E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gruaja e viktimës: Vdiq në duart e mia

Prej nëntë muajsh ishin martuar dhe kishin filluar një jetë të re, me gjithë kundërshtimet e vazhdueshme të familjes së vajzës. Një histori e nisur nga dashuria midis dy të rinjve, por që përfundoi me vrasjen e njërit prej tyre. Fatjona, nusja 20-vjeçare e Armand Hasanit, thotë se ai i vdiq në duar, pas një plumbi të marrë nga xhaxhai i saj, që bashkë me pjesën tjetër të familjes nuk ishin dakord me martesën. “Më thanë që të kanë vrarë Armandin. Kam shkuar me vrap tek vendi, e kam parë të shtrirë. Kur i jam afruar, merrte frymë ende. Më ka thënë vetëm shko tek mami, e pastaj mbylli sytë”, - tregoi Fatjona. Sipas saj, të dy kishin vendosur të jetonin bashkë pasi e donin njëri-tjetrin. Ajo tregon se xhaxhai i saj ishte takuar me të shoqin dhe ai i kishte premtuar se do ta ndihmonte që të fillonte punë. “Xhaxhai kishte ardhur dhe e kishte takuar. I kishte thënë që do të të rregullojë në punë. Do ta ndihmonte”. Por ajo nuk i di arsyet se pse ai e ka qëlluar.
Familjarët ende nuk e besojnë që Armandi nuk është. E ëma e 30-vjeçarit, Ëngjëllushja, tregon se familja e vajzës nuk ka qenë dakord për lidhjen midis tyre. “Por para nëntë muajsh djali e mori dhe të dy u martuan”. Sipas saj, të dyja familjet banonin në të njëjtën lagje. “Kishte mosmarrëveshje dhe përplasje për këtë ngjarje, pasi ata nuk donin, pasi djali e mori, por jo sherr të madh. Një herë para nëntë muajsh ma qëlluan djalin me tullë në kokë, duke e çarë, por më pas asgjë nuk u bë”. Sipas Ëngjëllushes, nënës 51-vjeçare, viktima kishte një javë që rrinte i mërzitur për shkak të sherrit të nisur me xhaxhanë e vajzës, por ai nuk u kishte treguar gjë. “Gjithçka ka nisur një javë para vrasjes. Midis të dyve kishin nisur përplasjet. Por ai e qëlloi në mbrëmje, sa pa që ikën shokët”. Ajo shprehet se ka qenë nëna e vajzës, që e ka bërë të gjithë këtë. “Para pak kohësh kur vajza erdhi me ne, ajo më tha nuk ke për ta gëzuar vajzën”, - thotë 51-vjeçarja. Më pas kujton edhe çastin kur ndodhi ngjarja. “Djali ka qenë me shokët në lokal. Më parë ka qenë edhe me këtë vrasësin i ulur në tavolinë. Kur janë larguar shokët, nëna e vajzës e ka thirrur e duke debatuar ky e ka qëlluar nga pas me armë. Më pas janë larguar. Të dy në rrugë të ndryshme”. Familjarët, asnjëherë s’e kishin menduar se një gjë e tillë mund të kishe përfunduar në këtë mënyrë, me një vrasje të kotë. “Xhaxhai i vajzës ishte edhe shok i ngushtë me djalin e madh. Kishin qenë bashkë në Greqi”, – tregon 51-vjeçarja. “Armandi punonte çdo lloj pune. Ishte i qetë, punëtor. Nuk i binte në qafë njeriu. Ai ishte martuar me vajzën. E donte dhe e kishte marrë në shtëpi”, - shton e motra. Familja kishte humbur edhe një fëmijë tjetër para dy vitesh.

Ngjarja
Rreth orës 17:45 të ditës së diel, Armand Hasani është qëlluar me pistoletë disa herë në kokë dhe trup. Ai sapo kishte dalë nga lokali ku ishte ulur, në zonën e quajtur “Xhamlliku” në kryeqytet. Autori i ngjarjes është larguar më pas me shpejtësi, ndërkohë që plagët e marra në trup, i kanë shkaktuar vdekjen 30-vjeçarit. Policia ka shkuar në vendngjarje, ku ka nisur nga puna për arrestimin e autorit të krimit. Ai është Albrat Dashi, 35 vjeç, i ndaluar pas disa orësh në një banesë në rrugën "Myslym Keta", pranë ish-ndërmarrjes "Rruga Ura". Sipas policisë, shkak i këtij konflikti është mospranimi për lidhjen e mbesës së tij me 30-vjeçarin. Vajza ishte larguar për të jetuar me Hasanin, por një gjë e tillë nuk ishte pritur mirë nga familja.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›