Politikë moderne me pleq
Deri në zgjedhje rruga nuk mbaron shpejt, sepse fakti që kemi më shumë qëndrime tani sesa më parë do të thotë që nesër do kemi më shumë qëndrime politike se sot. Aktualisht kemi një rritje përgjegjësie në ndërgjegjen e socialistëve të vjetër për politikat dypolare që partitë e majta, kryesisht LSI dhe PS, po luajnë. Në shtypin e ditës Agolli, Pëllumbi, Meidani dhe Brokaj janë titulluar si grupi i të urtëve të majtë. Por, natyrisht, jemi larg një kupole tipike. Jemi përballë një grupimi që në traditën tonë njihet si Pleqësia, ligji i të cilëve është një ligj kanonik që i shërben të gjithëve në çdo kohë ndaj situatave që nuk parashikohen me ligj, siç dhe po sanksionohet sot debati PS-LSI. E gjithë kjo për të realizuar shpëtimin e të majtës nga zgjedhjet. Dhe duket sikur djemtë plangprishës binden shpejt nga këto pleqësi, sikurse rasti i Ramës në zgjedhjet lokale të shkurtit 2007, kur dy pleqtë, në sensin e pleqësisë, u takuan për të zgjidhur ngërçin e bisedimeve për pjesëmarrjen në zgjedhje, ku nga Presidenca, e cila prej ditësh nuk kishte zgjidhur gjë nëpërmjet bisedimeve, vjen konfirmimi se gjithçka u zgjidh. Pra, debati përsëri shkëputet nga aktorët dhe zhvendoset te të Pleqtë, të cilët vetëm kundrojnë situatën.
Megjithatë, këndvështrimi kësaj radhe është paksa i ngushtë, i pamundur për t’u parë me më shumë kompetencë prej politikanësh me eksperience, pasi në plan të parë vihen idealet, simbolet, tradita, të shpëtohet e majta, që tingëllon gati si, të shenjtërohet e majta. Me pak fjalë, konservatorizmi zë vendin e panevojshëm në një debat që i takon një stili më moderator dhe më elastik në atë që do ta përkufizoja si beteja e jetës në krahun e majtë.
Partitë e majta dhe të djathta duket sikur nuk kanë lëvizur drejt një ngritjeje elektorale me anë të punës së tyre, por janë duke e përfituar çdo votë nga zvarritja pas partisë së madhe, pa patericat e së cilës do ngeleshin në të njëjtin vend. Dhe e vetmja që po e bën, LSI, është në shënjestër për të mos e marrë veten. Të njëjtin arsyetim do përdorja dhe në kampin e djathtë, ku simotra e LSI mungon.
Por, pse do i duhej Metës ta konsideronte debatin si një shpëtim të së majtës, kur ai me galopet e dukshme bëhet një faktor në zgjedhjet e ardhshme, i cili mund të zgjedhë me lehtësi se me cilën forcë do ia lejojë vetes të bashkëpunojë? Mbase Meta mund të mos zgjedhë asnjërën dhe të përditësojë dhe për ca kohë më tepër opozitarizmin e tij për një elektorat më të mirë në zgjedhjet e tjera dhe të fitojë shansin historik që parti si Aleanca Demokratike dhe më pas Partia Demokratike e Re humbën në të djathtën. Ndodh që është më mirë të jesh në opozitë sesa në pushtet.
Megjithatë, LSI mund të bëhet faktor i vetëm në zgjedhje dhe të bëhet pjesë e koalicionit paszgjedhor, i cili, natyrisht, me shumë gjasa nuk do jetë i majtë. Natyrisht, të gjithë do mendonin, Meta tradhtoi (slogani më militant që gjej te të dy krahët e politikës), por në fund të fundit a nuk është e gjithë loja për të ardhur në pushtet dhe për të zgjidhur problemet e shumta, të cilat, nëse fitohet me shumicë vetëm në një krah, zvarriten gjithnjë e më shumë pas pazgjidhshmërisë? Kjo skemë nga ana elektorale vetëm se e ngre elektoratin, nëse përdoret me kujdes, dhe jo e ul.
Ideja se kemi një të djathtë të fortë po pasqyron problemin e lidershipit dhe jo të politikës si shfaqje elektorale, ndoshta në këtë aspekt pleqësia e së majtës mund të rrisë avantazhet e fitores, por ndoshta të Ramës më tepër sesa të Metës.