E Diel, 1 Nëntor 2026

Lindita Kodra, femra që mposht burrat në pistoletë

Autori i Lajmit: red.
“Pengu im, më shumë kohë për dy djemtë e mi”

Sportistja rrëfehet për ambiciet në sport dhe jetën private

Qitja ka qenë sporti i Partisë, sporti i syrit të pushkës kundër armikut… Ndonëse qitja është një sport olimpik i mirëfilltë, rezultatet e qitjes shqiptare në kohën e Partisë kanë qenë sensacionale. Deri aty saqë Shqipëria pati dy Kampione Evrope, madje edhe një Kampione Evrope për të reja.
Deri pak muaj më parë për të gjithë sportet e saj, Shqipëria kishte vetëm dy Kampione Evrope, të famshmet Elizabeta Karabolli dhe Ermira Dingu dhe asnjë titull kësisoji për të rriturit e sportit shqiptar në asnjë lloj sporti tjetër. Deri më sot, në një Kampionat të Evropës, vetëm sporti i qitjes e ka detyruar kontinentin e vjetër, t ia ekzekutojë himnin kombëtar Shqipërisë. Tri dekada më parë falë Karabollit e Dingut. Dhe pas kësaj pauze që zgjati plot 27 vjet, falë Lindita Kodrës. Qitësja shqiptare, Lindita Kodra është sportistja e parë që ka siguruar një biletë për pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të Pekinit 2008, që zhvillohen në gusht. Kodra e ka arritur një gjë të tillë nëpërmjet mënyrës më të mirë të mundshme, duke u shpallur Kampione Evrope në Kampionatin Evropian për të rritur, që është zhvilluar në “Granada” të Spanjës. Një rezultat i jashtëzakonshëm për vendin tonë, ku suksesi më i fundit në këtë disiplinë ka qenë ai i Ermira Dingut, rreth 27 vite më parë. Lindita Kodra ka marrë pjesë në evropian në disiplinën pistoletë 30+30, duke treguar një formë të shkëlqyer që në fazën eliminatore. Gjatë baterive kualifikuese, ajo ka arritur të marrë 584 pikë, duke siguruar pjesëmarrjen në finale. 45-vjeçarja, Kodra ka dhuruar një tjetër paraqitje të mirë në finale, duke siguruar 101.8 pikë, falë të cilave është renditur e para dhe duke marrë medaljen e artë në këtë Kampionat Evropian. Rëndësia e këtij suksesi vlen dyfish, pasi evropiani i zhvilluar në Granada ka qenë një prej kualifikueseve në Lojërat Olimpike "Pekin 2008". Duke u shpallur Kampione Evrope, Kodra ka siguruar automatikisht pjesëmarrjen në këtë eveniment, duke qenë e para ndër pretendentët që garanton praninë në Pekin. Aktualisht, ajo renditet e 46-ta në botë për disiplinën pistoletë 25 metra, ndërsa është në vendin e 76-të në disiplinën pistoletë 10 metra.

Si e keni nisur sportin e qitjes?
Kam qenë në klasë të shtatë në vitin 79, kur një shoqja ime më merr dhe më çon te poligoni, pasi kisha shfaqur gjithmonë kuriozitet për ta parë nga afër. Kontakti i parë fizik me të më ngjalli një emocion, të cilin e kam ende gjallë. Instruktorja e poligonit më tërhoqi, duke me dhënë një pistoletë që unë të provoja talentin tim edhe pse atë ditë kisha shkuar vetëm për të parë dhe as që e kisha menduar që do prekja një pistoletë. Shënova pëlqyeshëm dhe që nga ajo ditë kam qenë pjesë e ekipit të Laçit, për të cilin unë kam garuar deri në vitet e demokracisë.

Si e keni ndjerë veten si pjesë e këtij sporti?
Të them të drejtën shpesh herë e kam paragjykuar veten duke menduar se ky është një sport burrëror, me armë me fishekë, por jo, tani kam kuptuar që qitja të jep forcën që jo çdo sport mund të ta dhurojë. Për mua qitja është art, jo sport burrash.

