E Shtunë, 31 Tetor 2026

Limaj akuzohet për shpërdorimin e 80 milionë eurove

Autori i Lajmit: Redaksia

Zyrtarë të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit të Kosovës kanë fshehur prova materiale në ditën e bastisjes së kësaj ministrie nga hetues të EULEX-it, pohojnë burime të gazetës. Këto burime kanë theksuar se në serverin e konfiskuar (të kësaj ministrie) gjatë bastisjes së EULEX-it kanë qenë të fshira të dhënat. Sipas këtyre burimeve, ky server i konfiskuar nuk ka pasur asnjë të dhënë brenda. Gazeta “Koha Ditore” shkruan se ekspertët e EULEX-it po bëjnë përpjekje që ta kthejnë materialin në të, siç ka qenë, dhe kanë shtuar se një gjë e tillë nuk është aq e vështirë. Një zyrtar i lartë ndërkombëtar, i afërt me procesin hetimor ka thënë në kushte anonimati se fshirja e serverit nuk i dëmton aq shumë hetimet, por tregon se sa serioz është “bashkëpunimi që është proklamuar nga qeveritarët”. “Fshirja në fakt është një dëshmi që do të përdoret në gjykatë për të treguar se kemi të bëjmë me një krim të organizuar. Fakti që është arritur që të dhënat në server të fshihen aq shpejt, tregon se kemi pasur që të bëjmë me një rrjet të organizuar kriminal, që ka qenë në dijeni se po hetohet dhe ka qenë i përgatitur për bastisjen”,- i ka thënë gazetës ky zyrtar i afërt me hetimet dhe ka shtuar se shkatërrimi i të dhënave shtetërore është një krim plus në tentativë për ti fshehur krimet e tjera.
Hetimi
Hetimet thuajse njëvjeçare dhe bastisja e realizuar të enjten e kaluar në MTPT dhe në pronat e ministrit Limaj e të zyrtarit tjetër Nexhat Krasniqi kanë treguar se janë gjetur prova të mjaftueshme për të dëshmuar keqpërdorimin e 80 milionë eurove, ndërkaq ka edhe dyshime të tjera, për të cilat hetimet po vazhdojnë, shkruajnë mediat kosovare. Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të EULEX-it, Johannes van Vreesvik, thotë se është i zemëruar nga komentet e kryeministrit Hashim Thaçi dhe të zyrtarëve të tjerë kosovarë për hetimet e EULEX-it ndaj asaj që ai e klasifikon si rasti Limaj. Në një intervistë për KD, ai ka siguruar zyrtarët dhe qytetarët se EULEX i ka faktet për këtë rast dhe se po heton edhe në gjashtë raste të tjera të korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Kryeprokurori i EULEX-it u bën thirrje të gjithë zyrtarëve në Kosovë që kanë qenë ose janë të lidhur me krimin e organizuar "që të fillojnë të djersiten".
Provat
Sipas Vreesvik, të dyshuarit e rastit të MTPT së, ministri Fatmir Limaj dhe shefi i Prokurimit Nexhat Krasniqi dyshohen për veprat penale: shpëlarje parash, krim i organizuar, shpërdorim i detyrës zyrtare, mashtrim në zyrë dhe ryshfet. Në total për këto vepra, sipas tij, bazuar në ligjet e Kosovës mund të dënohesh me 55 vjet burgim. Van Vreesvik shpjegon se të dyshuarit që po hetohen nga EULEX i janë të profileve të larta dhe nuk janë vetëm zyrtarë nga PDK-ja. "Kemi edhe të partive të tjera, nëse kjo e siguron kryeministrin se ky aksion nuk është sulm ndaj partisë së tij",- ka thënë prokurori. Ai i ka ftuar të gjithë që të mos mendojnë se zyrtarët e EULEX-it janë "budallenj që do të rrezikonin kredibilitetin e tyre duke ndërhyrë pa pasur argumente dhe fakte". Johannes ua ka tërhequr vëmendjen të gjithëve se korrupsioni është krim serioz dhe se ata që po e bëjnë të jenë të sigurt se "EULEX-i do t`i ndalë".

Ky lajm është publikuar: 09/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›