E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Lind" Luvri i artit islamik

Arabia Saudite ka Mekën, ndërsa Katari ka muzeun më të madh të artit islamik në botë. Kjo kryevepër arkitektonike është vepër e arkitektit të famshëm kinez, Ming Pei, i cili ka ndërtuar edhe piramidën e Luvrit. E konsideronte një punë të vështirë, sepse duhej të mbështetej te një modernizëm koherent, duke qëndruar në esencën dhe shpirtin e arkitekturës islamike. Duhej "të luante" me dritën e shkretëtirës, që në disa momente arkitektura e transformon në hije. "Përveç diellit, nuk kemi nevojë për asgjë tjetër: mjafton të zbulosh të gjitha faqet e murit që ndriçohen nga rrezet e tij", thoshte ai. U frymëzua nga disa xhami që bashkojnë modestinë, thjeshtësinë dhe ashpërsinë, si ajo e Kajros. Thoshte se modernizmi nuk duhet ta injorojë të shkuarën dhe se ky projekt i kishte dhënë mundësinë të zhytej në botën e islamit. E pranonte se më përpara nuk kishte shumë njohuri rreth kësaj feje.

Është një muze i bukur dhe shumë i rëndësishëm për tri katet ku janë ekspozuar copëza të rralla e të mrekullueshme të trashëgimisë myslimane, që vijnë nga epoka të ndryshme dhe tri kontinente: Azia, Lindja e Largët, Afrika e Veriut. Këtu mund të shihen faqet e para të Kuranit, të shkruara nga fundi i shekullit VII, që vijnë nga Azia Qendrore; gjithashtu pjesë e muzeut janë miniaturat persiane të shekullit XVI dhe një numër i konsiderueshëm tapetesh persiane (krijime artistike) po aq të bukura (edhe këto i përkasin shekullit XVI). Vlen të përmendet që në muze është veçanërisht e dukshme prania e Iranit. Kuptohet se sa shumë dominon kultura persiane në botën myslimane, gjë e cila e bën më aktuale evolucionin politik të atij vendi të madh.

Pjesë e muzeut është edhe Turqia me sendet prej qeramike të shekullit XVII, qeramikat e Iznikut dhe xhevahiret otomane prej smeraldi. India ndriçon me një copëz magjike: një varëse të vitit 1607. Përballë kësaj varëseje kryevepër, të vjen ndërmend ajo epokë në të cilën ky besim dhe popujt e saj dinin të privilegjonin më shumë bukurinë dhe artin në tërësi, sesa politikën. Në këtë muze është ekspozuar edhe tapeti më i madh që mund të imagjinohet, i gjatë 15,96 metra dhe i gjerë 3,25 metra, i bërë në Indonezi në shekullin XVII. Është një mrekulli që të prek jashtëzakonisht, madje të bën edhe për të qarë.

Copëza të tjera vijnë nga kontinenti i Evropës, Siria, Iraku, Andaluzia arabe, për ta kompletuar më tepër këtë panoramë mbresëlënëse, që sot nuk duket si një rikthim në të shkuarën, por si prania dhe kontributi i një kulture e trashëgimisë së qytetërimit universal. Duhet që të rinjtë e vendeve myslimane të vijnë e ta vizitojnë këtë muze. Natyrisht që nuk do të vijnë vetëm, por do të ishte mirë që të organizonin ekskursione me shkollat. Përmes kulturës mund të luftohet kundër injorancës e pasojave të saj, siç është fanatizmi.

Orientimi politik i këtij muzeu është i qartë: ta çojë kulturën në qendër të zhvillimit. Nuk ka ndodhur kështu në disa vende arabe, ku mjetet financiare mund të ilustronin dhe të vlerësonin trashëgiminë e këtij qytetërimi. Ashtu siç tregon edhe muzeu, Katari i ka kushtuar shumë rëndësi edukimit dhe kulturës.

Në Doha ndërtohet ditë e natë. Gjatë bregdetit po ndërtohen grataçiela të mëdha e shumë të bukura. Një arkitekturë e guximshme, inovative, e bukur, që e bën atë copë shkretëtire një vend krijimi dhe imagjinate. Ndërkohë që Dubai zhvillon turizmin dhe luksin, Doha, pa lënë pas dore botën e biznesit, investon në dije dhe art, duke u veçuar nga shtetet e tjera të Gjirit (muzeu i Kuvajtit, i shkatërruar nga pushtimi irakian në 1990-ën, nuk është restauruar ende). Ky muze, i vetmi në botë (përveç atij të Londrës dhe Luvrit, që përmbajnë vepra islamike), do të tërheqë shumë vizitorë. Pra, njerëzit nuk do shkojnë në Katar vetëm për punë, por edhe për të zbuluar këtë monument dhe veprat e mrekullueshme të ekspozuara brenda tij. Ndoshta shumë të tjerë do shkojnë për të vlerësuar punën e arkitektit kinez, i cili është një sukses edhe për të personalisht. Katari po i jep një shembull të mirë gjithë botës arabe, duke treguar se pa kulturë, zhvillimi ekonomik nuk mund të bëjë përpara. Emirati i Abu Dhali-t e ka kuptuar këtë dhe ka nisur të ndërtojë mbi rërë Luvrin dhe një degë të Gugenhem-it.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›