E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lind "partia e biondeve", kërkon të pushtojë Kremlinin

Kur kalojnë në rrugë, bëjnë që shumëkush të kthejë kokën prapa, por askush deri më tani nuk kishte menduar se ato kishin nevojë të mbroheshin. Por, ka disa ditë që biondet ruse kanë një parti të tyren. Madje një parti të hapur edhe për brunet apo burrat që kanë debulesë biondet: "Është partia e biondeve, e atyre që janë bionde brenda dhe atyre që i duan biondet", ka thënë për "Tajmsin" e Londrës sekretarja e Përgjithshme e partisë, Marina Voloshinova, që për ironi të fatit është brune. E duke lënë mënjanë batutat, nuk bëhet fjalë për të mbrojtur biondet nga fama e keqe që kanë pasur gjithnjë, të bukura, por aspak të mençura. Marina, që nuk është aspak budallaçkë (ka dy diploma prej të cilave një në ekonomi) kërkon ta bëjë partinë e saj organizatën e parë politike që do të merret mbi të gjitha me problemet e vërteta të grave, bionde apo brune qofshin ato, të mungesës së shanseve të barabarta në punë dhe vështirësive lidhur me rritjen e fëmijëve. Kështu, ajo thjesht luan me idenë e biondeve. Në fillim, në fakt, gjithçka kishte filluar si një shaka, me krijimin në internet të "Klubit të adhuruesve të biondeve", i themeluar nga një sipërmarrës që tani është president i partisë së sapolindur, Sergei Kushnerov. Sekretarja e partisë pranon se i ka lyer flokët një herë, por shton se "rezultati ka qenë shkatërrimtar". Gjithsesi, e rëndësishme është të jesh bionde brenda, thotë ajo duke buzëqeshur. "Është një mënyrë për ta pranuar jetën më lehtë, ashtu siç vjen, dhe për t‘u argëtuar", shton. Për momentin, partia ka 5 mijë anëtarë në gjashtë qytete dhe rajone, nga Moska në Novosibirsk, në Siberi. Natyrisht, Marina po përpiqet të tërheqë personazhe të famshëm për t‘i bërë publicitet iniciativës. Tenistja Maria Sharapova; guvernatorja e Shën Pjetërburgut, Valentina Matvijenko (putiniane e hekurt); Paris Hilltoni i Rusisë, Ksenia Sobchal, bija e guvernatorit të ndjerë të qytetit balltik etj. E në fakt, Ksenia, personazh i famshëm televiziv dhe e ftuar e përhershme në të gjitha festat, është personazhi i duhur. Kohë më parë ajo kishte themeluar një lëvizje të vetën që quhej "Të gjithë të lirë": gjithkush duhet të bëjë sipas saj atë që dëshiron. Sekretarja e partisë së re nuk e pohon, por arritja më e madhe është solidariteti i Zonjës së Parë, të re, të Rusisë, biondes së shkëlqyer, Svetlana Medvedeva. Ideja është që pas katër vitesh të hidhet në lojë edhe një kandidat për zgjedhjet presidenciale. Nuk është aspak e lehtë sepse për të regjistruar partinë nevojiten 50 mijë firma në tërë vendin dhe për të prezantuar një kandidat dy milionë të tjera. Por, një bionde e bukur mund të bindë gjithkënd: "Edhe burrat do të vendosen në radhë për të votuar për një bionde", thotë Marina. "Veçanërisht nëse do të jetë veç të tjerash edhe e zgjuar".

SSSASS

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›