15 mijë deri 45 mijë lekë në muaj

Në kategorinë e parë përfshihen funksionarët më të lartë të shtetit dhe politikës, u caktohen automjet dhe shofer në dispozicion të përhershëm, shpenzimet e të cilëve përballohen nga buxheti i institucionit përkatës. Këta funksionarë, me përjashtim të Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit, nëse dëshirojnë t’i përdorin ato edhe për qëllime që nuk lidhen me funksionin që ushtrojnë (në ditë festash zyrtare, fundjavave, lejeve vjetore), duhet të derdhin në drejtoritë e përgjithshme të financave një shumë prej 50 000 lekësh në vit. Për çdo deputet masa e përfitimit financiar mujor do të miratohet me vendim të Kuvendit në bazë të distancës me zonën që ai përfaqëson, por ajo s’do të jetë më e lartë se 45000 lekë në muaj. Kategoria e tretë, ku përshihen funksionarë të nivelit drejtor i përgjithshëm, titullar institucioni, titullar i ndërmarrjeve publike, që nuk përfshihen në kategorinë e parë dhe në të dytën, do të marrin një përfitim financiar mujor që do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, por jo më shumë se 15000 lekë në muaj. Ata që përfitojnë financiarisht çdo muaj nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga shërbimi i transportit që ofrohet për administratën.

Kostoja përfshin bonuset që përfitojnë rreth 450 persona

Efekti financiar është 206 400 000 lekë në vit

Kostoja financiare për fitues sipas këtij projektligji është 38 222 lekë në nga 1 524 144 lekë në vit sa është aktualisht. Efekti financiar në total është 206 400 000 lekë në vit, ku përfitojnë 450 persona. Këtu përjashtohen përfituesit nga makinat në dispozicion të administratës qendrore dhe të varësisë, pasi ato do të përcaktohen me vendim të KM-së. Nga informacioni që disponon Ministria e Financave, numri i mjeteve në inventar vetëm për administratën e ministrive dhe të institucioneve qendrore është 374, ndërsa numri i shoferëve 280. Kostoja mesatare e këtij shërbimi për vitin 2008 ishte 137 710 lekë në muaj. Referuar informacionit jo gjithëpërfshirës, vërehet se numri i makinave në varësi të institucioneve rajonale është rreth 3000 makina, pa përfshirë makinat në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekominukacionit. Për këto makina mendohet se shpenzimet e vitit 2008 janë rreth 3.2 miliardë lekë, shifër e cila zë rreth 10 për qind të shpenzimeve operative dhe të mirëmbajtjes të planifikuar në buxhetin e vitit 2009. Ndërkohë kostoja e shpenzimeve të një makine në një muaj varion nga 80 000 lekë në muaj deri në 150 000 lekë në muaj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›