E Diel, 1 Nëntor 2026

“Taksisti 2”, bllokohen 7.2 kg heroinë, një në pranga

Autori i Lajmit: red.
Policia dërgon në qeli një tjetër të dyshuar për trafik heroine. Një tjetër operacion i Policisë së Shtetit, ka bërë të mundur bllokimin e 7.255 kilogramë heroinë, ndërkohë që një person ka rënë në pranga. Policia e Shtetit bëri të ditur dje se nga Drejtoria kundër Krimit të Organizuar në Departamentin e Hetimit të Krimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Beratit, u finalizua me sukses operacioni i koduar “Taksisti 2”. Sipas të njëjtave burime, mësohet se në këtë operacion u arrestua Fatbardh Dulla, 39 vjeç, lindur e banues në Uznovë, Berat, me profesion taksist. Arrestimi i këtij shtetasi është bërë pasi ditën e djeshme, rreth orës 06:15, në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë Gjirokastër, gjatë kontrollit të automjetit të drejtuar prej tij, u gjetën të fshehura në pjesën e brendshme të këtij mjeti 14 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me një peshë prej rreth 7 kg e 255 gramë. Policia, në cilësinë e provës materiale, ka sekuestruar sasinë e lëndës narkotike, automjetin tip “Mercedez Benz” me targë BR 2627 B, shumën prej 300 eurosh dhe 1.000 lekë, si dhe dy aparate celulare. Fatbardh Dulla akuzohet për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike” dhe hetimet janë duke u bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda.
Ky lajm është publikuar: 01/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›