Zeqo: Dua fitore patjetër, por kujdes Shkumbinin!
Ashtu si të gjithë tifozët korçarë, edhe presidenti i Skënderbeut beson dhe pret vetëm fitore ndaj peqinasve
Skënderbeu Shkumbini (sot 18:00)
Nëse ka një njeri që sot e do fitoren më shumë se asnjëherë tjetër nga skuadra e tij dhe mezi e pret që kjo të ndodhë, ai është pa dyshim presidenti i Skënderbeut, Agim Zeqo, ai që po investon prej dy sezonesh te skuadra e qytetit të tij dhe që deri tani nuk ka shijuar aspak investimin, pasi të tijtë kanë arritur të grumbullojnë vetëm dy pikë në po kaq ndeshje të luajtura.
Në ndeshjen e javës së parë ndaj Tomorit, Zeqo ka dalë i pari nga stadiumi Skënderbeu me kokën e ulur dhe me mërzitjen që të sjell ndeshja e parë e një sezoni, duke mos marrë më shumë se një pikë. Bosi i korçarëve nuk ka munguar as na javën e dytë në kryeqytet ndaj bluve, ku edhe që nga tribuna e Qemal Stafës ka zbritur i mërzitur pas vërshëllimës së fundit, pasi përsëri të tijtë nuk morën më shumë se një pikë. Tashmë është ndeshja e tretë dhe presidenti korçar pret kthesën e të tijve, duke besuar shumë te një rezultat pozitiv.
Objektivi Bashkë me Zeqon priten të zbarkojnë edhe të gjithë biznesmenët e tjerë të Skënderbeut dhe prania e tyre do të jetë një shtysë më e madhe në fushën e lojës për të gjithë lojtarët që në fakt edhe vetë e kanë pranuar që investimin e donatorëve, të paktën në këto 180 minuta të para, nuk e kanë justifikuar aspak.
Presidenti Zeqo sot do të udhëtojë në orët e para të mëngjesit nga kryeqyteti në drejtim të Korçës, ndërkohë që dje, nëpërmjet telefonit, ka deklaruar se nuk pret gjë tjetër nga të tijtë, përveç fitores, madje bindëse, si me lojë, por edhe me rezultat. Unë them se kanë marrë fund të gjitha ditët e këqija për Skënderbeun dhe nesër (sot) ka mbërritur ora e fitores dhe, pavarësisht se është paksa e vonuar, më mirë vonë se kurrë, thotë një shprehje.
Dy pikë në dy javë pa diskutim që nuk e justifikojnë objektivin që kemi për këtë ligë superiore dhe unë e kam theksuar qysh në fillim se këtë sezon do ta kemi shumë herë më të vështirë se një vit më parë, pasi do të mbrojmë titullin, ndërkohë që vjet e fituam atë, ka thënë Zeqo.
Vlerësimi U kam thënë lojtarëve dhe stafit teknik që ta vlerësojnë në maksimum këtë ndeshje të kësaj të shtune dhe një e tillë besoj se do të ndodhë. E them këtë, pasi Shkumbini nuk është një skuadër si të tjerat, pasi ka një përvojë të madhe në ligën superiore dhe eksperienca bën të vetën. Ata janë më të qetë se ne, pasi edhe një pikë e kanë qar nëse e marrin në Korçë, ndërsa ne as barazimi s’na bën punë dhe kjo do të thotë që do të luajmë për tri pikë.
Kushdo mund ta shikojë me sy tjetër Shkumbinin dhe u duket skuadër e lehtë, por unë nuk jam dakord me këtë mendim. Ne, donatorët e Skënderbeut e kemi bërë më së miri punën tonë, ndërkohë që tani radhën e kanë futbollistët në fushën e lojës. Një fitore do të na kthente qetësinë, por një tripikësh do të na afronte edhe me kreun, pasi superliga sapo ka startuar.
Besoj se pas ndeshjes së nesërme (të sotme) do të jemi fitues dhe kjo fitore pa diskutim që pres të na sjellë më shumë qetësi, – mbyll prononcimin e tij të djeshëm presidenti Zeqo.
