E Diel, 1 Nëntor 2026

Lika: Teuta nuk kalon në eufori, shohim ndeshjet e tjera

Nga DORIAN AGOLLI

Trajneri Hasan Lika pohon se ekipi do të qëndrojë me këmbë në tokë, pasi ndeshje të tjera të vështira e presin

Kampionati është gjatë dhe ky është vetëm fillimi, ndaj duhet ti bëjmë hapat një e nga një dhe të përgatisim me shumë kujdes çdo ndeshje për të realizuar objektivin, që është minimumi dalja në Europë. Kështu shprehet trajneri i Teutës, Hasan Lika, i cili i shmanget euforisë. Pavarësisht se kemi mundur dy nga ekipet më të mira të kampionatit, do të vazhdojmë të jemi me këmbë në tokë.

Fituam një tjetër ndeshje të vështirë dhe kryesojmë me meritë, por ky është vetëm fillimi. Në pjesën e parë nuk u shprehëm siç duhej dhe kjo ndikoi që të viheshim në vështirësi nga kundërshtari. Në pjesën e dytë loja u përmirësua, një lojë të mirë realizoi veçanërisht Dosti, që u fut në lojë si zëvendësues dhe ndryshoi ritmin e takimit.

Djemtë besuan deri në fund dhe arritëm të dalim me sukses nga kjo ndeshje. Me kalimin e minutave krijuam raste, shtuam presionin dhe arritëm të shënojmë një gol, që na dha tri pikë të rëndësishme. Megjithatë, ne jemi me këmbë në tokë, sepse kemi rrugë të gjatë për të plotësuar synimet tona. Përshëndes lojtarët, por edhe tifozët, që na mbështetën kaq shumë në këtë ndeshje, pohon trajneri i Teutës.

Hyshmeri Trajneri Lika, në ndeshjen e kaluar me Tiranën është parë shpesh teksa udhëzonte vazhdimisht Hyshmerin, madje ndonjëherë bëhej nervoz prej tij, si pasojë e disa pasimeve të gabuara. Edhe në ndeshjen me Flamurtarin, Lika sërish e ka udhëzuar disa herë Hyshmerin e në fund ishte pikërisht ai që shënoi.

I pyetur për këtë, Lika thotë: Hyshmeri është një lojtar i mirë e mjaft i rëndësishëm për ekipin, por në ndeshjen me Tiranën kishte disa probleme me pasin dhe po kështu edhe në ndeshjen me Flamurtarin. I dhashë sërish udhëzime për probleme të tilla. Madje edhe në momentin e golit ai bëri të kundërtën e asaj që i thashë unë, por të paktën këtë herë bëri mirë që veproi me kokën e tij, – tregon Lika për Hyshmerin.

Rivalët Ndeshjen e ardhshme durrsakët do të udhëtojnë në Shkodër, por më parë kanë ndeshjen e kupës dhe për Likën Vllaznia është një tjetër kundërshtar po kaq i fortë sa çdo ekip tjetër. Në fillim na duhet të kalojmë me sukses ndeshjen e kupës dhe të fitojmë që në ndeshjen e parë në Kukës.

Më pas na duhet të punojmë me intensitet për të përgatitur një ndeshje tjetër po kaq të vështirë sa dy të parat, ndeshjen kundër Vllaznisë. Ekipi shkon në Shkodër psikologjikisht mjaft mirë pas dy fitoreve të para, por duhet të mos jemi euforikë dhe të jemi me këmbë në tokë. Vllaznia është një kundërshtar shumë i vështirë dhe ne duhet të ruajmë vazhdimësinë pozitive, ndaj ndeshja do të jetë e fortë, por shpresojmë në një rezultat pozitiv, thotë në fund trajneri i Teutës, Hasan Lika.

 

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›