E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kur punon vetëm gruaja!

Zëra femërorë

Në një nga seritë e fundit të filmit “Shtëpiake të Dëshpëruara”, i shfaqur në televizionin “Top Channel”, të bënte përshtypje mënyra se si ishte trajtuar një fenomen shoqëror tashmë tepër i njohur edhe në Shqipëri. Gruaja që punon, ndërsa burri që papritur është i papunë: Kështu në film, njëra nga personazhet, po përjetonte situatën e një pune të lodhshme nga mëngjesi deri në darkë, ndërsa i shoqi i saj prej kohësh përballej me problemin e papunësisë dhe detyrohej të merrej me punët e shtëpisë. Por kur personazhi femër kthehej nga puna, edhe pse e lodhur nga stresi i mbledhur nga gjithë dita e gjatë e punës, përsëri gjente pak kohë për t’i dhuruar intimitet bashkëshortit të saj. Dhe këtë e bënte jo sepse e dëshironte vërtet në ato çaste, por në emër të impenjimit që dikush merr përsipër në shtratin dhe jetën bashkëshortore.

Ky model amerikan përballet me modelin e kohëve të fundit në Shqipëri, ku një pjesë e mirë e femrave të punësuara, që marrin një rrogë të mirë, hera-herës edhe më të mirë se burri, si dhe një pjesë tjetër që i kanë bashkëshortët pa punë, e shfrytëzojnë këtë fuqi financiare, duke e përjashtuar burrin nga krevati, madje duke preferuar të flenë me fëmijën e vogël, mashkull apo femër. Zhburrërimi që këto femra u bëjnë bashkëshortëve, nuk ndodh vetëm në krevatin martesor, ku përherë flihet me fëmijën në mes, por shpërfaqet edhe në familje, fis e shoqëri. Kështu, burri i papunë shitet si i pavlerë, me shprehjet pothuajse të njëllojta: “çfarë do bënim po të mos isha unë? Po të mos sillja unë para në shtëpi, ti nuk do haje? Skam nevojë për ty, kam djalin. Ishalla fëmijët nuk ngjajnë nga ty”!

Të gjithë e dinë se jeta bashkëshortore është e vështirë. Por kur dëgjon e shikon raste të tilla, ku superioriteti femëror i kapërcen kufijtë e së ashtuquajturës barazi gjinore, të kujtohet betimi që bëhet ditën e martesës, ku i premtohet të dashurit të zemrës, se do i qëndrohet pranë në të mirë e në të keq, në shëndet e në sëmundje. Betim që është tejet e vështirë për t’u mbajtur gjatë jetesës martesore. Dhe padyshim që është edhe më e vështirë kur një grua vesh pantallonat e burrit të shtëpisë, duke sjellë paratë për të jetuar, ndërkohë që mashkulli është parë përherë si fuqia ekonomike, si shtylla e familjes. Fuqi ekonomike, të cilën mashkulli e ka përdorur ndër shekuj për të sunduar gruan, dhe kjo e fundit po në shekuj është munduar të ngrihet lart dhe të kërkojë barazinë, madje duke e quajtur këtë si një detyrë të burrit. E pikërisht, kjo epërsi e femrës, vjen si rrjedhim i nënshtrimit shekullor që ajo ka pasur, dhe në rastin më të parë të dobësisë ekonomike mashkullore, ajo gjen rast dhe vërsulet, duke u sjellë njësoj si armiku shekullor - mashkulli. Femrat bëjnë pikërisht atë sjellje, të cilën e kanë luftuar, e kanë dënuar dikur, duke harruar që kjo nuk bën gjë tjetër veçse shkatërron lidhjen bashkëshortore. T’i hedhësh në sy burrit paaftësinë e një çasti për të gjetur punë, nuk bën gjë tjetër veçse e shtyn një shkallë më poshtë në humnerën e thellë të dëshpërimit, por në mënyrë të pakuptuar po në këtë humnerë hedh edhe lidhjen martesore.

Një mashkull i zhburrëruar nuk është modeli më i mirë për fëmijët. Femrat shqiptare harrojnë kompleksin e Edipit, sipas të cilit “Babai është ai që do të dëshironte të ishte, dhe nëna ajo që do të dëshironte ta kishte”, i përkthyer më thjeshtësisht në atë çfarë ndodh gjatë jetës: Fëmijët meshkuj kërkojnë që kur të rriten t’i ngjajnë babait, ndërsa fëmijët femra e kërkojnë bashkëshortin e ardhshëm të ngjashëm me modelin atëror.

Femrat harrojnë se modelet e vogëlisë sonë janë tepër të rëndësishme në zgjedhjet që ne bëjmë kur rritemi. Janë pikërisht këto modele që na ndihmojnë të shtrojmë shinat ku duhet të ecim. Dhe sa më të forta të jenë këto shina, aq më e sigurt është rruga që ne ndërtojmë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›