Lindja, zhdukja dhe rilindja e Olimpizmit Shqiptar (III)
Rikthimi meteorik shqiptar i mbas 12 vjetëve
III.
Siç kemi shkruar në pjesën e dytë të kësaj historie, botuar në “TemA” më 2 dhjetor 2008, askush nuk mendonte se mbas pak muajve, 1961, do të niste izolimi sportiv i Shqipërisë prej kampit komunist dhe natyrisht edhe zhdukja e olimpizmit shqiptar për shumë kohë. Për ne, maturanët shqiptarë viti 1960, ku në atë ngushtësi jete sporti na bënte të ëndërronim jo pak, do të mbetej në kujtesë më shumë se asgjë, filmi italian për Olimpiadën e Romës i shfaqur me bujë në kinematë shqiptare. Ishte një poezi sa filmike aq dhe sportive, të cilën e shihnim gati përditë në Kinema “Partizani”, duke kuptuar për herë të parë se çka ishte një Olimpiadë, ndonëse aty kishte munguar Shqipëria jonë.
Vasil Konomi, kryetari (presidenti) i KOKSH, do ta mbyllte shpejt edhe jetën e tij olimpike. Qysh atë dhjetor 1960 deri sa do të ndahet para kohe nga jeta më 11 gusht 1965, ai do të ishte thjesht vetëm kryetari i Bashkimit të Fiskulturistëve dhe Sportistëve të Shqipërisë. Posti i Presidentit të KOKSH, që qe përdorur vetëm për praninë në Olimpiadën e Romës, ishte arshivuar tashmâ. Për historinë, siç kemi thënë, mbeten megjithate jo pak arritje të sportit shqiptar nën drejtimin e tij, natyrisht joolimpik, por thjesht bfssh-ist.
Gjatë periudhës 1958-1965 u bë një hap i dukshëm përpara sidomos në ndërtimet sportive (Pallati i Sportit "Partizani ("Asllan Rusi"), stadiumet e Durrësit, Vlorës, Korçës), pjesëmarrja e parë e Shqipërisë në Kampionatin Botëror të volejbollit, pjesëmarrja e suksesshme në Kupën e Kampioneve të Evropës po në volejboll, përurimi i pjesëmarrjes së Shqipërisë në Kupat e Evropës me klubet në futboll, madje me një fillim spektakolar (0-0 Köln (RF Germane), 1-1 Norköping (Suedi)). Dhe më tej: ringritja e Kombëtares së futbollit mbas mbi një dhjetvjetëshi thuajse e zhdukur nga historia dhe përurim i saj në kualifikimet e Kampionatit Evropian dhe atë Botëror. Madje duke përfshirë këtu edhe pak olimpizëm: pjesëmarrja e Shqipërisë në turneun kualifikues për Lojërat Olimpike të Tokios: Shqipëria – Bullgaria 0-1, 0-1! Natyrisht të sigurtë për eliminimin, sepse politika enveriane kurrsesi nuk do ta kishte çuar Shqipërinë në tokën “kapitaliste dhe luftënxitëse” të niponëve…
Të gjitha këto duken si pak, natyrisht. Pa harruar edhe ate, kryeveprën e vogël të Vasil Konomit, Kampionatin Ballkanik të Basketbollit organizuar në Tiranë në dhjetorin e vitit 1965, të cilin ai nuk ia mbërriti ta shijonte.
Nga ana tjetër të gjitha këto duken si shumë kur mendon izolimin e Shqipërisë që qysh nga ky fillim i viteve '60 do të përshkohej në uljengritjet e tij dramatike. Ishin vite kur Shqipëria udhëtoi misteriozisht për te porta e Olimpiadës, pa mbërritur megjithate kurrsesi olimpizmin. Duheshin edhe 12 vjet të tjera për të nisur olimpizmi i vërtetë shqiptar, si një vetëtimë “disa çastesh” edhe ai: Mynih 1972. Mandej do të zhdukej edhe ai për bukur 20 vjet të tjera, kohë kur do të përmbysej Regjimi…
Shqipëria: 12 vjet pa Olimpizëm
Shqipëria komuniste kishte frikë për të qenë de facto pjesë e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar (CIO), i cili drejtohej, siç pohohej pa mëdyshje, nga "qerrja amerikane e Avery Brundage”. Shqipëria kurr për bukur 34 vjet, qysh nga viti i themelimit të KOKSH, deri më 1992, nuk do të mbante në këmbë strukturën e Komitetit Olimpik të saj. Historia e emërimit, "zgjedhjes", çemërimit apo shkarkimit të krerëve të lëvizjes olimpike shqiptare, është provë e rrallë dyshimesh, arrogancash që Shqipëria ka treguar ndaj lëvizjes olimpike.
