Federata, gati rregullorja për anti dopingun
FSHF bën gati rregulloret për anti dopingun. Institucioni i futbollit shqiptar, një ditë pas miratimit nga ana e qeverisë të amendamentit anti doping, ka filluar punën që edhe në rregulloret e saj të figurojë cdo sanksion, i cili ka të bëjë me përdorimin e substancave të jashtëligjshme. Dje në FSHF, nga ana e sekretarit Mici, i cili merret vetë me rishikimin e rregulloreve të aktivitetit, është konfirmuar për median, se amendamenti anti doping që u miratua nga qeveria, do të futet në regulloret e aktivitetit të federatës. Sipas sekretarit Roland Mici, as që diskutohet që ky amendament është i vlefshëm për futbollin shqiptar dhe që nuk do të anashkalohet nga federata. "I gjithë amendamenti do të përfshihet në rregulloret e aktivitetit të futbollit. Mendoj se kjo rregullore e re që ndalon përdorimin e substancave të paligjshme në sport, është e vlefshme edhe për federatën tonë. Jam interesuar dhe mendoj se ky amendament nuk do të mbetet vetëm në letër. Edhe pse është pak shtrenjtë një analizë, FSHF mund të zhvillojë një kontroll në kampioanatin shqiptar të futbollit gjatë një sezoni. Por kjo gjë ndoshta, i përket të ardhmes," është shprehur Mici.
Duket se rregulloret për një sport të pastër dhe pa doping, tashmë janë realitet në sportin tonë. Të shpresojmë që amendamenti të mos mbesë vecse në letër, por federatat të bëjnë të pamundurën për të zhvilluar kontrolle periodike dhe për të parë nëse me të vërtetë sporti ynë është i pastër apo jo.
Olsi Avidiaj
Sporti Shqiptar