Limaj: Jam i hapur për hetime
Ministri i Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit në Kosovë, Fatmir Limaj, ka konfirmuar se Policia e EULEX-it ka bastisur ministrinë të cilën ai drejton, sikurse edhe shtëpinë ku banon. Ai ka thënë se do ta mbajë postin, ndërkohë që do t'i jetë i hapur për hetimet. Limaj ka thënë se personalisht nuk ka qenë i ftuar nga organet e rendit dhe as që ka qenë i ftuar për ndonjë lloj sqarimi apo për të dhënë ndonjë përgjigje nga organet kompetente. "Kam qenë i informuar se ka pasur një lloj kontrolli dhe është kontrolluar Ministria e Transportit dhe shtëpia ku banoj. Normalisht, organet e rendit, organet hetimore kanë kryer punën e tyre. Sigurisht, ata kanë kërkuar diçka që do t'i ndihmojë në proceset e tyre dhe kanë bërë punën e tyre", ka thënë Limaj. "Unë, personalisht, nuk kam qenë i ftuar nga organet dhe as që kam qenë i ftuar për ndonjë lloj sqarimi apo për të dhënë ndonjë përgjigje nga organet", ka thënë Limaj.
EULEX-i ka bërë të ditur, pasditen e së mërkurës, se Departamenti Ekzekutiv i Policisë së EULEX-it ka bastisur disa lokacione në rrethinë dhe brenda Prishtinës në kuadër të hetimeve që udhëhiqen nga Zyra e Prokurorit Special në Kosovë".
Ministri Limaj është shprehur i hapur për hetimet e organeve të rendit, por ka nënvizuar se do të vazhdojë ta mbajë postin e ministrit.
"Ajo që mund të them është se unë do të vazhdoj t'i kryej detyrat e mia të përditshme, ashtu siç kam bërë deri më sot, edhe nesër, edhe në të ardhmen. Vazhdoj me projektin që kemi filluar, vazhdoj me angazhimin tonë dhe normalisht kjo është detyra jonë. Të tjerët le ta bëjnë detyrën e tyre. Unë e shoh si një proces krejt normal. Po mendoj zhvillim normal, për faktin se secili e kryen punën e tyre", ka thënë Limaj në një konferencë për gazetarë.
Ndërsa EULEX-i nuk ka dhënë detaje mbi bastisjet që ka bërë gjatë ditës së mërkurë, duke theksuar se operacionet janë në vazhdim e sipër. Pas njoftimit për bastisjet, në ndërtesën e Qeverisë kanë qëndruar për më shumë se dy orë edhe ambasadori amerikan, Kristofer Dell, dhe kreu i EULEX-it, Iv de Kermabon, për t'u larguar më pas pa dhënë asnjë prononcim. Kermabo është rikthyer sërish në orët e vona të mbrëmjes. Ministria e Transporteve dhe Telekomunikacionit, që drejtohet nga Fatmir Limaj është ministria me buxhetin më të madh në qeverinë e Kosovës. Burimet thonë se janë bastisur edhe disa kompani private që kanë qenë fituese të tenderëve të kësaj ministrie. Nuk ka ende njoftime për motivet e bastisjeve dhe as edhe për personat të cilët mund të jenë të dyshuar për ndonjë veprimtari joligjore. Lufta kundër korrupsionit është cilësuar si përparësi e punës së EULEX-it por edhe Qeverisë së Kosovës. Kryeministri i vendit Hashim Thaçi, ka theksuar se kjo luftë do të jetë e pa kompromistë, ndërsa ka kërkuar që sistemi i drejtësisë në vend të reformohet shpejt dhe të kryejë funksionet që i takojnë.