Duke e lënë vendin e Vasil Konomit bosh përmbi një vit, më në fund në prill 1966, qeveria shqiptare cakton kryetar të atij që quhej Komiteti i Kulturës Fizike e Sporteve (KKFS) të Republikës së Shqipërisë, Rexhep Dodën. Për të nënkuptuar paksa dhe stil olimpik, më 30 maj 1967, Rexhep Doda zgjidhet kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit të Fizkulturistëve dhe Sporttistëve të Shqipërisë (BFSSH). Kjo ngjet në Konferencën e 2-të Kombëtare të BFSSH.
Ky burrrë zotni, modest, i pafjalë dhe një dashamir i madh i sporteve, pati fatin që të mos përmendet asnjëherë si president i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar! Kështu që duhet pranuar se KOKSH gjatë periudhës së tij ka ekzistuar vetëm formalisht në Shqipëri dhe ligjërisht vetëm në listën e anëtarëve të CIO-s. Partizan i vjetër, anëtar i Partisë, i ndershëm dhe i drejtë në punë, teksa vinte nga sektori i Ushtrisë dhe i organeve të pushtetit, ia arriti të krijonte një qëndrueshmëri dhe mbështetje të kuadrove më të mirë të sporteve. Pasionant, në kohën e tij sporti u ringjall jo pa bujë edhe në arenën ndërkombëtare: Kombëtarja e Shqipërisë, atletika, volejbolli e basketbolli deri në sensacione evropiane pas ndalimit të madh të viteve të mëparëshme. Midis tyre, eliminimi sensacional i RFGJ-së (0-0 më 1967) - një bujë botërore - i përket edhe kujdesit të tij. Ringjalli klubin më të vjetër të Shqipërisë, Vllazninë e Shkodrës - deri atëherë të nëpërkambun - duke e dërguar për herë të parë mbas 17 vjetëve, në një veprimtari ndërkombëtare. Eshtë i vetmi kryetar i sporteve që nuk doli as edhe një ditë të vetme jashtë shtetit, por në kohën e tij veprimtaria ndërkombëtare sportive shqiptare, njohu një pjesëmarrje të papame për kohën. Kohët e fundit Rexhep Doda, asokohe përveç të tjerave një mik i madh i gazetarëve, ka botuar librin e tij të kujtimeve dhe një pjesë i përkasin sporteve, duke qenë kështu i pari dhe i vetmi drejtues i sporteve që ka përshkruar me vërtetësi thelbin e politizimit të sporteve prej Regjimit. Shkarkohet i fyer në tetor të vitit 1971, pa u lejuar për asnjë çast të vetëm të ndjehej president i KOKSH. Ashtu si pararadhësi i tij Vasil Konomi, i cili nuk përjetoi realizimin e idesë së tij të bukur të organizimit të Kampionatit Ballkanik të Basketbollit 1965, edhe Rexhep Doda për shkak të shkarkimit të tij, nuk do të shijojë shpërthimin sensacional të peshëngritjes shqiptare në të parën pjesëmarrje të Shqipërisë në Lojërat Olimpike, ato të vitit 1972, një sport i cili mu në periudhën e tij, kishte bërë hapin e parë të madh të mdernizimit.
Do ta shijonte pasardhësi i tij Veiz Lelo.
