E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia greke kthen 150 klandestinë brenda një dite

Kapshticë, të kthyerit kanë kaluar kufirin ilegalisht me këmbë dhe janë kapur në fshatrat pranë Shqipërisë

KAPSHTICË- Stina e verës shton kthimet e klandestinëve nga policia greke në vendkalimin kufitar të Kapshticës. Dy fenomene kontradiktore duket se ndodhin shpesh në këtë pike kufitare që lidh Shqipërinë me Greqinë. Nga njëra anë, emigrantë të shumtë që vijnë të kalojnë pushimet në atdheun e tyre, ndërkohë që realiteti tjetër gati i pandryshuar në vite, është dhe ai i klandestinëve që kthehen gati çdo ditë me përjashtim të ditëve të fundjavës nga policia greke. Në morinë e madhe të emigrantëve që kanë populluar të paktën prej dy muajsh pikën kufitare të Kapshticës, kthimet vazhdojnë të jenë pjesë e punës të policisë greke dhe mandej të asaj shqiptare. Kushtet e favorshme klimaterike të motit kanë ndikuar në kalimet ilegale të kufirit, ndërsa këtë e dëshmojnë dhe kthimet e policisë greke që gati janë të përditshme në këtë vendkalim kufitar në juglindjen shqiptare. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë kthyer nga policia e shtetit fqinj plot 147 persona, ndërkohë që policia shqiptare nga ana e saj ka shtuar dhe kontrollet në pikat strategjike të vijës kufitare si në rrethin e Devollit por dhe atë të Kolonjës në qarkun e Korçës.

Sipas autoriteteve të policisë kufitare në Kapshticë, mësohet se terreni i thyer malor vështirëson punën e policisë së shtetit, duke krijuar mundësi të arta për ata që kalojnë nëpërmjet kufirit të gjelbër të dy shteteve duke hyrë ilegalisht në territorin grek. Të gjithë klandestinët që kapen në Greqi, kthehen prapa pasi nuk kanë asnjë lloj dokumenti apo leje qëndrimi për në këtë shtet të Bashkimit Evropian. Por fenomeni vazhdon të jetë i pandryshueshëm, ndonëse policia greke, nga ana e saj, ka nën vëzhgim të plotë kufirin me Shqipërinë për të ndaluar kalimet e klandestinëve si dhe kalimet e trafiqeve të paligjshme që janë më të mundshme në këto rrugë ilegale përmes maleve. Sipas shifrave zyrtare, në 24 orë numri i të kthyerve ka qenë 147 persona, ndërsa emigrantët ekonomike që kanë hyrë ilegalisht në shtetin grek kanë përdorur kufirin duke ecur më shumë se 24 orë në këmbë. Ata mësohet të jenë kapur kryesisht në zonat afër kufirit me Shqipërinë si në Kostur, Follorinë, Kozan, Ptolemaidha, Edesa deri dhe në Selanik e Veria. Duke iu referuar statistikave, vetëm gjatë harkut kohor të një muaji në Kapshticë policia greke ka sjellë më shumë se 1200 klandestinë, të cilët pasi janë mbajtur në izolim për disa orë deri dhe në 24 orë në policinë greke ku kanë dhënë të gjitha të dhënat e tyre, i janë nënshtruar marrjes në pyetje dhe dhënies së gjenealiteteve edhe në policinë kufitare të rrethit të Devollit në Kapshticë, për tu lënë më pas të lirë. Sipas autoriteteve shqiptare, pranë këtij vendkalimi mësohet se nuk kursehen as gjobat ndaj atyre që janë përsëritës të kalimit ilegal drejt kufirit të huaj, vlera e të cilës varion nga 500-1000 lekë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›