PS-PD, ndajnë mes tyre KQZ-në
Aristir Lumezi
KQZ zgjidhet në parlament vetëm nga dy partitë e mëdha. Një komision me shtatë anëtarë dhe me votat e kuvendit, në të do të dominojë shumica parlamentare. Dy partitë kryesore kanë rrëzuar deklaratat e mëparshme të përfaqësuesve të saj në komisionin e reformës zgjedhore, për të administruar zgjedhjet me njerëz jashtë ndikimit politik. PS-PD janë rikthyer te kompozimi politik i KQZ-së, duke mos sjellë asnjë të re në Kodin e ri Zgjedhor, përveç zgjedhjes së anëtarit të tretë nga secili krah me pëlqimin e PS-së ose PD-së. Por ajo që ka monopolizuar të gjithë këtë proces, është përjashtimi i presidentit apo KLD-së për zgjedhjen e një prej anëtarëve të KQZ-së, që do të ishte një ekspert nga fusha e jurisprudencës. Në këtë mënyrë, edhe pesë juristë, anëtarët e KQZ-së, mandati i të cilëve shkurtohet nga 7 vjet në 4, do bekohen më parë nga partitë politike, anën e të cilave pritet të mbajnë në gjykimin e tyre. Edhe pse proceset zgjedhore të deritanishme kanë vuajtur nga vendimet e KQZ-së, pasi kanë bërë që shumë çështje të trajtoheshin më shumë politikisht sesa juridikisht, PS-PD edhe në këtë riformatim të këtij komisioni, kësaj radhe jo kushtetues, nuk ia hoqën vetes monopolin e kompozimit të tij.
Kompozimi
Numri 9 i anëtarëve, i përcaktuar në ndryshimin e parë të Kushtetutës për të favorizuar LSI-në dhe PDK-në, tani që KQZ-ja nuk është më organ kushtetues, kthehet sërish në 7. Duket se dy partitë kryesore janë bezdisur nga anëtari i LSI-së dhe i PDK-së në këtë komision, duke bërë të mundur eliminimin e tyre. Të shtatë anëtarët do të zgjidhen vetëm nga parlamenti dhe presidenti apo Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nuk do ta kenë më këtë kompetencë në Kodin e ri. Mandati i KQZ-së, ulet nga 7 në 4 vjet, në mënyrë që të përkojë gjithmonë me mandatin e parlamentit, duke garantuar kështu balancën politike në KQZ. Kryetari i KQZ-së zgjidhet në parlament me një procedurë veçmas nga anëtarët e tjerë dhe do t’i përkasë maxhorancës. Nënkryetari zgjidhet në KQZ dhe do t’i përkasë opozitës. Dy grupet e mëdha parlamentare, në këtë rast, PD dhe PS do të kenë të sanksionuar në kod të drejtën për të pasur nga dy anëtarë, të propozuar direkt prej tyre. Dy anëtarë të tjerë do të propozohen nga deputetët e grupeve të tjera parlamentare, përkatësisht, njëri nga pala e opozitës, tjetri nga ajo e maxhorancës. Por propozimi nuk do të thotë automatikisht edhe miratim. Vota për 2 kandidatët e tjerë do të jepet vetëm pasi të jetë marrë pëlqimi, përkatësisht ai i opozitës nga Partia Socialiste dhe ai i maxhorancës nga Partia Demokratike. Komisioni i Reformës Zgjedhore ndërton KQZ-në e re mbi bazën e rezultatit të megadushkut 2005. Sipas përqasjeve që kanë pasur përballë dy partive të mëdha të krahut të tyre, PSD dhe PR duket se do të jenë të privilegjuarat e skemës së re të KQZ-së. Dhe këto dy parti kanë marrë maksimalisht vota në 2005 përmes formulës së dushkut. Nëse i hedhim një sy votave të partive të 2005-ës, do të shohim se bazuar në formulën e megadushkut votat e partive të mëdha u orientuan drejt disa partive të grupimeve respektive, të djathta dhe të majta, duke rezultuar fituese si forcë e parë në proporcional PR dhe si forcë e pestë politike pas PSD, PS dhe LSI-së, Partinë Demokratike, me vetëm 7 për qind, por që sot qeveris vendin që prej tre vjetësh. Mbi bazën e këtij deformimi, dy partitë, PS-PD, po përpiqen të ndërtojnë KQZ-në e re. Që në zanafillën e ndryshimit të sistemit zgjedhor, qëllimi kryesor për ndryshimin e tij ishte dhe fenomeni i megadushkut, i aplikuar gjerësisht nga dy partitë e mëdha, ndryshim që u diktua dhe nga faktori ndërkombëtar pas presioneve të mëdha politike të tyre. Diferencat e realizuara në këto zgjedhje, duke krahasuar votat që partitë morën në maxhoritar dhe në proporcional janë mjaft të dukshme. PSD përfitonte në proporcional 12.74 për qind të votave, ose 174 mijë vota, ndërsa në maxhoritar 1.34 për qind ose 18 mijë vota. Pra, PSD ka marrë në proporcional 10 herë më shumë vota sesa ka përfituar në maxhoritar. Ndërsa PR-ja nuk ka konkurruar fare me kandidatë të saj më vete në maxhoritar, por vetëm në proporcional. Duket qartë se kriteri që po aplikon Komisioni i Reformës Zgjedhore është sërish i mbështetur mbi megadushkun, por tërësisht kontradiktor me sistemin proporcional zgjedhor që do të përdoret në 2009-ën.
formula e KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të ketë 7 anëtarë, nga 9 që ka sot
Mandati i tyre nga 7-vjeçar do të jetë 4-vjeçar
Anëtarët e KQZ do të zgjidhen vetëm nga parlamenti
Presidenti apo Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk do kenë kompetencë të zgjedhin anëtarë në Kodin e ri
Kryetari i KQZ zgjidhet në parlament me një procedurë veçmas nga anëtaret e tjerë dhe do t’i përkasë maxhorancës, ndërsa nënkryetari zgjidhet në KQZ dhe do t’i përkasë opozitës
PD dhe PS do të kenë të sanksionuar në kod të drejtën për të pasur nga dy anëtarë të propozuar direkt prej tyre
Dy anëtarë të tjerë do të propozohen nga deputetët e grupeve të tjera parlamentare, përkatësisht, njëri nga pala e opozitës, tjetri nga ajo e maxhorancës