Qysh nga tetori 1971, muaj i shkarkimit të Dodës, Partia çuditërisht, duke u menduar gjatë, do ta linte Shqipërinë pa drejtues të sporteve përsëri deri në prill, kësaj rradhe prill 1972, kur do të emërojë Veiz Lelon, kryetar i Komitetit të Kulturës Fizike e Sporteve (KKFS) në Ministrinë e Arësimit e të Kulturës. Veiz Lelo vinte nga Durrësi, drejtues në të ashtuquajturat organizata të masave. Padyshim kuadër partie, por universitar i Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Nuk kishte diçka të afërt me sportin përveç moshës së re, 30-vjeçare, ndonëse vinte prej një nga qytetet më sportivë, Durrësit. U tha se sportit i duhet një “kuadër i moshës së re, asaj rinore, siç ishte vetë sporti ynë socialist”. Ishin parullat false që mveshnin përherë emërimet e llojllojshme të Partisë në krye të punëve të sektorëve të jetës “socialiste” shqiptare të asokohe…
Mynih 1972: për herë të parë Shqipëria në gara të një Olimpiade
Qysh nga prilli 1972, e deri te gushti 1972, që përbëjnë pesë muajt e parë të drejtimit të Veiz Lelos, pa ia thënë kurrnjiherë edhe atij emërtimin si President i KOKSH, janë vërtet ndër më interesantët. Shqipëria e cila kishte rënë prej vitesh në prehërin e Kinës Popullore, ndërsa ishte partizania më e fuqishme në Evropë e atij që quhej “socializmi real”, papritmas kishte shpalosë një grimcë liberalizëm. Një liberalizëm i tipit që “shih në TV RAI-n, zgjati paksa favoritet ti djalosh i ri, preji fustanet pak më të shkurtëra ti vajzë e re, fol disi më lirshëm, natyrisht asnjë kritikë për Regjimin, ndiq Kampionatine Italisë në TV si dhe Festivalin e San Remo-s apo “Rischia tutto” të Mike Bongiorno-s dhe nëse vjen RFGJ-ja e Beckenbauerit në Shqipëri, kundroji pa iu afruar fort lojtarëve të Gjermanisë pak metra larg Hotel Dajtit… “.
Vetëm kaq. Në fund të fundit një buzëqeshje disi më tepër dhe aq.
X X X
Më duket si sot dita e 29 gushtit 1972, teksa me cilësinë e gazetarit të "Bashkimit" ngjita me nxitim shkallët e ATSH-së që e kishim përballë dy hapa larg në qendër të Tiranës në Bulevardin Zog I, në atë ndërtesë ku pas disa viteve do të shkonte "Bashkimi", dhe në katin e sektorit të jashtëm desh u ndesha me të paharrueshmin Napoleon Roshi, një punëtor i madh i gazetarisë, madje pionier i gazetarisë sportive me temën ndërkombëtare në Shqipëri. Ai nxitonte me fletën e Asoshieited Press në dorë për te makina e tij e shkrimit dhe mua gati më thërriste: "Besnik, Ymer Pampuri rekord olimpik!" E donte sportin miku më i moshuar, e dinte se sa e doja dhe unë e se si e ndjenim të dy deri në palc kuptimin e jashtzakonshëm të kësaj ngjarjeje të madhe botërore për sportin tonë.
E mandej gjithçka që bëhet e njohur: Shqipëria e mbyllur deri në grykë, në udhëtimin e saj të parë olimpik në histori për të marrë pjesë drejtpërdrejt në gara. Dhe kthimi me një Rekordmen Olimpik, një njeri i thjeshtë i Tiranës, përveç të tjera një lloj artisti i Cirkut, Ymer Pampuri, një fenomen i vërtetë, prekursor i peshëngritjes shqiptare.
Ka qenë 1972, një vit i çuditshëm shqiptar, siç thamë, papritmas paksa i hapur, me RAI-n po të hapur që zbriste nga Mali i Dajtit e hynte në ekranet e televizorëve tonë bardhezi, ende të rrallë, me një TVSH që papritmas transmetonte gati 10 orë në ditë Lojërat Olimpike të Mynihut nga një njeri i vetëm, Skifter Këlliçi, nën redaktimin e Vladimir Grillos, natyrisht nga Studio e Tiranës. Dhe autorit të këtyre rradhëve të cilit si gazetar i të përditshmes “Bashkimi” iu lejua vend i dukshëm në shkrime po të përditshme për Olimpiadën, si asnjëherë tjetër. Ishte viti i të famshmit Festivali i 11-të, por që menjëherë mbas tij do të mbyllte edhe më fort Shqipërinë. Kurr në historinë e një vendi muzika nuk do të tregohej më e pamshirëshme, siç do të ndodhte vetëm mbas pak muajve.
