E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pesë orë panik, digjet fabrika hidrosanitare

Një zjarr i fuqishëm ka
përfshirë dje në mesditë
një fabrikë hidrosanitare
në autostradën
që lidh Tiranën me Durrësin,
duke shkaktuar një dëm i cili
mendohet në miliona euro. Flakët
e mëdha, që nxinë qiellin, kanë
sjellë panik të madh te njerëzit,
ndërsa zjarrfikësve u janë dashur
disa orë për t‘i shuar. Policia ka
evakuuar banorët e zonës, ndërkohë
që disa zjarrfikës janë asfiksuar
gjatë përpjekjeve për të shuar zjarrin.
Fabrika "Henri sh.p.k" është
djegur e tëra, por dëme janë bërë
edhe në një magazinë tjetër, ngjitur
me vatrën e zjarrit. I pezmatuar
nga kjo ngjarje e rëndë, pronari i
fabrikës, Ylli Xhakovari, nuk ka
mundur të komentojë asgjë në
lidhje me zjarrin, por veçse ka deklaruar
se dëmi arrin në miliona
euro. Ai ka shpjeguar se grupi hetimor
do të vlerësojë dëmin dhe do
të gjejë shkakun e vërtetë të zjarrit.
Zjarri në fabrikë
Rreth orës 12:40, shërbimet zjarrfikëse
kanë marrë njoftim se zjarr i
madh ka shpërthyer në një fabrikë
hidrosanitare në autostradën Tiranë-
Durrës. Drejt vendit të ngjarjes
janë dërguar me urgjencë
gjashtë makina zjarrfikëseje, të
cilat kanë nisur punën për shuarjen
e flakëve gjigante që po përpinin
ndërtesën. Menjëherë është
konstatuar se flakët e kishin vatrën
në ambientet e fabrikës së hidrosanitareve
"Henri sh.p.k". Përmasat
e mëdha të zjarrit kanë bërë që
në vendngjarje të shkojnë edhe
forca të shumta policie dhe një
ambulancë. Fillimisht, askush nuk
dinte nëse brenda fabrikës kishte
njerëz, apo kishin dalë të gjithë jashtë
sapo kanë parë zjarrin të
shpërthejë në ndërtesë. Megjithatë,
shumë shpejt është njoftuar se
brenda nuk kishte asnjë punonjës.
Sipas të dhënave të mbledhura nga
policia, aty punonin rreth 20 persona,
por të gjithë në panik kishin dalë
nga ndërtesa sapo kishte shpërthyer
zjarri. Flakët e mëdha kanë sjellë
probleme edhe për zjarrfikësit, të
cilët kanë kërkuar ndihmë nga
kolegët e Durrësit dhe Fushë-
Krujës. Rreth orës 13:30, të sinjalizuar
për ngjarjen e rëndë në autostradë,
zjarrfikësit e Durrësit janë
nisur urgjent në drejtim të fabrikës
që po digjej. Tri makina zjarrfikëse
shkuan menjëherë për ndihmë
pranë fabrikës dhe gjithsej, bashkë
me zjarrfikëset e Tiranës, numri
i tyre ka shkuar në nëntë.
Paniku për
stacionin elektrik
Informacioni i dhënë për një stacion
elektrik pranë fabrikës që po
digjej ka shtuar panikun te banorët,
por edhe te forcat e
emergjencës, të cilat po mundoheshin
të lokalizonin flakët. Frika
nëse flakët arrinin pranë këtij
stacioni elektrik ka bërë që policia
të evakuojë gjithë zonën dhe të
ndërmarrë veprime të shpejta për
heqjen e energjisë elektrike. Por
fati ka qenë me njerëzit, pasi era ka
ndryshuar drejtim, duke e penguar
zjarrin të përhapet drejt stacionit.
Në atë kohë, Operatori i Sistemit të
Shpërndarjes (OSSH), ka stakuar
energjinë elektrike për të gjithë
zonën ku ndodhet fabrika e hidrosanitareve.
Burime nga OSSH
thonë se stakimi u bë për arsye sigurie,
pasi pranë fabrikës "Henri
sh.p.k" ndodhet një stacion elektrik.
Sipas të dhënave, zona do të
qëndrojë pa energji derisa të shuhen
flakët dhe të mos të ketë më
rrezikshmëri. Gjithashtu, në këtë
zonë operojnë shumë biznese të
mëdha, të cilat kanë ndërprerë
punën gjatë orëve të tmerrit. Ndërsa
orët kalonin dhe zjarrfikësit
mundoheshin të fiknin flakët me
qëllim parandalimin e ndonjë
tragjedie dhe minimizimin e
dëmeve, një godinë dykatëshe e
fabrikës është djegur tërësisht.
Rrezikohen dy
magazina të tjera
Rreth orës 14:00, zjarri është
përhapur në godinën gjashtëkatëshe
ngjitur me fabrikën hidrosanitare.
Sipas zjarrfikësve, fillimisht flakët përfshinë godinën
dykatëshe të fabrikës së firmës
"Henri sh.p.k" dhe i është afruar
godinës 6-katëshe, ngjitur me godinën
në flakë, duke rrezikuar
shembjen e saj. Drejtori i Forcave
Zjarrfikëseve, Dilaver Laçi, u
shpreh për mediat nga vendi i ngjarjes,
se rreth orës 14:40, intensiteti
i flakëve ishte në rënie. "Po bëjmë
të pamundurën për të shpëtuar
godinën 6-katëshe, ndërkohë që
janë ende në rrezik dy magazinat e
tjera të kësaj fabrike", detajoi ai. Për
sa i përket nënstacionit elektrik,
drejtori Laçi shpjegoi se nuk përbën
më ndonjë rrezik që të përfshihet
nga flakët. Sipas informacioneve në
vendngjarje, godina që rrezikohej
të digjej pas fabrikës i përket firmës
"Agro Plant", e cila merret me prodhimin
e tubave plastikë.
Merr flakë edhe
"Agro Plant"
Megjithatë, kur mendohej se
zjarri ishte vënë nën kontroll, flakët
përfshinë një godinë tjetër. Rreth
orës 16:20, zjarri përfshiu edhe fabrikën
"Agro Plant", e cila ishte ngjitur
me magazinën e hidrosanitareve.
Policia tha se kishte vënë nën kontroll
flakët në magazinën e kompanisë
"Henry sh.p.k", por era ka
shtyrë zjarrin dhe si rrjedhim kompania
"Agro Plant" nuk i ka shpëtuar
flakëve. Por në një kohë të shkurtër,
forcat zjarrfikëse mundën t‘i
vinin flakët nën kontroll.
Shuhen flakët
pas pesë orësh
Në orët e mbrëmjes, kur errësira
kishte rënë dhe në horizont
dukeshin vetëm flakët e tymi i
shumtë, forcat e grupit të formuar
kanë mundur të shuajnë flakët.
Rreth orës 17:30, zjarrfikësit
mundën të shuanin zjarrin e rënë
që prej pesë orësh. Flakët e fundit
janë eliminuar në godinën "Agro
Plant", e cila mori zjarr për shkak të
drejtimit të erës. Në vendngjarje u
pa se flakët janë lokalizuar edhe në
këtë magazinë dhe zjarri po shuhej
përfundimisht, duke i dhënë fund
edhe panikut që përjetuan, qoftë
banorët e zonës, por edhe bizneset
që operojnë në autostradë, përreth
vatrës së zjarrit.

