Plehrat "mbysin" detin në Radhimë e Orikum
Peshkatarët e zonës thonë se një nga shkaqet kryesore për ndotjen mund të jetë lumi Izvor që derdhet në det
VLORË - Prej orëve të para të mëngjesit, hapësira detare në bregdetin e Radhimës dhe Orikumit është ndotur me mbetje të ndryshme, të cilat kanë dhënë përshtypjen se makina me plehra ishin zbrazur në det. Por, nga ana e peshkatarëve të zonës mendohet se kjo ndotje ka qenë si pasojë e prurjeve të lumit Izvor të Dukatit që derdhet në këtë zone, apo edhe ndotjeve të tjera në bregdet. Shishe plastike të llojeve e përmasave të ndryshme, shishe prej qelqi, goma, mbetje organike, materiale drusore, myshqe kanë mbuluar një sipërfaqe të konsiderueshme, duke shkaktuar një situatë të rëndë në zonën bregdetare të kësaj zone, e cila në këto kushte i ka ngjarë një zone kënete të ndotur. Banorë dhe peshkatarë të zonës Radhimë dhe Orikum e shpjegojnë fenomenin duke parë si shkak të ndotjes mbetjet urbane, që hidhen në shtratin e lumit Izvor dhe në zona të papërshtashme e më pas përfundojnë në det, në raste të motit të keq. Për banorët që banojnë afër kësaj zone, kjo situatë përsëritet, në minisituata të tilla sa herë që përkeqësohet moti, por jo në përmasa të kësaj natyre. Sipas tyre, kjo ndotje që ka zaptuar hapësirën detare, nuk është regjistruar prej shumë vitesh.
Këputen harqet e kalasë së Ali Pashës
Moti i keq në orët e mbrëmjes së të hënës ka shkaktuar dëmtime në zona rurale të Vlorës. Shiu dhe era e fortë ka bërë që të ketë rrëshqitje dheu. Problematike ka qenë sidomos gjendja në akset që lidhin fshatrat Kuç e Kallarat me Vlorën, në të cilat dherat kanë zënë pjesë të rrugëve. Situata është vlerësuar nga drejtoria rajonale e rrugëve në Vlorë, ku kreu i së cilës, Saimir Haxhiu, pohon se gjendja ka qenë problematike në disa zona, ndërsa ka nisur ndërhyrja për të mos u rënduar më tepër situata. “Janë marrë kontakte dhe janë nisur në vend përfaqësues nga ndërmarrja. Ka grumbullime dheu në disa prej akseve rrugore. Një shtesë në buxhet është ndër të tjera zgjidhja afatgjatë që propozohet për disa prej segmenteve të tilla. Po kështu, për ndërhyrje në to i është kërkuar ndihmë edhe pushtetit qendror. Kontaktuar me kryetaren e komunës Hor Vranisht, Fatbardha Kapo, mëson se dëmtimet janë edhe më të mëdha, sidomos në zonat e Tërbacit, Vranishtit, Bolenës dhe kjo për shkak të shirave të rrëmbyeshëm që kanë rënë gjatë natës, një situatë që nuk është parë prej vitesh. Në fshatin Vranisht janë këputur dy nga harqet e kalasë së Ali Pashës, monument kulture. Në Tërbaç dhe në Bolenë lëvizja e mjeteve është ndërprerë, kjo për shkak të masiveve të mëdha të gurëve, të cilat kanë rënë në rrugë, por edhe çarjes së këtyre të fundit, siç ka ndodhur pranë aksit të rrugës që lidhet me fshatin Tërbaç. Asnjë automjet nuk ka kaluar dot rrugën për shkak të dëmtimeve që ka pësuar aksi, duke paralizuar lëvizjen në këto rrugë. Po kështu, ka pasur këputje të linjave të energjisë, për shkak të fortunalit, çka ka lënë shumë nga zonat pa drita. Nuk flitet ende për dëme në banesa, por dëme ka pasur në mbjellje, si në ato me grurë apo tërshërë. Kryetarja e komunës Hor Vranisht, Fatbardha Kapo, pohon se sot pritet të ketë një raport të plotë për dëmtimet në mbjellje, të cilat janë të konsiderueshme. Situata ka gjetur thuajse të papërgatitur banorë të zonës, të cilët thjesht janë dorëzuar para kushteve që ka diktuar natyra.