Ndërkaq, ato dit gushti ende shndriste paksa një diell, i dyshimtë megjithate. Ymer Pampuri ishte aty për të shndritur më fort në mrekullinë e tij. 27 vjeç, peshëngritës i 17 Nëntorit të Tiranës (sot SK Tirana), në të vërtetë, vetëm pak më parë me 125 kg në stilin e forcës, ai ishte shpallë Nënkampion i Evropës në Kostanca të Rumanisë zhvilluar më 13-21 maj 1972.
Më 11 gusht 1972, në një ceremoni zyrtare dhe publike, atij do t’i jepej titulli më i lartë sportiv në Shqipëri, “Mjeshtër i Merituar i Sporteve”, ditë kur qarqet zyrtare sportive të Shqipërisë deklaronin se kjo e fundit do të merrte pjesë në Olimpiadë me te dhe me një grup qitësish. Pa i shkuar askuj nëpër mend se Shqipëria qysh në herën e parë të saj në garat e Olimpiadës, do ta fillonte me një medalje. Ndonëse jo me një medalje olimpike, por me një medalje botërore! Dhe me një Rekord Olimpik!
Do të mbërrinim kështu te 22 gushti 1972 kur Agjensia Telegrafike Shqiptare e lajmeve do të njoftonte se më 21 gusht 1972, “u nis për në Mynih grupi i sportistëve tanë, i cili do të marrë pjesë në lojërat e 20-ta olimpike. Sportistët tonë do të konkurojnë në garat e qitjes dhe të ngritjes së peshave”. Ndërsa shtypi, në një ekstazë “socialiste”: “Shqipëria, atdheu ynë i dashur do të përfaqësohet për të parën herë në Olimpiadën XX”.
Lojërat e Mynihut hapen më 26 gusht 1972. Shqipëria është e pesta në parakalimin ceremonial të “Olympiastadion” të Mynihut mbas Greqisë, Egjyptit, Etiopisë dhe Afganistanit, duke pasë flamurtare qitësen Afërdita Tusha, çka do të thotë se flamurtarja e parë olimpike e Shqipërisë është një femër.
Shqipëria shkon në Olimpiadë me një ekip të përbërë nga këta gjashtë sportistë, emrat e të cilëve kanë mbetur në histori si shqiptarët e parë që garuan në një edicion të Lojërave Olimpike:
ata ishin qitësit Ismail Rama, Afërdita Tusha, Beqir Kosova, Fatos Pilkati dhe peshëngritësi Ymer Pampuri si dhe trajnerët Zyhdi Mazreku (peshëngritje) dhe Ali Mata (qitje).
Kjo ishte Shqipëria në Olimpiadën e Mynihut, në pjesëmarrjen e saj të parë të drejtpërdrejt në veprimtaritë sportive, sepse me delegacione kishte qenë në Berlin më 1936 dhe në Romë më 1960. Por nëse në të dy këto raste kishte shkuar me ministrin e Arësimit, Dr. Nush Bushati (1936) dhe me presidentitn e KOKSH, Vasil Konomi (1960), kësaj rradhe ekipi shqiptar prej shtatë vetësh kryesohej nga një drejtor ushtarak i Ministrisë së Arësimit dhe të Kulturës, e natyrisht edhe nga “shoqëruesi” i pamungueshëm i Sigurimit të Shtetit, emrat e të cilëve nuk u përmendën askund. Eshtë vërtet e jashtëzakonshme që ndërsa Shqipëria garonte për herë të parë në histori në Lojërat Olimpike, kryetari i BFSSH, Veiz Lelo, ai që duhej të ishte presidenti i KOKSH, e për këte ai duhej të ndodhej në Mynih, Partia i jep rrugën e një vizite zyrtare në Republikën Popullore të Kinës, e cila për shkak të Taivanit, nuk merrte pjesë në Olimpiadë! Mjafton kjo sfidë shqiptare për të kuptuar se për Vendin e Shqiponjave, olimpizmi ishte një askurgjâ!