Laçi: Flakët i vumë nën kontroll pas pesë orësh

Dje nuk kanë munguar edhe prononcimet e një
pasnjëshme të zjarrfikësve me mediat, duke
u munduar të sensibilizojnë njerëzit dhe të
japin sa më shumë informacione të sakta për zjarrin e
shkaktuar. Shefi i përgjithshëm i Zjarrfikësve, Dilaver
Laçi, bën të ditur se situata është vënë e gjitha nën
kontroll dhe se po punohet ende për shuarjen e plotë
të flakëve. "Qëllimi ynë është mbrojta e objekteve
që nuk janë përfshirë nga flakët, si dhe ruajtja e dy
magazinave të mëdha të mbushura me materiale",
theksoi Laçi në një prononcim. Më tej, ai shtoi se ajo
që mund të thuhet është se zjarri ka shkaktuar
dëme shumë të mëdha materiale. "Kemi kërkuar të
gjitha përforcimet e mundshme dhe po arrijmë të
mbajmë nën kontroll flakët. Aktualisht në vendngjarje
ndodhen mbi 15 zjarrfikëse", u shpreh ai në një
moment të operacionit për shuarjen e zjarrit në fabrikën
me hidrosanitare.

Zjarr edhe në një banesë në Kombinat

Një zjarr tjetër ka rënë dje në mëngjes,
duke djegur plotësisht një banesë
private në lagjen Kombinat të Tiranës.
Burimet policore bënë të ditur se zjarri
është shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.
Sipas të dhënave policore, në orën
07:30, në rrugën "Hamdi Cenoimeri", ka rënë
zjarr në një banesë private në Kombinat,
pronë e Agim Qoses, 54 vjeç. Zjarri ka djegur
plotësisht banesën, por fatmirësisht nuk ka
pasur viktima në njerëz. Policia shpjegoi se u
kryen veprimet hetimore, ku rezultoi se zjarri
ka rënë nga një shkëndije elektrike dhe
mendohet se vatra ka qenë te soba elektrike.
Familja tregoi se gjithçka brenda banesës, që
nga pajisjet elektro-shtëpiake dhe mobiliet
janë djegur plotësisht, ku dëmi llogaritet në
shumën e 800 mijë lekëve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›