Tiranë, shkatërrohet rrjeti i furnizuesve të heroinës
Operacioni u zhvillua pasditen e së hënës, ndërsa ende nuk dihet se kush ishin porositësit e lëndës narkotike
TIRANË - Antidroga e policisë së Tiranës bllokon dy kilogramë heroinë dhe çon në qeli pesë persona. Pasditen e djeshme, seksioni i luftës kundër drogës, organizoi një operacion të koduar “Trekëndëshi”, i cili u finalizua me arrestimin e pesë personave të cilëve iu sekuestrua rreth dy kilogramë e 100 gramë drogë e dyshuar e llojit heroinë. Fatmir Mezini,19 vjeç, nga Tirana, Ibrahim Cani, 34 vjeç, nga Peqini, Ardit Bakalli 29-vjeçar nga Elbasani, Denis Çaveli, 20 vjeç, nga Tirana dhe Nikolin Merko, 37 vjeç, nga Përmeti janë kapur pranë Rrugës së Elbasanit në Tiranë në pritje të dorëzimit të pakos së drogës. Policia nuk ka mundur të “presë” marrësin e mallit, pasi ka ndërhyrë duke çuar në qeli vetëm dorëzuesit e saj. Burime nga policia thanë se është shpallur në kërkim një tjetër person, anëtar i këtij grupi, i cili është identifikuar, ndërsa po punohet për të zbuluar dhe kapur të tjerë persona të mundshëm të implikuar në këtë rrjet të trafikimit të drogës.
Hetimi
Rreth dy muaj më pare, agjentët e antidrogës së policisë së Tiranës kanë siguruar informacione në rrugë operative për një grup personash që merreshin me trafikimin e heroinës në kryeqytet. Në “vesh” të agjentëve kishin mbërritur të dhëna se personat ishin furnizuesit e shpërndarësve të drogës në Tiranë dhe ishin të mirorganizuar. Kështu, menjëherë nisën hetimet për të verifikuar informacionet. Policia u vu në lëvizje për të vëzhguar personat e dyshuar, të cilët ishin anëtarë të këtij grupi. Burime nga policia thanë se të dhënat që antidroga dispononte, nuk ishin të mjaftueshme për të ndërhyrë me qëllim kapjen e të dyshuarve. Ndaj agjentët kanë pritur të arrestonin në flagrancë personat gjatë momentit që ata do të dorëzonin një sasi droge.
Operacioni
Dorëzimi sipas informacioneve të policisë do të kryhej pasditen e djeshme duke bërë që antidroga e policisë të ndërhynte për të kapur në flagrancë trafikantët e dyshuar, si dhe të sekuestronte sasinë e drogës. Kështu, pasditen e djeshme, teksa pesë personat Mezini, Ani, Bakalli, Çaveli dhe Merkaj ishin në pritje të dorëzimit të një pakoje brenda së cilës gjendej një sasi prej 2,1 kilogramë drogë, e dyshuar e llojit heroinë, ka ndërhyrë policia. Gjatë kontrollit, policia gjeti lëndën narkotike, ndërsa shoqëroi në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës pesë personat të cilët dyshohet të jenë dhe pronarët e sasisë së drogës së gjetur. Burime nga policia thanë se ende nuk dihet se nga vinte droga dhe kujt do t’i dorëzohej. Por nga hetimet e para dyshohet se heroina e sekuestruar kishte për destinacion tregun e kryeqytetit. Dyshohet se ajo do t’u dorëzohej shpërndarësve, të cilët furnizojnë më pas narkomanët e Tiranës. Ndërkohë që, sipas policisë, ky grup vepronte jo vetëm në Tiranë, por edhe në Elbasan, Kavajë e Peqin.