E Shtunë, 31 Tetor 2026

Limaj per Klecken Akuza e pabaze isha ne Shqiperi

Në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, prokuroria ka paraqitur aktakuzën kundër deputetit dhe nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj dhe nëntë ish-pjestarëve të UÇK-së për krime të luftës të supozura se janë kryer Kleçkë. Nisja e procesit është përshkruar me tensione të mëdha në mes të deputetit Limaj dhe prokurorit ndërkombëtar Mauricio Salustro dhe ka përfunduar vetëm me leximin e aktakuzës e cila pritet të konfirmohet ose anulohet në ditët në vijim. Pas seancës deputetit Limaj tha se beson në drejtësinë dhe se pret që aktakuza kundër tij dhe bashkëluftëtarëve të tij të mos konfirmohet fare.

“Unë besoj shumë në drejtësi, besoj shumë në vendin tim, në sistemin  e këtij vendi që po e ndërtojmë dhe e di që drejtësia do të fitojë. Aty ku është drejtësia unë jam fitues. Nga ky proces unë e pres që nuk do të konfirmohet aktakuza, por nëse konfirmohet ne do të jemi të gatshëm të ballafaqohemi me fakte, me argument. Tani flet prova dhe fakti, nuk do të flasin më spekulimet, shpifjet që bënë në mënyrë të pandërprerë në media nga zyra e prokurorit, por tani e tutje do të flasim  me fakte dhe unë besoj që gjykata do të luajë rolin si arbitër”-tha Limaj.

Deputeti Limaj akuzoi prokurorinë se po tenton përmes një dëshmitari të dyshimtë ta dënojë atë.

“Prokuroi ka humbur rrugën e drejtë. Nuk i intereson e vërteta, atij i intereson e vërteta e tij dhe shkon prapa symbyllur drejt një dëshmitari të konstruktuar, që ka për një qëllim arritjen e objektivit të tij dhe objektivi normalisht i tij arrihet ashtu siç ka thënë në media njëra nga oficerët e EULEX-it nëse ata do të mund të llogaritnin sukses nëse e kapin kokën time”-tha ai.

Limaj, i cili gjatë kohës sa ishte Komandant i  UÇK-së  mbante nofkën Çeliku ka parlajmëruar të gjithë ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së se do të ftohen për të dëshmuar në gjykatë për të treguar se ai ka qenë në Shqipëri në periudhën për të cilën akuzohet. Këtu përfshihet edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Imuniteti i deputetit nuk ndalon që Limaj të thirret në Gjykatë për seancën e konfirmimit të aktakuzës e as për gjykimin e tij, por e mbron atë nga arrestimi.

Sala Mustafa

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›