Nica: Apolonia duhet të largojë tabunë në transfertë
Bardhejeshilët kanë fituar me Dinamon në Fier dhe kanë humbur me Shkumbinin në Peqin, maksimalen e pikëve në ndeshjen në shtëpinë e vet dhe duarbosh në transfertë. Është një refren i njohur ky, pasi edhe sezone të kaluara, ky ka qenë problemi i skuadrës. Nuk është fundi i botës një humbje me Shkumbinin, por problemi qëndron te loja. Ekipi ka tendencën e shthurjes kur pëson gol dhe e ka të vështirë të reagojë pozitivisht.
Trajneri Nica ka qenë i pakënaqur me performancën e skuadrës në fushë dhe ka folur me tone të ashpra në dhomat e zhveshjes pas ndeshjes, pasi nuk është se Shkumbini ka qenë një superskuadër që nuk mund të përballohej. Ndeshjet në transfertë janë të vështira, pasi asnjë skuadër nuk do që të lëshojë në fushën e vet dhe kërkon maksimumin, por unë jam i shqetësuar për faktin se duhet të kishim qenë më kërkues dhe më të përqendruar.
Jemi goditur me dy gola, njëri në fund të pjesës së parë dhe tjetri në fillim të pjesës së dytë. Reagimi ynë ka qenë jo në nivelin e duhur. Skuadra u dekurajua pas këtij rezultati dhe nuk mundi ti përgjigjej ritmit të lojës. Disa përpjekje sporadike kanë qenë të pamjaftueshme për të ndryshuar rrjedhën e lojës dhe për të rihapur ndeshjen.
Nga ky takim duhet të nxjerrim mësime të vlefshme për të ardhmen, në mënyrë që ekipi të jetë më dinjitoz dhe të përballojë më me sukses kundërshtarin. Nuk duhet parë kaq errët situata, megjithatë, duhet të reagojmë shpejt dhe ta shprehim këtë reflektim qysh në ndeshjen e radhës, – ka thënë midis të tjerave trajneri i Apolonisë, Stavri Nica.