Si e ka pritur familja juaj aktivizimin në sport?
Ka qenë shumë e vështirë që ata të bindeshin, por unë e kisha vendosur duke marrë në konsideratë edhe vlerësimet që kisha marrë nga mësuesit e mi. Për prindërit e mi sporti ishte tabu, unë isha vajzë e vetme dhe normalisht ata nuk donin të paragjykoheshin nga të afërmit apo të të njohurit. Edhe pse pa dëshirën e tyre unë fillova të stërvitesha dhe shumë shpejt mora pjesë në gara me të rriturit. Që në shkollë të mesme unë merrja trajtim dhe në një farë mënyre mundja të rregulloja edhe ekonominë e dobët të familjes. Duke qenë se kemi qenë të përndjekur, pasi kishim një xhaxha të arratisur në SHBA, kushtet në të cilat jetonim nuk ishin shumë të favorshme.
Sa ka ndikur ky persekutim në karrierën tuaj sportive?
Normalisht ka ndikuar. Unë kam qenë ndër sportistet më të mira dhe pothuajse në çdo garë fitoja vendin e parë, por për shkak të biografisë së keqe, emri im nuk bëhej publik dhe unë spostohesha nga lista për tu renditur e fundit. Kjo më ka ndikuar edhe në mos daljen jashtë vendit me turne dhe shpesh herë të vë në dyshim zgjedhjen time të adoleshencës.
Cila ka qenë gara juaj e parë jashtë vendit?
Për herë të parë kam dalë jashtë vendit në vitin 1991, ku kam marrë pjesë në kampionatin Evropian të Bolonjës. Rezultati ka qenë i kënaqshëm, por nuk mund ta marr asnjë çmim, pasi ishte hera ime e parë që përballeësha me botën jashtë kufirit shqiptar, dhe me ambiente sportive të përmasave të tilla.
Aktualisht jeni pjesë e ekipit “Studenti”, kur jeni bërë pjesë e tij?
Jam transferuar me ekipin “Studenti” në vitin 1998, dhe kam filluar stërvitjen pas një periudhe të gjatë pushimi. Kam pasur fatin të bashkëpunoj me sportistë profesionistë, të cilët bënë të mundur që unë të jem sot këtu ku jam, me një medalje në dorë.

Cila është arma juaj më e fortë?
Besoj se është qetësia, kjo jo vetëm për sportin që unë përfaqësoj, por edhe nga natyra që më karakterizon. Jam mjaft e qetë dhe kjo qetësi më jep mundësinë e përqendrimit dhe të shënimit në shenjë.

Jeni 45 vjeç, kur mendoni se do ta lini sportin?
Do të thoja që qitja është i vetmi sport ku mosha nuk përfillet. Nuk ka asnjë problem nëse unë jam 60 vjeç dhe arrij të shënoj mjaft saktë. Aktualisht nuk kam planinifikuar ta lë sportin. Dua që pasionin tim ta transmetoj edhe te të tjerët dhe talentin për qitjen ta vë në shërbim të Shqipërisë.

Jeni familjare, sa ju pengon sporti për të qenë një nënë ideale?
Nuk jam një nënë ideale, edhe pse bëj gjithçka për të qenë e tillë. Këtë nuk ma lejon koha, nuk kam mundësi të jem pranë djemve të mi në çdo kohë, pasi më duhet edhe të stërvitem. Ndihem e kënaqur, sepse ata më kuptojë dhe më përkrahin.

Keni dy djem, cili nga ata e ka trashëguar talentit tuaj?
Djali i madh është 18-vjeç dhe vetë mosha e bën që të jetë më i përkushtuar me shoqërinë dhe më pak me sportin e qitjes. Ndërsa djali i vogël, i cili është 12 vjeç është mjaft i përkushtuar. Pothuajse çdo ditë më shoqëron gjatë stërvitjes dhe vjedh pozicione të ndryshme nga unë ose koleget e mia. Duket se ka talent dhe besoj se ka qetësinë e nevojshme për tu marrë me këtë sport.

