Grabitës nga Tirana për të peshkuar turistët
SARANDË- Në këto ditë të nxehta të gushtit qyteti i Sarandës është kthyer në një nga vendet më të preferuara të pushuesve por edhe të hajdutëve nga e gjithë Shqipëria. Brenda një kohe të shkurtër është evidentuar grabitja e disa shtëpive dhe një hoteli por vetëm dje policia lokale ka arritur që të identifikojë hajdutët. Ata janë nga kryeqyteti por këto ditë kishin zgjedhur të vepronin në Sarandë. Burimet zyrtare të policisë pohuan dje shoqërimin e minoreneve A.F, banor i Paskuqanit, M.C, banori i Alliasit dhe K.D. banor i Babrrusë. Ata akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë kryer vjedhjen e sendeve të çmuara në dhomat e një hoteli në Sarandë.
Gjatë kontrollit të njërit prej minorenëve i janë gjetur 750 euro si dhe telefoni celular i një pushuesi. Sipas ekspertëve, minorenët kishin ditë që ishin vendosur në qytetin e Sarandës për të ushtruar vjedhjet dhe pastaj të largoheshin. Por aventura e tyre ka përfunduar pa sukses. Sipas hetimeve të deritanishme rezulton, se në deponimet e tre të ndaluarve bie në sy fakti qe ata pohojnë, se pasi të siguronin paratë e nevojshme, do të tentonin largimin përmes kufirit drejt Greqisë. Tre minorenët e ndaluar janë përcjellë në mjediset e komisariatit të Gjirokastrës, pasi në Sarandë nuk ka kushte të përshtatshme për paraburgimin e të miturve. Po ditën e djeshme, në orën 04.00, patrulla e policisë ka kapur në flagrancë shtetasin Flatun Shehaj, 22 vjeç, i cili kishte hyrë në banesën e shtetasit Gentian Beshihi për të vjedhur. Shehaj ka qenë i ndaluar në nëntor të vitit të kaluar për dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm kufiri. Edhe për këtë shtetas është bërë ndalimi për vjedhje mbetur në tentativë për tu paraqitur pas disa ditësh në gjykatë për akuzën e ngritur ndaj tij.