E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, SHBA: Të gjendet përgjegjësi

 

Zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Stjuart Xhons, thotë se Shtetet e Bashkuara mbështesin ngritjen e institucioneve të pavarura dhe institucioneve të Drejtësisë në Shqipëri. Xhons, i cili zhvilloi një vizitë dy ditore në Tiranë, i tha “Zërit të Amerikës” se Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm është shumë e rëndësishme dhe pavarësia e gjyqësorit një vlerë e rëndësishme për demokracinë.
Ju u takuat me Kryeministrin Berisha dhe kreun e opozitës Edi Rama. Besoj morët dy pamje të ndryshme se si po ecën vendi. Cilat çështje u ngritën në këto takime?
Nuk dëgjova pikëpamje të ndryshme se si po ecën vendi. Dëgjova pikëpamje shumë të ngjashme se si po ecën vendi. Dëgjova nga të dy, entuziazëm për reformat që janë kryer dhe entuziazëm real për anëtarësimin në NATO. Dëgjova prej tyre edhe pikëpamjet e tyre mbi rrugën e Shqipërisë përpara, e cila do të fokusohet tek rritja ekonomike dhe mbështetja për institucionet e pavarura.
Marrëdhëniet mes drejtësisë dhe politikës kanë qenë gjithmonë problem për Shqipërinë. Besoj jeni në dijeni të faktit që çështja është në qendër të debatit aktualisht, sidomos për shkak të përplasjeve mes qeverisë dhe prokurorisë, por edhe me përfaqësues të gjyqësorit në lidhje me një sërë ligjesh të hartuara nga qeveria. Ka pasur deklarata kritike nga ambasadorët e vendeve të BE-së dhe nga Ambasadori Uidhers mbi situatën. A është i shqetësuar mbi situatën Departamenti i Shtetit?
Shtetet e Bashkuara e mbështesin këtë proces zhvillimi në Shqipëri, ngritjen e institucioneve të pavarura, institucioneve të drejtësisë dhe të tjera, që do të sigurojnë rritje ekonomike dhe politike. Është një proces i natyrshëm zhvillimi. Fërkimet mes gjykatave dhe forcave politike lindin në çdo vend. Por Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin ngritjen e institucioneve të pavarura. Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm është shumë e rëndësishme. Pavarësia e gjyqësorit është një vlerë shumë e rëndësishme në një demokraci. Siç e thashë, ishte një vlerë që ma shprehën edhe zoti Berisha edhe zoti Rama. Këtë diskutim, në të cilin Shtetet e Bashkuara janë krenare që marrin pjesë, e shohim si një diskutim të natyrshëm, të rëndësishëm dhe që e çon Shqipërinë në drejtimin e duhur.
Besoj se jeni në dijeni që në mars të këtij viti, ndodhi një shpërthim në një fabrikë çmontimi municionesh, ku vdiqën 26 shqiptarë. Mbi këtë çështje ka një debat që vazhdon në Shqipëri. BE dhe Sh.B.A. kanë vënë në dukje që hetimet mbi çështjen duhet të çohen deri në fund. Sa do të ndikojë ecuria e hetimit në vlerësimin e Departamentit të Shtetit për Shqipërinë?
Është e qartë që Shtetet e Bashkuara e mbështesin hetimin. Është diçka që do të kryejë rrugën e vet. Të gjitha vendet kanë çështje si këto. E rëndësishmja është të hetohet, të njihet kush është përgjegjës, dhe të ndërmerren reformat e nevojshme për të shmangur incidente të tilla në të ardhmen. Marrëdhënia Shqipëri-SHBA nuk varen nga çështje individuale si kjo. Është një marrëdhënie shumë më e fortë. Por populli shqiptar duhet të dijë që Shtetet e Bashkuara do ta mbështesin Shqipërinë, ndërkohë që ajo kryen hetimin dhe e çon atë drejt përfundimit logjik.
Paralel me incidentin pati edhe një kontratë problematike për shitje municionesh nga Shqipëria në Afganistan, përmes një kontrate mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe një kompanie amerikane. U bë publike me anë të artikujve të Nju Jork Taims. Pati edhe një hetim të Kongresit që bëri akuza kundër Ambasadës Amerikane këtu në Tiranë. Departamenti i Shtetit tha se filloi hetimin e vet të brendshëm. Kanë përfunduar këto hetime dhe cilat janë përfundimet e tyre?
Faleminderit për mundësinë për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Më lejoni të jem i qartë: asnjë padi nuk është ngritur kundër ambasadës apo ndonjë personeli të saj. Nuk ka akuza penale dhe as pretendime për kundravajtje penale. Komiteti Uaksman po ndjek hetimin e tij për çështjen e shitjes së armëve dhe ndonjë përfshirje të mundshme në ambasadë. Ashtu si presim autoritetet shqiptare të ndjekin hetimin e incidentit të Gërdecit në përfundimin e vet logjik, po ashtu presim që Komiteti i Uaksman të bëjë të njëjtën gjë. Kur ai hetim të jetë kryer, dhe çfarëdo hetimi anësor lidhur me të, jam i bindur që përfundimi do të jetë se kjo Ambasadë, nga ambasadori tek i gjithë personeli, po kryenin pikërisht atë që duhet të bënin, të përfaqësonin në mënyrë të shkëlqyer ShBA dhe të ndërtonin marrëdhënien dypalëshe Shqipëri-ShBA në nivelin e shkëlqyer në të cilin ndodhen tani.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›