E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lila: Futbollistët e Besës luftojnë në dy fronte

Ka mbetur i vetmi kavajas në formacionin e Besës, 20-vjecari i ekipit tonë Shpresa, Andi Lila. Mbrojtësi më i ri i Besës ka objektivat e tij me Besën, Shpresën, ndoshta edhe për më tej. Po cfarë mendon Lila për Besën e këtij sezoni? A është ajo më e fortë se vitin e kaluar apo jo? Po për ambiciet e tij personale me Shpresën, pse jo edhe ekipin kombëtar, cfarë mendon? Për këto dhe të tjera, ja intervista e tij për "Sportin shqiptar":
- Lila, ju vjen keq, që keni mbetur i vetmi kavajas në formacionin e Besës?
- Unë e di që tifozeria kavajase do të dëshironte të kishte djemtë e saj në fushë. Pas viteve '90, jo vetëm te Besa, por kudo gjen futbollistë "jabanxhinj", të cilët djersijnë për ngjyrat e ekipeve të tyre. Edhe Elbasani, që u shpall kampion, kishte në formacion vetëm tre elbasanas dhe futbollistët kryesorë ishin tiranas, shkodranë apo nga qytete të tjera. Pra, në futbollin profesionist nuk ka më futbollistë vendas dhe "jabanxhinj". Secili ka një kontratë dhe kërkon ta zbatojë atë sa më mirë. Sigurisht që nuk ndjehem edhe aq mirë, kur shoh se mungojnë futbollistët kavajas.
- Si e vlerësoni situatën aktuale në kampin verdhezi?
- Situata është e mirë. Po vazhdojmë të stërvitemi për të arritur më të mirën. Të gjithë mundohen të përfitojnë sa më shumë në këtë periudhë. Trajnerët Lika, Daiu dhe Arkaxhiu, nuk na tolerojnë për asnjë cast, dhe të them të drejtën, na e kanë marrë "shpirtin". Megjithatë, kjo lloj "diktature" shkon në interesin tonë.
- Shumë nga futbollistët e Besës janë thirrur në ekipin Shpresa, por edhe atë kombëtar. Sa ndikon kjo në stërvitjen tuaj?
- Këtë fakt e shoh si "kycin" e suksesit tonë. Te Besa kanë ardhur futbollistë, të cilët janë të detyruar të impenjohen në dy fronte. Së pari, për Besën kampione. Së dyti, në aspektin personal. Në këtë mënyrë, secili kërkon të japë maksimumin në stërvitje, për t'i shërbyer vetvetes. Nga ana tjetër, thirrja në ekipin Shpresa apo atë kombëtar, është një motiv më shumë në aspektin moral dhe profesional për të dhënë gjithnjë maksimumin. Besoj se këtë sezon te Besa janë ndërthurur mjaft bukur elementë, të cilët suksesin e skuadrës e shohin njëkohësisht si arritje në karrierën e tyre. Kjo nxit padyshim "xhelozinë" e futbollistëve të tjerë, për të qenë edhe ata të zgjedhur në ekipet kombëtare.
- Sa të realizueshëm e shihni objektivin tuaj, që është titulli kampion?
- E pranoj që objektivi i mjaft ekipeve është titulli kampion. Po ashtu, pa modesti, them se Besa është ekipi më i kompletuar i superligës. Me mërkaton që ka zhvilluar presidenti Bizhdili, ekipi ynë i ka forcuar të tre repartet. Ardhja e Mustafës, Osmanit, Belishës dhe sulmuesve të huaj, e kanë kompletuar Besën. Tashmë te Besa, për të zënë një vend në formacion, nuk do të jetë e lehtë.
- Po vetë Andi Lila, ku kërkon të arrijë këtë vit?
- Për momentin, objektivi i parë mbetet fitimi i titullit me Besën, ndërkohë që unë jam lojtar i ekipit Shpresa. Shpresoj që një ditë të arrij edhe ekipin kombëtar. Nga ana tjetër, do të punoj që ndoshta, sezonin tjetër të jem në një klub jashtë Shqipërisë.
Feriz Ferizaj
Sporti Shqiptar

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›