Pensionistja kërcënon motrën me pistoletë
Një grua është arrestuar nga policia e kryeqytetit, pasi është kapur me pistoletë, me të cilën kishte kërcënuar se do vriste motrën e saj. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në lagjen "Ali Demi", ndërkohë që agresorja Xhevrie K., 68 vjeçe, është arrestuar në banesën e saj në Kombinat. Burimet policore bënë të ditur se nga shërbimet e Komisariatit Nr. 6 u krye arrestimi në flagrancë i shtetases Xhevrie K., lindur në Dibër dhe banuese në Tiranë. Arrestimi u krye sepse ndaj saj është depozituar një kallëzim penal nga Barie R., 75 vjeçe, e cila është motra e të arrestuarës dhe ka deklaruar se është kanosur me thikë dhe pistoletë në banesën e saj. Nga kontrolli fizik i ushtruar, Xhevries iu gjet e fshehur në trup një pistoletë tip "Zastava", e cila u bllokua në cilësinë e provës materiale. Sipas policisë, ngjarja në fjalë ka ndodhur rreth orës 13:30 të së dielës. E arrestuara po diskutonte me të motrën problemet që kishte me të birin dhe nusen. Në këto kushte, motra ka kërkuar prej saj që t‘i shikonte njëlloj dhe pa njëanshmëri. Por, në këto kushte, gruaja është nevrikosur, duke menduar se e motra po mbronte ata dhe e ka kërcënuar me pistoletë. Në lidhje me armën e gjetur, policia ka deklaruar se e arrestuara është shprehur se e kishte gjetur në fshat.