Cila është surpriza më e bukur që ju kanë bërë?
Kam marrë shumë dhurata që do të ngelen gjatë në kujtesën time, por do të tregoj për surprizën më të fundit. Pas garës së fundit, ku edhe u shpalla Kampione Evrope, im shoq gjeti një mënyrë mjaft origjinale për të treguar se ishte krenar për mua. Sapo vij në Shqipëri ai më dhuron një makinë “Golf 5” dhuratë kjo që më befasoi.

Siç e dimë të gjithë, sportistët shqiptarë që kanë marrë medalje kanë pasur probleme me tërheqjen e parave të medaljes nga Ministria e Sportit. Me ju çfarë ka ndodhur?
Nuk mund të them që kam pasur ndonjë problem të madh. Ashtu si gjithë sportistëve të tjerë edhe më mua pati disa vonesa proceduriale, por që para disa kohësh unë i mora të gjitha lekët që më takonin.

Si i keni shpenzuar këto lekë?
Ishte një shumë relativisht e madhe dhe nuk doja t i shpenzoja kot. Mendova të hap një biznes në mënyrë që djemtë e mi të kujtojnë mundin dhe sakrificat e mia si sportiste dhe ndoshta të ndihen krenarë më vonë për këtë fakt

Qitja ndër vite

Ngjarja është e madhe vërtet, sepse krejt papritmas, një qitëse shqiptare bëhet kampionia e parë e Evropës mbas rënies së komunizmit. Përse themi mbas rënies së komunizmit? Sepse ka një vijë demarkacioni edhe për historinë e sportit shqiptar: para dhe mbas rënies së komunizmit ose ndryshe: demokracia 15 vjet mbas rënies së komunizmit ka ende probleme të shumta me atë shoqëri edhe në fushën e sportit. Vetë shoqëria komuniste i pat rregulluar “fort bukur” marrëdhëniet e saj me Shqipërinë e Paraluftës, ashtu si në të gjitha fushat e jetës shqiptare, edhe në sport. Me një të rënë të lapsit Partia tha: “Edhe sporti jam unë!” Ajo nuk pranoi të krahasohej me sportin e Paraluftës, atë të Mbretërisë, si dhe atë të gjatë Luftës, por çeli një faqe të re më 28 apo 29 nëntor 1944 dhe tha: “Para çlirimit nuk ka pasë sport!” Ndonëse deri në atë kohë ishin zhvilluar 7 Kampionate Kombëtare të Futbollit, 6 Kampionate Kombëtare të Atletikës, 6 Kampionante Kombëtare të Notit, 2 rrethe Çiklistike të Shqipërisë (por 3 Kampionate Kombëtare), kampionate kombëtare në boks dhe mundje, kampionate të pafund të shkollave e të gjimnazeve deri në basketboll e volejboll, madje ndërqytetëse. Shqipëria mori pjesë në katër edicione të Lojërave Ballkanike të Atletikës, pati marrëdhënie jo të pakta ndërkombëtare sportive, me fqinjët të paktën. Por Parta tha se para çlirimit nuk ka patur sport dhe nuk i njohu asnjë nga këto kampionate. Me arrogancë, me prepotencë, me frikmëri, me diktat dhe i bëri sportet simbas mënyrës së saj. E ndihmoi Jugosllavia, por sidomos e ndihmoi jo pak BRSS dhe vendet e tjera komuniste, mandej Kina Popullore. Dhe, nuk e bëri keq. Kjo për hir të së vërtetës, sepse demokracia nuk mohon askënd, ajo vetëm konfirmon dhe rindërton dhe synon. Shoqëria demokratike ende nuk e ka mundë shoqërinë komuniste në sportin shqiptar. Kjo për sa u përket rezultateve ndërkombëtare dhe nivelit të kampionateve kombëtare në të gjitha sportet. Bën përjashtim vetëm peshëngritja, i vetmi sport që mund të themi se e ka kaluar atë të shoqërisë komuniste. Doemos, duke u mbështetur në traditën e krijuar asokohe. Të kuptohemi, ndonëse ende larg is- vendeve të tjera ish komuniste edhe në Shqipëri organizimi i sportit po bëhet simbas kërkesave juridike, shoqërore dhe shkencore të demokracisë. E kemi fjalën për prapambetjen në rezultate.
Ky lajm është publikuar: 30/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›