E Shtunë, 31 Tetor 2026

Liljana Kondakçi sërish nën hetim për drogë

Autori i Lajmit: red.
Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Liljana Kondakçi, është bërë sërish pjesë e hetimeve të trafikut të drogës. Policia Italiane ka organizuar dje një operacion antidroge, ku ka vënë në pranga 20 trafikantë. Ndërsa në listën e personave me fletarrest gati, ka renditur edhe këngëtaren lirike shqiptare. Madje, banda e njihte atë dhe me emër të koduar. Ajo thërritej “La mamma”, ose shqip “mamaja”. Emri i këngëtares publikohet nga mediat italiane edhe një herë si eksponent i drogës pas një operacioni të zhvilluar sot të Guardia di Finanza, ku ranë në pranga 20 persona. Policia italiane nuk ka më dyshim, ajo është trafikante droge.
Dyshimet
Liljana Kondakçi, 56 vjeç, një dër këngëtaret me të njohura në Shqipëri, akuzohet për trafik lëndësh narkotike. Agjencia e lajmeve ANSA bën të ditur se Liljana Kondakçiu është person për t u hetuar për sa i përket operacionit të kryer mëngjesin e së premtes nga Guardia di Finanza. Sipas të njëjtave burime, mësohet se në këtë operacion përfunduan në pranga 20 persona, mes të cilëve shumë shqiptarë. Kondakçi është burgosur edhe më parë në kuadrin e hetimeve të majit të 2006 në stacionin hekurudhor të Sibarit, ku sapo kishte arritur nga Shqipëria, nëpërmjet Barit. Në çantën e saj u gjet plot 3.3 kg heroinë. Përgjimet telefonike nga ana e policisë italiane, të cilave u referohet agjencia italiane e lajmeve ANSA, dëshmojnë se Liljana Kondakçi është njohur mes anëtarëve të grupit si “la mamma” shqip “mamaja” ose “këngëtarja”. Nga të njëjtat burime mësohet se këngëtarja shqiptare ka përdorur popullaritetin e saj për t u shpëtuar kontrolleve të policisë në Shqipëri. Hetimet lidhur me bandën ku bën pjesë këngëtarja po drejtohen tani nga gjykatësit e DDA të Katanzaros, Salvatore Murone dhe Vinçenco Luberto dhe nga financiarët italianë në bashkëpunim me Drejtorinë Qendrore të Shërbimit Antidrogë të Ministrisë së Brendshme.
Operacion antidrogë
Operacioni i zhvilluar nga policia italiane vuri në pranga 20 persona (të disa kombësive, italianë, shqiptarë e grekë ( të cilëve u është përgatitur fleta e arrestit me burg në kuadrin e operacionit “Shkodra”).
Bëhet fjalë për shqiptarët e mëposhtëm: Liljana Kondakçi, 56 vjeç me pseudonimin “mamaja” ose “këngëtarja”, Bashkim Kubazecaj, 32 vjeç, i lindur në Shkodër dhe banues në Villapiana – me pseudonimin “flokëgjati”,
Luan Kubazecaj, 35 vjeç, banues në Trebisace, me pseudonimin “ai i Las Vegasit”. Albert Mesiti, 28 vjeç, me pseudonimin “Marko”. Elvis Metvelaj, 24 vjeç, banues në Trebisace, me pseudonimin “majmuni”, Rodon Rexhepi 28 vjeç, Fisnik Smajlaj, 35 vjeç, me pseudonimin “tullaci”, Sajmir Ujkaj, 33 vjeç, Gential Ulqini, 25 vjeç, banues në Trebisaçe, me pseudonimin “Astriti” dhe Gentian Hamzaraj, 30 vjeç.

Liljana Kondakçiu: “Nuk ndiqem për drogë”
“Jo lajmi për drogën nuk është i vërtetë. Unë nuk kam probleme me drejtësinë italiane”, - kanë qenë disa nga fjalët që ka thënë Kondakçi pas publikimit të lajmit. Këngëtarja lirike e viteve 80, Liljana Kondakçi, deklaron publikisht se ajo nuk është pjesë e një bande trafiku të drogës. Kondakçiu ka deklaruar dje se “për momentin ndodhem në Tiranë dhe nuk jam ndaluar për drogë”.
”S kam probleme me drejtësinë italiane. Lajmi se për mua është prerë një urdhërarresti nuk është i vërtetë. ”Ky lajm është sqaruar dy vite e gjysmë më parë. Tani unë nuk e kuptoj se përse del. Pasi unë kam dalë si zonjë me të gjitha rregullat e duhura nga procedurat italiane. Në Shqipëri kam rreth 2 vjet e gjysmë që qëndroj. Nuk e di se për çfarë hetimesh bëhet fjalë, përderisa unë kam dalë e rregullt dhe e pafajshme, unë jam në rregull dhe nuk kam pasur arsye të mendoj se do të vazhdojnë hetimet”. Ndërsa në lidhje me citimin e emrit të saj në listat e personave nën hetim, këngëtarja nuk arrin ta shpjegojë dot. “Edhe unë nuk e di atë. Pse? Po përpiqem ta zgjidh këtë. Nuk e di pse emri im figuron në listën e të implikuarve në trafikun e drogës. Pasi atë letër që disponoj unë e kam me letër dhe me vulë ku thuhet që unë nuk hetohem më. Po gjithsesi, do ta ndjek vetë këtë punë dhe sigurisht që do ta çoj deri në fund. Unë e mohoj faktin e implikimit në trafikun e drogës”, - tha mes të tjerash këngëtarja.

Ligji për drogën

- Në nenin 283, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, përcaktohet se “Shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi, si dhe mbajtja përveç rastit të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla të substancave narkotike dhe psikotrope, si dhe i farërave të bimëve narkotike, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.
- Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
- Organizimi, drejtimi apo financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet”.
- Neni 283/a, “Trafikimi i narkotikëve”, thekson: ”Importimi, ekspozimi, tranzitimi dhe tregtimi në kundërshtim me ligjin, i substancave narkotike dhe psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet.
- Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet.
- Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim jo më pak së pesëmbëdhjetë vjet”.
- Neni 284/c, “Prodhimi, tregtimi dhe përdorimi i paligjshëm i prekursorëve”. “Prodhimi, importimi, eksportimi, tranzitimi, tregtimi dhe mbajtja, në kundërshtim me dispozitat përkatëse ligjore, i prekursorëve të treguar me ligj në tabelat përkatëse, dënohet me burgim gjer në pesë vjet.
- Po kjo vepër, kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga tre gjer në shtatë vjet.
- Organizimi, drejtimi ose financimi i kësaj veprimtarie dënohen me burgim nga pesë gjer në pesëmbëdhjetë vjet”.
- Neni 285, “Mbajtja, prodhimi dhe transportimi i substancave kimike”. “Prodhimi, mbajtja, transportimi ose shpërndarja e substancave kimike bazë ose e substancave të çfarëdollojshme, e pajisjeve e materialeve, në rast se dihet që ato përdoren ose do të përdoren për prodhimin ose trafikimin e paligjshëm të substancave narkotike a psikotrope, dënohet me burgim gjer në pesë vjet”.
Ky lajm është publikuar: 01/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›