Kakome, banorët humbasin të drejtën e pronës
SARANDË - Të marten, në gjykatën e rrethit gjyqësor Vlorë u zhvillua gjyqi për njohjen e pronësisë së banorëve të fshatit Nivicë të Komunës së Bregdetit mbi tokën e pretenduar prej tyre në Kakome. Ky gjyq ishte pritur me shumë interes dhe ankth nga banorët e Nivicës për shkak se një vendim në favor të tyre dotë shënonte fundin e një proteste që po zgjat prej 15 ditësh. Kjo protestë pati si objekt ndalimin e makinerive të firmës “Riviera” me drejtues Dritan Çelën, për të filluar punë për ndërtimin e fshatit turistik në Kakome. Firma ndërtuese për ndërtimin e objektit në Kakome ka kontraktuar disa firma të tjera që, sipas specialiteteve të tyre, do të jenë nënkontraktore për këtë vepër që ka filluar mes përplasjesh qysh në shkurtin e vitit 2004. Trupi gjykues i seancës së zhvilluar në Vlorë, ku në qendër të objektit të hetimit gjyqësor ishte padia e ngritur nga banorët e Nivicës të cilët kanë paditur Këshillin e Qarkut të Vlorës dhe Agjencinë e Kthimit të Pronave në këtë qark, dha një vendim në dëm të banorëve për kthimin e tokës së Kakomesë. Institucioni i Kthimit të Pronave Vlorë, mbi bazën e një vendimi të arsyetuar, shoqëruar me një konkluzion mjaft të gjatë të mbështetur në prova dhe fakte. Vendimi i dhënë ishte një goditje e fortëpër shpresate niviciotëve për njohjen e pronës së pretenduar, të cilëve iu shua edhe shpresa se bllokimi i grykës së Kakomesë ishte një veprim i drejtë, pasi banorët ishin vendosur aty në mbrojtje të pronës së “tyre”, e cila po cënohej. Vendimii ka deligjitimuar banorët në protestën e tyre për kundërshtimin që i bëhet firmës “Riviera” për të filluar punimet mbi bazën e lejes së ndërtimit të nxjerrë në muajin korrik. Drejtuesi kryesor i protestës, kryetari i komunës së Lukovës, Vladimir Kumi, ditë më parë ka akuzuar zyrtarë të administratës së shtetit për veprime kundërligjore ndaj banorëve të Nivicës dhe pronës së tyre, duke shpresuar se do të provonin në gjykatë drejtësinë e pronës së mohuar, por kjo s’ka ndodhur. Në gjykimin e një dite më pare, banorët e Nivicës dolën të humbur, duke i mbajtur shpresat tani në shkallët e tjera të gjykimit.