E Shtunë, 31 Tetor 2026

Limaj: Shpresoj të funksionoj drejtësia

Nga Express më 25 gusht 2011 në ora 21:20

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë ka vazhduar seanca për konfirmimin ose jo të aktakuzës ndaj nënkryetarit të PDK-së njëherësh deputetit të Kuvendit të Kosovës, Famir Limaj dhe 9 ish- luftëtarëve të tjerë të UÇK-së, për kinse krime të kryera gjatë luftës në fshatin Kleçkë, të cilën akuzë ata e kanë mohuar. Nënkryetari i PDK-së, njëherësh deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, pas përfundimit të seancës, ka thënë se pala mbrojtëse ka dhënë një mori faktesh dhe prova që tregojnë për shkelje të procedurave paraprake hetimore. Sipas avokatëve mbrojtës konfirmimi apo mos konfirmimi i akuzës pritet të bëhet në ditët e ardhshme.

Gjatë seancës së pasdites së sotme, avokatët mbrojtës kanë dhënë shumë prova që klientët e tyre nuk janë të inkriminuar në këtë rast. Ata janë ndalur edhe te deklarata e dëshmitarit X, ku gjatë intervistimit ka qenë i dyshuar dhe sipas avokatëve ai në këtë kohë ka pasur mundësi që të gënjejë dhe kanë kërkuar që deklarata e këtij dëshmitari të mos merret për bazë në këtë proces.

Pala mbrojtëse ka thënë se aktakuza ka prova të papranueshme, është shumë e mëngët dhe kanë kërkuar që të jetë e pavlefshme, ndërsa prokurori i çështjes Mauricio Salustro u ka thënë avokatëve mbrojtës se deklarata e dëshmitarit X do të merret për bazë për shkak, se siç është shprehur ai, është bërë në mënyrë të ligjshme, pa marrë parasysh se tash personi ka ndryshuar statutin e vet.

Pasi që avokatët mbrojtës kanë deklaruar se klientët e tyre nuk kanë bërë krime, prokurori italian Salustro ka thënë se avokatët janë kreativ, por jo edhe “realistë”, pasi që aktakuza është shikuar nga katër gjykatës, të cilët kanë konstatuar se “ka dyshime për krime të tilla”.

Pala mbrojtëse ka thënë se nuk mund të konfirmohet kjo akuzë për shkak se ajo është e njëjtë për të gjithë të akuzuarit, dhe për raste të njëjta, por ndryshojnë vetëm emrat.

Deputeti Fatmir Limaj, pas përfundimit të seancës deklaroi se mbrojtja ka dhënë një mori faktesh dhe prova të cilat tregojnë shkeljen e procedurave paraprake hetimore.

“Ne presim që drejtësia të fitojë. Ky vend më shumë se për çdo gjë tjetër ka nevojë për drejtësi. Ky vend është ballafaquar me vendime gjyqësore, por asnjëherë nuk e ka mbështet qytetari i Kosovës, sepse e ka ditur që janë të gabuara. Shpresoj që drejtësia këtu përfundimisht të fillojë të funksionojë siç duhet dhe në qoftë se vendimi i gjyqtarit do të jetë me drejtësinë dhe të vërtetën unë jam i bindur se ky është kontributi më i madh që i jepet vendit tonë dhe rezultati më i madh i misionit të EULEX-it”, ka thënë Limaj.

Për më tepër, Limaj theksoi se nëse përdoren standardet perëndimore, atëherë gjykata do të hedhë poshtë akuzën dhe do të fitojë drejtësia.

“Në qoftë se përdoren faktet tona, maten me standardet perëndimore, nuk kam asnjë dilemë se vendimi i gjykatës do të jetë hedhja e poshtë e aktakuzës. Në qoftë se shkohet me standarde të dyfishta ose minimum standarde janë gjëra që mund të humbin rezultate në drejtësi, por unë jam i bindur që do të fitojë drejtësia, sepse jam i bindur në drejtësi”, ka thënë ai.

Ndërsa, avokati mbrojtës i Naser Shalës, Bajram Tmava, pas përfundimit të seancës kërkoi që deklarata e dëshmitarit X të mos merret parasysh dhe të shpallet e pa pranueshme.

“Unë besoj, jam plotësisht i bindur se dëshmia e dëshmitarit X duhet të deklarohet e pa pranueshme. Po që se ajo deklaratë si e tillë, atëherë aktakuza nuk do të ketë mbështetje në prova dhe fakte, meqenëse të gjitha provat tjera, qoftë sekondare, janë të bazuara në deklaratën e dëshmitarit X”, ka thënë Tmava.

Avokati mbrojtës i Nazmi Krasniqit, Muhamet Halimi ka thënë se prokurori i rasti ka dalë jashtë kornizave ligjore.

“Unë e kam sfiduar aktakuzën e prokurorit publik, sepse i njëjti ka dalë jashtë kornizave të obligueshme ligjore, të cilat janë të përfshira në dispozitën e nenit 142 të Kodit Penal të Jugosllavisë sipas cilit këta akuzohen”, ka thënë ai.

Sipas avokatëve mbrojtës konfirmimi apo mos konfirmimi i akuzës në rastin Kleçka pritet të bëhet në ditët në vijim nga ana e gjykatësit paraprak, Ingor Risch.

Gjatë seancës një ditë më parë dhjetë të pandehurit deklaruan pafajësinë e tyre.

Të akuzuarit janë: Arben Krasniqi, Naser Krasniqi, Nexhemdin Krasniqi, Behlul Limaj, Fatmir Limaj, Refki Mazreku, Shaban Shala, Bislim Shurdhaj, Naser Shala dhe Sabit Shala.

Deputeti Fatmir Limaj apo komandant Çeliku, ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Hagës, për krime të supozuara në Llapushnik, ndërsa tash pritet që të gjykohet për krime që, sipas prokurorëve ndërkombëtarë janë kryer në fshatin Kleçkë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›