Në Mynih Partia synonte tejet sidomos me qitjen dhe qitja shqiptare që bën këte paraqitje:
Karabinë e vogël tre pozicione (precizion 1x60):
* Ismail Rama i 22-ti me 594 pikë
* Beqiri Kosova i 66-ti me 587 pikë
Ishin plot 101 pjesëmarrës.
Pistoletë standard:
* Fatos Pilkati i 24-ti me 546 pikë
* Afërdita Tusha e 51-ta me 522 pikë
Ishin 64 pjesëmarrës, ndërkohë që në këtë garë konkuronin së bashku meshkujt dhe femrat!
Ndërkaq, u tha se krerët e lartë të Regjimit, patën një zhgënjim nga ky përfaqësim i i qitsave, sepse këte sport PPSH prej kohësh përpiqej ta reklamonte si sportin bazë me nënkuptimin “plumba të gatshëm për çdo armik”. Ndonëse duke i parë rezultatet ato janë krejt normale, madje shifrat dhe renditja e Ismail Ramës dhe Fatos Pilkatit ishin dinjitoze.
Sensacioni shqiptar qe lënë të shpalosej prej Ymer Pampurit në peshëngritje…
Mynih 1972: Ymer Pampuri – Rekordmen Olimpik dhe Kampion i Botës!
Historiani amerikan Dawid Wallechinsky, gjithë komentin e tij për këte garë, në librin e tij bestseller, të përkatërvjetëshmin “The complete book of the Olympics”, ia kushton sensacionit shqiptar. "Ymer Pampuri, një klloun cirku, - shkruan ai, - theu rekordin olimpik në forcë duke kryesuar në fakt pas raundit të parë për shkak të peshës së tij më të lehtë trupore. Sidoqoftë, për shkak se shkëputja dhe shtytja nuk perfeksionoheshin në Shqipëri, ai nuk mundi të renditej më tepër se respektivisht në vendin e 12-të dhe të 10-të në këto displina. Në tregarësh Pampuri u rendit i 9-ti".
Kur ka ardhur në Shqipëri më 1992, Wallechinsky është pritur prej autorit të këtushëm në redaksinë e "Sportit", i lumtur se kishte përfshirë në këto 4 rreshta historinë olimpike të Ymer Pampurit. As ky studjues skrupuloz i olimpizmit, çuditërisht nuk na tha asnjë fjalë për Ymer Pampurin – si Kampion i Botës, çka as ne nuk e kemi ditur për bukur 29 vjet…
Dhe le të qëndrojmë te gara në aspektin olimpik.
Ajo është zhvilluar më 29 gusht 1972 dhe në stilin e forcës, Pampuri arrin 127.5 kg., çka ishte Rekord Olimpik. "Sportisti shqiptar Pampuri mbrenda pesë minutave thyen dy herë rekordin olimpik", thekson AP-ja.
27-vjeçari Ymer Pampuri shkonte në Olimpiadë me cilësinë e Nënkampionit të Evropës dhe ajo çka ai arrin ishte thyerja e rekordit olimpik të legjendarit Yoshinobu Miyake të Japonisë - rekord i vendosur prej këtij të fundit në Olimpiadën e Tokios (1964), kur dihej që japonezi i famshëm ishte fitues i medaljes së artë edhe në Meksiko. Në Munih ai do të jetë vetëm i 4-ti sepse një kontuzion muskular e pengon të shkëlqejë në stilet e tjerë, po edhe me kaq ai mbetet i papërsëritshëm. Nga ana tjetër, Pampuri do të mbetej pionieri legjendar i asaj që do të mbrrijë më vonë peshëngritja shqiptare: e treta në Kampionatin Evropian të Aalborgut në Danimarkë më 13-20 maj 1990 para Bashkimit Sovjetik dhe Bullgarisë. Dhe menjëherë largimi i peshëngritësve për t’i dhënë medalje olimpike Greqisë. Duheshin edhe 18 vjet për të mbërritur këtu…
Qëndrojmë në vitin 1972. Më e rëndësishmja është se në të njëjtën kohë, Pampuri shpallet edhe Kampion i Botës në stilin e forcës të peshës 60 kg., titull që ne do ta “zbulonim” mbas plot 29 vjetëve. Ndonëse në të vërtetë, nuk do ta zbulonim ne megjithate, por Dr. Giovanni Armillotta nga Pisa, miku ynë i hershëm italian, ndjekësi i pakrahasueshëm i zhvillimit të sporteve në Shqipëri, studjues i historisë dhe gjeopolitikë, kryeredaktor i revistës "Africana", autor librash e kërkimesh me vlerë.
