Reciprociteti, 5 milionë euro më shumë në buxhet

Në periudhën 20 korrik deri 8 gusht të vitit 2010, të hyrat doganore kanë qenë 48.9 milionë euro, kurse në të njëjtën periudhë të këtij vitit të hyrat doganore kanë arritur në 53.8 milionë euro.
“Është vërejtur një rritje e dukshme e të hyrave në dogana, si rrjedhojë e rritjes se importit formal dhe si rrjedhojë e mallrave që hyjnë nga vendet me të cilat nuk kemi marrëveshje të tregtisë së lirë, gjegjësisht që nuk janë anëtare të marrëveshjes CEFTA. Dukshëm ka rritje të të hyrave, vetëm në periudhën e parë, do të thotë për tri javët e para, ka pasur një ngritje prej pesë milionë eurosh inkasim të të hyrave doganore, krahasuar më periudhën e njëjtë të vitit të paraprak”, tregon Kusari- Lila.
Kjo rritje sipas saj, është realizuar për shkak se shumë mallra nga shtete tjera kanë hyrë në Kosovë si zëvendësim për produktet serbe, ndërsa kontrabanda e mallrave serbe që është zhvilluar nga pikat kufitare 1 dhe 31, që gjenden në pjesën veriore të Kosovës, është zvogëluar dukshëm. “Jemi në pritje të rezultateve për tri javorin e dytë, pasi tani kemi hyrë në gjashtë javorin që Kosova ka aplikuar masat e reciprocitetit ndaj Serbisë dhe presim që ky trend të vazhdojë në raport me importin e produkteve të cilat formalisht tani zhdoganohen në pikat ku ka doganiere dhe janë pika funksionale në krahasim me periudhën, kur kanë hyrë mallrat pa u doganuar dhe pa u evidentuar nga pika 1 dhe 31 në veriun e Kosovës”, thekson Kusari- Lila.
Rritja e të hyrave doganore që nga bllokimi i mallrave serbe në Kosovë, do të forcojë arkën shtetërore, thotë edhe Ahmet Shala, ish-ministër i Ekonomisë dhe Financave.
Shala është optimist se trendi i rritjes se të hyrave doganore do të vazhdojë edhe në të ardhmen, kështu që sipas tij, kjo do t’i mundësojë autoriteteve kompetente zbatimin e planit të qeverisë, çoftë për projekte zhvillimore, çoftë për ato sociale. “Unë jam optimist se ky trend do të mbahet ashtu siç është planifikuar, këto masa do të ndikojnë pozitivisht edhe në rritjen e zhvillimit ekonomik”, thekson Shala.
Ai tregon se në bazë të të dhënave nga institucionet vendore dhe ndërkombëtare, deri në 60 milionë euro ka humbur buxheti i Kosovës, vetëm gjatë një viti, nga kontrabanda e zhvilluar në veriun e Kosovës.