Kryesia e LSI: Protesta deri në bllokim të Kuvendit ndaj manipulimit të votave
Kryesia e LSI-së, e mbledhur mbrëmë me urgjencë, vendosi organizimin e protestave në të gjithë vendin, por kryesisht në Tiranë, në mbrojtje të votës së lirë. Shkak për këtë vendim është bërë vendimi i dy partive të mëdha, PD-PS që në fshehtësi kanë pranuar kompozimin e KQZ-së me 7 anëtarë, nga i cili eliminohet LSI. Kryesia e LSI-së është shprehur e vendosur t’i përgjigjet me protesta këtij vendimi, protesta që do të shkojnë deri në bllokimin e punës së Kuvendit të Shqipërisë. Mijëra qytetarë pritet të bllokojnë hyrjen e Parlamentit për të penguar miratimin e Kodit të ri zgjedhor. Gjatë mbledhjes kreu i LSI-së Ilir Meta u shpreh se “në vend po instalohet fashizmi me dy koka”. Gjatë mbledhjes kryesia e LSI-së ka fajësuar pozicionin e PS-së, e cila ka këmbëngulur që të aplikohet kjo formulë për KQZ, për të eliminuar kështu LSI-së. Po dje, Lëvizja Rinore për Integrim, nëpërmjet një letre drejtuar Ambasadorit të BE, Përfaqësuesit të OSBE, Ambasadorit të SHBA dhe Ambasadorit Britanik, kërkojnë nga këto përfaqësi të ndërhyjnë për të ndalur masakrën elektorale që përgatitet të ndodhë në Shqipëri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kryetarja e LRI-së, Erisa Xhixho, iu shpreh interesit të medias, se “ne i jemi drejtuar sot nëpërmjet një letre Ambasadorit të BE-së z. Lohan, përfaqësuesit të OSBE, Ambasadorit të SHBA dhe Ambasadorit Britanik, ku i kërkojmë takim për të biseduar mbi disa çështje shumë të rëndësishme dhe urgjente që kanë të bëjnë me rrezikun serioz të demokracisë në Shqipëri. Nëpërmjet këtij takim që kërkojmë me këta përfaqësues, u shpreh ajo, ne kërkojmë të shpjegojmë masakrën që po përgatitet të ndodhë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri. Nëse nuk do të kemi një reagim nga ana e tyre, Xhixho paralajmëroi se,- mijëra e mijëra të rinj do të protestojnë deri në fund, derisa të kemi zgjedhje të lira në Shqipëri”, përfundoi ajo.