Drogba, në dyshim kundër Barças
18/02/2005 Sulmuesi i Çelsit, Didier Drogba, nuk e ka përfunduar akoma fazën e rekuperimit dhe ka shumë të ngjarë që të mos jetë i gatshëm, për supersfidën e Ligës së Kampioneve me Barcelonën. “Drogba është përfundimisht i pamundur për t’u aktivizuar në takimin e Kupës FA, kundër Njukasëllit, i cili do të zhvillohet ditën e dielë, ka komentuar trajneri Murinjo. Po ashtu, ka shumë pak shanse që ai të rekuperohet plotësisht për ditën e mërkurë”. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë ka pësuar një dëmtim në kofshë dhe së bashku me anësorin holandez, Arjen Roben, do të jenë dy shqetësimet e mëdha për trajnerin portugez. Në këtë mënyrë, edhe vetë Murinjo ka deklaruar se këto dy mungesa e kanë ndryshuar së tepërmi, forcën e kundërsulmit të Çelsit, në prag takimit me katalanasit. “Skuadra do të luajë krejt ndryshe dhe prandaj, nisur nga gjendja e krijuar na duhet të përshtatemi”- ka shtuar Murinjo. Pritet që islandezi Eidur Gudjonsen do të zërë vendin e Drogba. E megjithatë, trajneri portugez, pavarësisht nga mungesat e rëndësishme, mendon se Çelsi e Barcelona janë dy skuadra të barabarta, të cilat kanë po të njëjtat shanse për të fituar takimin. “Edhe pse kemi barazuar me Mançester Sitin, ne kemi mbetur akoma në krye të klasifikimit, ka vazhduar Murinjo. Pra, ne vazhdojmë të jemi në majën e kampionatit më të rëndësishëm në botë. Kjo do të thotë se ne jemi një skuadër e fortë me ambicje dhe cilësi të lartë. Prandaj mendoj se shanset për të fituar këtë ndeshje të rëndësishme janë 50-50. Mbi të gjitha, mua më pëlqen kur jam optimist”.