Më 2001 Dr. Giovanni Armillotta, i shkruan autorit të këtushëm se mbas 29 vjetëve kishte zbuluar se Rekordmeni ynë i parë dhe i vetëm Olimpik, Ymer Pampuri, është sot e kësaj dite Kampion i Botës në peshëngritje, madje i vetmi shqiptar i tillë në historinë e Shqipërisë. Papritmas zbulohej se Ymer Pampuri kishte plot 29 vjet që ishte Kampion i Botës, madje zyrtarisht i konfirmuar nga Federata Ndërkombëtare e Peshëngritjes (IWF) dhe askush në Shqipëri nuk e dinte këte. Ky zbulim, të cilin falë Dr. Armillota-s, pati nderin ta paraqiste për herë të parë, më 2001 "Futbolli Shqiptar" – si i vetmi që di, vlerëson, saktëson dhe njeh historinë e sportit shqiptar, duket si një aventurëe tri dekadave (1972-2001). Ngjarja, e bartur nga arkivi i 29 vjetëve më parë, ishte përveç të tjerave, një aventurë e vërtet Interneti, të cilën Dr. Armillotta e kishte ndërtuar nga Italia falë një afeksioni shqiptar të rrallë.
Gara e 29 gushtit 1972 ka qenë një duel spektakolar midis Nurikian të Bullgarisë dhe Shanidze të Bashkimit Sovjetik për medaljen e artë, po ajo ka ndërmes, atë verë të 72-shit, edhe shqiptarin Ymer Pamuri, të cilit i bëhet ceremonia dhe i jipet medalja e Kampionit të Botës. Këtu është ngatërruar gjithçka, ngatërrim që për ne mbeti nëntokë për tri dekada. Shtypi shqiptar i kohës, e quan ate "medalje të rekordit olimpik", të cilën ne më 1972 i konsideronim si ndere të një rekordi olimpik, çka absolutisht nuk njihet në Olimpiada. Kanë qenë nderet për Kampionin e Botës, Ymer Pampurin nga Shqipëria, medalja e Kampionit të Botës dhe diploma e titullit. Në shtypin shqiptar të gjitha këto me nxitim i janë mveshur rekordit olimpik. Gabim që deri diku ishte i spjegueshëm kur mendon se asnjë gazetar nuk shoqëroi delegacionin e vogël shqiptar në Olimpiadën e tij të parë. Përgjegjës, trajner, sigurimsa, por jo njeriu i informacionit, gazetari.
Duke iu kthyer gazetës "Sporti popullor" të kohës, jehona nuk ka përmasat realiste, normale të një suksesi kësisoji. Përballë një politizimi të shquar nën titujt e mëdhenj të tipit "Lart flamujt e garave socialiste", "Kooperativistët e Progonatit merren gjërësisht me fizkulturë" apo "Një sukses i zbatimit të protokollit të Këshillit të Ministrave për t'u përfaqësuar denjësisht në aktivitete ndërkombëtare", sensacioni botëror i Ymer Pampurit duket si të ishte një ngjarje e frikëshme për t'u publikuar në përmasa të mëdha të meritueshme.
Dhe kur më 14 shtator 1972 delegacioni mbërrin në Shqipëri, dhe pritet në aeroport nga Zëvëndësministri i Arësimit dhe kulturës, Prof. Bedri Dedja dhe sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare, Mihal Qipo me një kontribut të jashtzakonshëm për këte sport, iu jipet fjala protagonistëve, Pampurit dhe trajnerit të tij tashmâ historik, Zyhdi Mazreku. Pak rradhë që kanë kaluar kotsëkoti, kur sot vërejmë se mbrenda tyre ka qenë e gjithë e vërteta. Ymer Pampuri deklaron në gazetë, fjalë për fjalë kështu:
"Në ceremoninë e mbylljes m'u dha medalja e rekordmenit olimpik dhe e Kampionit Olimpik për stilin e forcës".
