E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ciko: Gjithçka po ecën sipas parashikimeve

Kushtet e favorshme që ka gjetur në qytetin e Ersekës, po e ndihmojnë stafin e ekipit gjirokastrit të kryejë një stërvitje të mirë, niveli i së cilës po ngrihet nga dita në ditë. Zëvendëstrajneri i Luftëtarit, Kristaq Ciko, thotë për "Sportin shqiptar" se nga testimet e kryera deri tani, rezultatet kanë qenë të kënaqshme. "Duke parë gjendjen e skuadrës, jemi bërë edhe më optimistë. Po mundohemi të jemi tepër të kujdesshëm në seleksionimin e futbollistëve, por për të gjithë ata lojtarë që kemi në dispozicion, mund ta them me bindje se do të mbeten tek ekipi i Luftëtarit. Gjatë gjithë kësaj kohe ata kanë treguar një nivel të lartë, pasi cdo gjë këtu në qytetin e Ersekës po funksionon mirë. Gjej rastin të falënderoj edhe sekretarin e klubit kolonjar, Ilir Qirjakon, për mbështetjen e madhe që na ka dhënë, duke na vënë në dispozicion gjithë bazën materiale, si dhe fushën e stadiumit për ndeshjet e kontrollit. Ky grumbullim ishte tepër i domosdoshëm për Luftëtarin dhe besoj se do të na vlejë shumë, sepse klima në Ersekë është mjaft e freskët dhe ambientet sportive janë gjithashtu të mira. Kemi punuar edhe në një palestër force, duke zbatuar kështu me përpikmëri programin stërvitor," - është shprehur numri 2 i stolit gjirokastrit.
Sipas tij, java e dytë e stërvitjes në Ersekë, do të jetë tepër e ngjeshur, sepse do të shoqërohet edhe me disa ndeshje miqësore. Kundërshtarë të Luftëtarit pritet të jenë Gramozi vendës, apo dhe skuadrat që aktualisht po e kryejnë fazën përgatitore në Pogradec dhe Korcë. "Me anë të ndeshjeve miqësore që do të zhvillojmë, do të kemi mundësi të provojmë mjaft futbollistë, për të përzgjedhur në fund më të mirët. Do të vlerësoja nivelin e lartë të Novit, Kacit, Mucos, Dibrës dhe Norës, i cili tashmë është lojtar i ekipit gjirokastrit, portierin Toci, por duke mos përjashtuar dhe lojtarët e tjerë. Ardhja e shkodranit Dibra e ka forcuar mjaft repartin e mbrojtjes, ndërkohë që jemi në pritje të dy tre lojtarëve të tjerë të dalluar në kampionatin shqiptar gjatë sezonit të kaluar. Sidoqoftë, gjithcka po ecën normalisht dhe më kryesorja është se të gjithë lojtarët gëzojnë një formë të mirë, duke mos patur asnjë dëmtim," - përfundoi zëvendëstrajneri i Luftëtarit, Kristaq Ciko.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›