Prokuroria: Projektligj më vete në kuvend, s‘pranojmë draftin e Alibeajt
TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme tha dje se do të qëndrojë deri në fund në linjën e saj për frymën e draftit për ndryshime në ligjin aktual të këtij institucioni. Duke i konsideruar thuajse të ezauruara përpjekjet për negociata me Ministrinë e Drejtësisë, organi qendror i akuzës tha se do të paraqesë në Komisionin Parlamentar, një draft më vete nga ai i Ministrisë së Drejtësisë. “Katër pika të draftit të hartuar nga Ministria e Drejtësisë, janë të kundërshtuara dhe të pa pranueshme për prokurorinë. Duke qenë se nuk u arrit një marrëveshje me Ministrinë e Drejtësisë, për ndryshimet e këtyre katër dispozitave, kemi hartuar një draft më vete të cilin do ta paraqesim në Komisionin Parlamentar, që do të shqyrtojë këtë çështje”, thanë burimet zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme. Sipas tyre, një draft i tillë i prokurorisë i është bërë me dije edhe më parë Ministrisë së Drejtësisë, por kjo e fundit nuk e ka pranuar duke marrë në konsideratë vetëm draftin e hartuar prej saj. Në draftin e Ministrisë së Drejtësisë ndodhen katër pika që konsiderohen të pa pranueshme nga Prokuroria e Përgjithshme. Bëhet fjalë për dispozitat e kontrollit të Ministrit të Drejtësisë në Prokurori, me qëllim raportimin në parlament dy anëtarët e Ministrisë në Këshillin e Prokurorisë me të drejtë vote, nenin për shkarkimin e prokurorëve dhe moskthimin e tyre në punë në rast se fitojnë në gjykatë dhe heqjen e replikës së Prokurorit të Përgjithshëm me Ministrin e Drejtësisë pas raportimeve në Kuvend. Prokuroria tha se do të kërkojë edhe në Komisionin Parlamentar modifikimin e këtyre dispozitave. tr.so