Pampuri ka dashtë të thotë pikërisht "medalja e Kampionit të Botës", sepse dihet që kampioni olimpik ishte vetëm një: bullgari Norair Nurikian me 402.5 kg në tregarësh (forcë+shkëputje+shtytje) dhe asnjë tjetër, pra as Pampuri ynë edhe pse theu rekordin olimpik. Dhe ka thënë "medalja e Kampionit Olimpik", çka natyrisht nuk ishte e vërtetë. Ajo ka qenë pagabueshëm medalja e Kampionit të Botës, të cilën Pampuri e ngatërron duke thënë gabimisht "medalja e Kampionit Olimpik". Kur dihet se ai është renditur i 9-ti në tregarësh me shifrat 342.5 kiligram, duke thyer rekordin kombëtar me 15 kilogram më tepër, një rast i paprecedent në historinë e peshëngritjes sonë.
Siç kemi trajtuar me kohë në shkrimet tona, Dr. Armillotta, falë skrupulozitetit të tij të rrallë, ka meritën se pasi rishikon edhe një herë rastin e Pampurit “zbulon” se Lojërat Olimpike të vitit 1972 për turneun e peshëngritjes kanë qenë edhe Kampionat Botëror, madje ndërsa Olimpiada jep vetëm 3 medalje: të artë, të argjentë, të bronztë vetëm për renditjen si tregarësh, për Kampionatin Botëror jepen medalje për katër kampionë të botës në çdo peshë për secilin stil si dhe për tregarëshin. Eshtë mu kjo rregullore që e shpall Ymer Pampurin Kampion të Botës në stilin e forcës.
Më 13 gusht 2001, pasi bindet, Armillotta i shkruan statisticienit zyrtar të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes Gottfried Schodl duke i thënë: "Në substancë pra, Ymer Pampuri është jo vetëm Rekordmen Olimpik, por dhe Kampion i Botës në stilin e forcës për Kampionatin XLVI Botëror, sepse në kolonat tuaja Shqipëria ka një medalje ari për Kampionatet Botërore". Një ditë më vonë, më 14 gusht 2001, historiani i IWF, Gottfried Schödl, i përgjigjet Armillota-s: "I dashur Doktor. Ju keni të drejtë. Pampuri është më 1972 me rastin e Lojërave Olimpike të 1972 Kampion i Botës në Forcë, në kategorinë 60 kg me 127.5 kg. Të falat më të mira - Gottfried Schödl".
Punë e kryer! E kryer me vonesë 29-vjeçare, kuptohet për ne, që vite të tana nuk kemi fiksuar historinë e sportit tonë. Në faqen e Internetit të Federatës Ndërkombëtare të Peshëngritjes ku jipen vëndet dhe datat e zhvillimit të Kampionateve Botërore qysh nga 1891, një asteriskë tërheq vëmëndjen në pesë vite: 1964, 1968, 1972, 1976, 1980, 1984. Poshtë tyre lexojmë: "Lojërat olimpike të viteve 1964, 1968, 1972, 1976, 1980, 1984 llogariten edhe si Kampionate Botërore". Ne na intereson vetëm viti fatthënë 1972, që konfirmon Pampurin Kampion të Botës. Dhe ja tek kollona "Medals in Olympic Games and World Championships 1891-2000" ("Medaljet në Lojërat Olimpike dhe Kampionatet Botërore 1891-2000), tek "Seniors" (Të rritur) në kollonën e "G" (Gold - Ar)", gjej: "ALB 1", që do të thotë "Shqipëria 1 medalje ari".
Një "1" i vetëm natyrisht, i vetëm në historinë tonë, një "1" legjendar, i paarritshëm, i mbetur i vetëm, gjithmonë i vetëm. Sepse edh titujt bot[ror[ sensacional[ t[ Erkand Qerimajt t[ sot[m i nj[ t[ ardhmeje t[ madhe, ende jan[ p[r kategorin[ e t[ rinjve.
