Çapja, një tjetër firmë për Elbasanin
Në ekipin kampion të Elbasnait kanë filluar të konkretizohen gjërat. Pas portierit Elvis Kotorri, i cili tashmë ka firmosur për Elbasanin, madje është graduar kapiteni i tij, i ka ardhur radha mesfushorit Hetlem Capja. Mesfushori që ka luajtur si titullar me verdheblutë dy sezonet e fundit, ka firmosur dje pasdite një kontratë njëvjecare me ekipin e zemrës. Capja ka pësuar një dëmtim në pulpë dhe nuk mund të stërvitet me grupin, kështu që ka munguar edhe në miqësoren e djeshme, që Elbasani luajti me Flamurtarin në "Ruzhdi Bizhuta". Për "Sportin shqiptar", futbollisti në fjalë jep disa nga detajet e kontratës me ekipin kampion, ndërkohë që shpall edhe objektivat për sezonin e ri. "Në fakt, kam pasur disa oferta serioze nga skuadra të kampionatit tonë, por për këtë vit vendosa të qëndroj në Elbasan. Ky është ekipi im i zemrës, me të cilin do të luaj të paktën edhe një vit. Kontakte kam pasur edhe me drejtuesit e Dinamos, por me ta nuk ramë dakord përsa i përket anës fianciare. Dua të them se Elbasani ka një fanellë që peshon tashmë, pasi është skuadra kampione në fuqi. Sapo të jem gati, do të jap maksimumin," - është shprehur mesfushori Hetlem Capja. Ndërkohë, për të, gjendja në klubin verdheblu, është duke u përmirësuar. "Nga Elbasani janë larguar shumë futbollistë titullarë, por kjo nuk do të thotë se te ky ekip mungojnë elementët, që mund t'i zëvendësojnë ata. Unë dhe lojtarë të tjerë, nuk kemi qëndruar kot. Ne jemi të ndërgjegjshëm se edhe këtë sezon Elbasnai do të jetë një nga pretendentët për titull, pavarësisht se rivalët, që tani janë të shumtë, janë fuqizuar," - thekson mesfushori i verdhebluve. Më tej, Capja vlerëson faktin se tek Elbasani kanë ardhur shumë lojtarë të rinj për t'u provuar. Sipas tij, stafi teknik ka mundësi të përzgjedhë elementët vërtet cilësorë. Në fund, ai thotë se skuadra e tij do të bëjë c'është e mundur për ta ruajtur titullin kampion. "Objektvivi ynë kryesor këtë sezon do të jetë mbrojtja e titullit kampion. Mezi e presim sfidën e parë me Tiranën në "Ruzhdi Bizhuta", sepse duam ta nisim me fitore kampionatin. Ky do të jetë sinjali më i mirë për të tjerët, të cilët duhet ta kuptojnë se Elbasani mbetet sërish i fortë. Kam besim se presidenti Laze dhe ortakët e tij, do të vazhdojnë të investojnë fuqishëm për Elbasanin. Jo më kot drejtimin e ekipit e ka marrë një trajner me eksperiencë, sic është profesori maqedonas Iljevski. Me ekipin janë bashkuar gjithashtu Kacollja, Gentian Bylykbashi, Lamaj, Albrahimi dhe disa të tjerë. Mendoj se do të firmosin për Elbasanin edhe K.Dalipi e D.Bylykbashi, të cilët mendohet të përbëjnë edhe sulmin e ekipit kampion për sezonin e ri," - përfundoi Capja.
Fatmir Popja
Sporti Shqiptar