Diçka po përsërisim këtu, ashtu si dhe herë të tjera, sepse në shtypin e sportiv shqiptar me mangësi jo të pakta kompetence, e pse jo, edhe kulture të llojit, vazhdojnë ta quajnë Ymer Pampurin, Kampion Olimpik, kur ai është Kampion Botëror si dhe Rekordmen Olimpik. Madje me përkimin befasues: i arritur mu në Lojërat Olimpike edhe pse Pampuri u rendit i 9-ti.
Sidoqoftë, në kontekstin e shkrimit tonë historik e rëndësishme ishte se Ymer Pampuri me vendin e 9-të përbënte përfaqësimin më të mirë të Shqipërisë në debutimin e saj të Lojërave Olimpike. Duke zënë vendin e 1-rë në stilin e forcës, të 12-tin në shkëputje dhe të 10-tin në shtytje, Pampuri është pra, i 9-ti në Renditjen përfundimtare të trigarëshit. Kjo është Renditja medaliste (ari, argjëndi, bronzi), e cila po botohet sot për herë të parë këtu në “TemA” mbas plot 36 vjetëve:
LOJËRAT E 20-TA OLIMPIKE, MYNIH 1972
PESHËNGRITJE. PESHA 60 KG. RENDITJA MEDALISTE PËRFUNDIMTARE:
1. Nurikian /BUL 402.5 kg (127.5 + 117.5 + 157.5)
2. Shanidze / URS 400.0 kg (127.5 + 120.0 + 152.5)
3. Benedek / HUN 390.0 kg (125.0 + 120.0 +145.0)
4. Miyake / JPN 385 kg (120.0 + 120.0 + 145.0)
5. Pitner / AUT 382.5 kg (125.0 + 112.5 + 145.)
6. Chang / CUB 377.5 kg (120.0 + 115.) + 142.5)
7. Nowak / POL 375 kg (120.0 + 110.0 + 145.0)
8. Tanti / ITA 367.5 kg (120 + 107.5 + 140.0)
9. Pampuri / ALB 342.5 kg (127.5 + 90.0 + 125.0)
10.Chen / ROC 327.5 kg (110.0 + 92.5 + 125.0)
11.Martinez / PUR 325.0 kg (92.5 + 105.0 + 127.5)
12.Wojnowski / POL 0.0
13.Ando / JPN 0.0
Dhe renditja tjetër historike, ajo që i dha titullin e Kampionit të Botës dhe atë të Rekordmenit Olimpik Ymer Pampurit, që gjithashtu botohet për herë të parë:
KAMPIONATI BOTËROR I PESHËNGRITJES. MYNIH 1972
PESHA 60 KG. STILI I FORCËS. RENDITJA PËRFUNDIMTARE:
1. Pampuri / ALB 127.5 kg
2. Shanidze / URS 127.5 kg
3. Nurikian / BUL 127.5 kg
4. Pitner / AUT 125.0 kg
5. Benedek / HUN 125.0 kg
6. Chang / CUB 120.0 kg
7. Wojnowski / POL 120.0 kg
8. Miyake / JPN 120.0 kg
9. Nowak / POL 120.0 kg
10.Tanti / ITA 120.0 kg
11.Chen / ROC 110.0 kg
12.Martinez / PUR 92.5 kg
13.Ando / JPN 0.0
Ky është YMER PAMPURI. Për ne me gërma kapitale. Sot e kësaj dite i vetmi Kampion i Botës i Shqipërisë, "zbuluar" më 2001, pas 29 vjetëve, si të ishte fjala për zbulime arkeologjike. Kishim ditur se më 29 gusht 1972, në Lojërat Olimpike të Mynihut, në pjesëmarrjen e parë të Shqipërisë, Ymer Pampuri, theu Rekordin Olimpik, por ja që "u bë" ndërkaq, edhe Kampion i Botës në stilin e forcës të peshës 60 kilogram.
Ky ishte vetë starti i shpërthimit të peshëngritjes shqiptare, duke mbërritur ajo deri në medaljet e arta olimpike, por për fat jo për hir të olimpizmit shqiptar, por të dikuj tjetër. Më 1972 për Shqipërinë ishte dhënë starti i shndërrimit të sportit të peshëngritjes në sportin simbol të olimpizmit shqiptar…
* SHENIM: Dy kapitujt e parë janë botuar në gazetën “TemA” më 25 nëntor dhe 2 dhjetor 2008.